Mijëra personave të paaftë qeveria nuk u njeh librezën e invaliditetit

1002
Nga Maksim Rushi
Kryetari Kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë
Znj. Etleva Bisha, ku ju ka humbur një pjesë e personave të paaftë?!
Etleva Bisha, Drejtore e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, në një njoftim zyrtar shkruan: “Sqarojmë se të vetmet libreza zyrtare që lidhen me aftësinë e kufizuar, që jepen nga Shërbimi Social Shtetëror dhe që njihen ligjërisht për efekte të përfitimit të lehtësirave që jep legjislacioni, janë:

– Libreza para dhe tetraplegjik; në bazë të VKM, nr 618, dt. 07.09. 2006 “Për përcaktimin e kritereve të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të kufizuar; përdorues të kësaj libreze janë vetëm personat me statusin para dhe tetraplegjikë, sipas vendimit të KMCAP-it,

– dhe 2 librezë verbërie: në bazë të VKM-së nr. 277, dt. 18.06.1997 “Për përfitimet nga statusi i të verbrit; përdorues të kësaj libreze janë vetëm personat me statusin e të verbrit ,sipas vendimit të KMCAP-it”

Mjafton vetëm ky deklarim i zonjës Etleva Bisha për të kuptuar se në çfarë lloji shteti jetojmë.

Pyetja më legjitime që mund të bëhet fill pas këtij njoftimi zyrtar është: Po një pjesë e personave me aftësi të kufizuar, (mijëra veta), ku ju kanë humbur?! Zonja Bisha në faqen e saj zyrtare të SHSSH-së, vë në dukje faktin se ka një përvojë pune prej 17 vjetësh në institucione shtetërore dhe joqeveritare… se ka ushtruar për 7 vjet (2000-2007) detyrën e këshilltarit bashkiak në Bashkinë e Tiranës… se është autore e disa udhëzuesve, analizave dhe studimeve në fushën e vlerësimit të qeverisjes, auditit social, barazisë gjinore etj, etj, etj. Por zonja Bisha nuk e paska mësuar akoma që persona më aftësi të kufizuar nuk janë vetëm të verbrit, para dhe tetraplegjikët, por edhe personat me dëmtim fizik e pluridifekt, të cilët nuk janë të mbuluar nga skema e sigurimeve shoqërore, pasi këta individë, ose kanë lindur të tillë, ose janë aksidentuar gjatë jetës. Kjo kategori personash ka krijuar “Shoqatën Shqiptare të personave të paftë” që nga 4 dhjetori i vitit 2012, me vendim nr. 3457 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe e pajisur me NIPT L44011191R, me Kryetar Kombëtar Maksim Rushin.

Gjithashtu…
Zonja Bisha ende nuk e paska mësuar se edhe kjo kategori qytetarësh trajtohet si gjithë personat e tjerë me aftësi të kufizuar. Mjafton të lexosh Ligjin Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesshmërinë e personave me aftësi të kufizuar” dhe gjithkush qartësohet. Ja çfarë thuhet në këtë ligj, neni 3, pika 9: “Persona me aftësi të kufizuara” janë individët që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose ndijore, dëmtime të cilat, në bashkëveprim me pengesat e ndryshme, përfshirë ato mjedisore dhe të qëndrimit, mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët”.

Atëherë, si mund të mos njihen librezat e kësaj kategorie qytetarësh. Për ju zonja Bisha kjo kategori personash nuk janë të paaftë?
Ne si shoqatë kemi pasur bashkëpunim të mirë me Drejtorinë tuaj; kemi propozuar që një kopje e librezës të jetë edhe në dosjen e personave të paaftë; kemi folur edhe për shmangien e abuzimeve dhe vënin para përgjegjësisë të personave që tentojnë të abuzojnë. Në këtë kuadër, shoqata jonë ka larguar nga detyra personat abuzuees, madje duke i çuar përpara organeve të drejtësisë, por nga sa kuptojmë, nëpër takime flitet shumë por duket se shumë gjëra harrohen.

Në njoftimin e znj. Bisha
Në njoftimin zyrtar të drejtoreshës së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, vihet theksi te VKM-të që flasin për statusin e të verbrit dhe statusin e para dhe tetraplegjikëve dhe për asnjë kategori tjetër të paaftësh. Por, nëse ende nuk ka një VKM për personat që lindin të paaftë ose bëhen të tillë gjatë jetës, kjo do të thotë se ju si Shërbim Social Shtetëror nuk i keni propozuar Kryeministrit një projekt të tillë që të kthehej në vendim, gjë që tregon sesa e interesuar dhe sa i përkujdesur ka qenë Shërbimi Social Shtetëror dhe drejtuesit e saj. Megjithatë, edhe pse nuk ekziston një VKM e specifikuar, kjo nuk pengon asgjë znj Bisha, sepse ligji i përmbledh në përkufizimin e vet si “persona me aftësi të kufizuar”. Për më shumë lexoni ligjin nr 93, dt 24,07, 2014 dhe VKM-ë nr 431, dt 08, 06, 2106. Ju ndoshta mund të na pyesni, si e vërtetojmë ne që edhe anëtarët e “Shoqatës Shqiptare të Personave të paaftë”, janë vërtet invalidë? Përgjigjja është fare e thjeshtë zonja Bisha: ashtu si të verbrit, para dhe tetraplegjikët që vërtetojnë paaftësinë e tyre nëpërmjet KMCAP-it, ashtu edhe anëtarët e shoqatës tonë janë të pajisur me dokumentin e lëshuar nga KMCAP-i. (Komisioni Mjekësorë i Caktimit të Aftësisë për Punë). Ju zonja Bisha njihni ndonjë institucion tjetër të ligjshëm që vërteton paaftësinë? Atëherë me veprimet dhe mosveprimet e Drejtorisë suaj ju po diskriminoni hapur mijëra qytetarë me aftësi të kufizuar.

Ju keni shkelur ligjin znj. Bisha
Përfundimisht mund të themi se ju jeni në shkelje të hapur të ligjit, znj Bisha. Por kjo gjë nuk mund të vijojë pafundësisht kështu. Në nenin 3 “Përkufizime”, të ligjit nr. 93/2014, pika ç, thuhet: “pengesat institucionale, përfshirë ato në legjislacion dhe politika”, që do të thotë se për sa kohë pengesë bëhen institucionet, legjislacioni dhe politika, për aq kohë është veçse një turp, nder i bën Shtetit Shqiptar vetëm zbatimi i ligjeve. Edhe në mesjetë të vobektët kishin institucionet e tyre të bamirësisë. Presim reagimin tuaj zonja Bisha. 
Sigal