Mijëra makina dalin nga qarkullimi; kategoritë më të rrezikuara

641
Nis sot aplikimi i vlerave limit të shkarkimit të gazrave nga motorët e makinave. Me urdhër të Ministrisë së Transporteve nga data 1 korrik 2015 të gjithë personat e pajisur me makina, duhet të bëjnë edhe kontrollin e normës së shkarkimit të gazrave. Mijëra makina të regjistruara, në bazë të inventarit të parkut të mjeteve, rrezikojnë të dalin nga qarkullimi
Ja kush dëmtohen nga ky udhëzim
Por a është gati Shqipëria për të përballuar zbatimin e urdhrit të Ministrisë se Transporteve, për normat limit të shkarkimit të gazrave nga motorët e makinave? Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto dhe dikasteri i cili ai drejton, bazuar nga ky udhëzim është e qartë se nuk ka marr për bazë aspak, nëse qytetarët shqiptarë do të jenë të gatshëm të përballen me këto rregulla. Haxhinasto kur ka firmosur udhëzimin mbi nomin e lejuar të gazit të makinave, nuk ka marr parasysh që shtresa e cila do dëmtohet më shumë janë personat me nivel ekonomik mjaft të ulët dhe që mezi e sigurojnë jetesësn e përditshme. Mjetet të cilat do të cenohen nga ky udhëzim janë mjetet më të vjetra që gjenden në qarkullim. Konkretisht mjetet me benzinë të cilat do të preken nga ky udhëzim janë ato mbi 28 vjet, (mjete të regjistruar nga 1 tetori i vitit 1986), ndërsa mjetet me naftë, ato që janë mbi 34 vjet (të regjistruara që nga viti 1981). Të dhënat flasin për një shifër të madhe automjetesh të cilat do të preken nga ky udhëzim, janë mijëra makina të regjistruara në bazë të inventarit të parkut të mjeteve. Por shtresa e cila i disponon këto makina, prodhime të viteve më të hershme, është shtresa e varfër e cila nuk mund të përballojë shpenzimet e larta. Është pikërisht kjo shtresë e cila rrezikon të mbetet edhe pa makina, nëse automjeti i tyre nuk kalon me sukses kontrollin e normës së shkarkimit të gazrave. Sipas udhëzimi të Ministrisë së Transporteve “Mbi kontrollin teknik të mjeteve rrugore” në korrik të vitit 2016, do të aplikohet zbatimi konkret i normave të lejuara të elementeve ndotëse nga gazrat e automjeteve në përputhje të plotë me direktivën europiane të vitit 2009, që aplikojnë vendet e BE-së. Por a janë të gatshëm qytetarët shqiptarë t’i bashkohen direktivave europian, ku në këto raste bëhet fjalë vetëm për udhëzime ministrish, rritje taksash, rritje të faturave të ujit dhe energjisë, rritje tarifash për regjistrimin e studentëve në shkollat e larta, rritje të çmimit të naftës etj.? Si mund t’i bashkohet Shqipëria nivelit të jetesës së vendeve të BE-së, në një kohë kur niveli i rrogave në vendin tonë është shumë larg krahasuar me rrogat e vendeve evropiane?
Udhëzimi i Ministrisë së Transporteve
Udhëzimi i Ministrisë së Transporteve “Mbi kontrollin teknik të mjeteve rrugore”, përcakton mospajisjen me certifikatën e koalidimit të makinave, nëse vlerat e shkarkimit të gazrave janë mbi normat e lejuara. Kontrollit për normën e gazit do t’i nënshtrohen të gjitha mjetet për karburantet, qoftë për benzinën, qoftë për naftën. Ky vendim vjen si një masë ndërgjegjësimi për drejtuesit e automjeteve për të kontrolluar më shpesh nivelin e gazrave për përmirësimin e shkarkimit të tyre. Kontrollit do t’i nënshtrohen të gjitha mjetet që janë në qarkullim, përfshirë edhe automjetet e transportit publik, pra nuk ka përjashtime për asnjë lloj mjeti. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi si dhe zbatimin e tij duke filluar që sot, parashikohet që normat e gazeve më 1 korrik të vitit 2016 do të jenë të përputhura me normat e direktivat e Komunitetit Europian për gazet, gjatë kontrollit teknik të mjeteve.
Fazat për shpëtimin e makinës
Udhëzimi “Mbi kontrollin teknik të mjeteve rrugore”, përcakton ndryshimin e normës sasiore e cila është vendimtarë për arsyen e dështimit, në kontrollin e sistemit të shkarkimit të gazrave të makinave. Mjetet rrugore të regjistruara nga 1 janar 1980 deri më 1 korrik 2008, nuk e kalojnë testin kur treguesit mesatarë të matjeve të gazrave të shkarkimit të motorit janë më të larta se 2.5 m-1, në rastet e motorëve diezel me aspirim normal dhe 3.0 m-1, në rastet e motorëve diezel turbo. Pas datës 1 korrik 2015 deri më 31 dhjetor 2015, norma rritet me 40 për qind. Aktualisht testi është i pa kalueshëm për mjetet e regjistruara pas 1 korrik 2008, kur treguesit mesatarë të matjeve të gazrave të shkarkimit të motorit janë më të larta se 1.5 m-1, ndërkohë me udhëzimin që hyn në fuqi pas tre javësh, norma e lejuar shtohet me 60 për qind. Udhëzimit për normat e reja do të hyjnë në zbatim në tri faza. Faza e parë do të aplikohet nga 1 korrik deri në 31 dhjetor 2015, ku fillon zbatimi i normave të lejuara aktuale zyrtare, plus shtesat respektive, të nivelit të gazrave në testin e kontrollit teknik të detyrueshëm. Automjetet që tejkalojnë këto nivele të elementeve ndotëse nga gazrat, do të marrin rezultat negativ të kontrollit teknik të detyrueshëm. Faza e dytë fillon nga 1 janari deri më 31 qershor 2016, ku do të zbatohen normat e lejuara, përfshirë edhe gjysmën e shtesave respektive, të përcaktuara në udhëzim, të nivelit të gazrave në testin e gazrave në kontrollin teknik të detyrueshëm. Automjetet që nuk plotësojnë këto nivele të elementeve ndotëse nga gazrat, do të marrin rezultat negativ. Ndërkohë faza e tretë dhe përfundimtar fillon me 1 korrik 2016 dhe do të aplikohet zbatimi konkret i normave të lejuara të elementeve ndotëse nga gazrat e automjeteve në përputhje të plotë me direktivën europiane të vitit 2009, që aplikojnë vendet e BE-së.
Sigal