Mijëra produkte pa tarifa doganore – Zgjerohet lista e mallrave të teknologjisë së informacionit

579
Lista e produkteve të teknologjisë së informacionit, të cilat importohen në vendin tonë pa doganë do të pësojë zgjerim të konsiderueshëm. Kjo do të sjellë reduktim të kostove për të gjitha produktet e kësaj kategorie dhe eliminim tarifash dhe barrierash jo tarifore. Këtë parashikon projektligji: “Për pranimin e skedulit CXLVI të zgjerimit të listës së marrëveshjes së teknologjisë së informacionit në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë”, i cili është depozituar në Kuvend, për t’u diskutuar në Komisionet Parlamentare. Shqipëria është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë nga shtatori i vitit 2000 dhe politika tregtare ndjek parimet e rregullat e kësaj organizate. Një nga marrëveshjet e OBT-së, në të cilat Shqipëria është palë qysh nga çasti i anëtarësimit, është edhe ajo e teknologjisë së informacionit (ITA), sipas së cilës për produktet që përdoren në teknologjinë e informacionit, vendet anëtare të kësaj marrëveshjeje nuk aplikojnë tarifa doganore në import. Vendet e zhvilluara anëtare të OBT-së kanë propozuar zgjerimin e listës dhe Shqipëria ka mbështetur listën e propozuar fillimisht nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-të, duke e zgjeruar atë edhe me produkte të tjera, të cilat do të ndikojnë në teknologjinë e informacionit. Ndër produktet shtesë që mund të tregtohen pa tarifa përshihen; bojë printimi apo bojëra të tjera; ngjitës të përgatitur dhe adezivë të tjerë; pllaka dhe film fotografik; artikuj për mbartjen ose paketimin e mallrave, kuti, kasa, arka dhe artikuj të ngjashëm; materiale të tjera të printuara; produkte dhe artikuj tekstilesh për përdorime teknike; pompa me ajër ose vakum, kompresor dhe ventilatorë me ajër ose me gaz; Makineri, pajisje impiantesh ose laboratorike, të nxehura ose jo me korrent; Makineri ose aparat filtrimi ose pastrimi për lëngje; Makineri peshimi; Makineri printimi; Printer, fotokopje dhe makina faksimile të tjera, të kombinuara ose jo etj.
Sigal