Mijëra besimtarë përkujtojnë Profetin Muhamed a.s.

470
Mijëra qytetarë shqiptarë u bënë pjesë e programit festiv në përkujtim të Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të, organizuar për të 11 vit radhazi nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Fondacioni Kulturor e Arsimor “Sema”. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, duke folur për personalitetin që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e historisë njerëzore, u shpreh se mesazhi që solli Profeti është mesazhi i jetës, i dashurisë dhe i mëshirës.
“Të gjithë profetët u kanë folur popujve të ndryshëm, ndërsa Muhamedi a.s. erdhi si mëshirë për të gjitha botërat. Mesazhi që solli Profeti është mesazhi i jetës, i dashurisë dhe i mëshirës. 
Profeti Muhamed a.s. na mësoi se qëllimi i Islamit është promovimi i paqes, i mirëkuptimit, i drejtësisë, i sigurisë dhe garantimit të dinjitetit njerëzor, duke respektuar në thelb diversitetin njerëzor”, tha z. Bruçaj. 
Kryetari Bruçaj tha më tej se Profeti Muhamed a.s., na mësoi se një mysliman i mirë duhet të jetë gjithnjë i drejtë dhe i qëndrueshëm në fjalët dhe veprat e tij.  Ai duhet të respektojë të gjitha vlerat e shenjta të besimeve te ndryshme fetare, njëlloj siç dëshiron që të tjerët të tregojnë respekt karshi fesë (besimit) dhe vlerave të tij.
Ndërsa kryeministri i vendit  Edi Rama, i pranishëm në këtë aktivitet, vlerësoi figurën e Profetit Muhamed a.s. teksa theksoi se njerëzimi nuk mund të bënte pa të dhe pa mesazhet e tij. Gjithashtu kryeministri Rama, vlerësoi rolin dhe kontributin e Komunitetit Mysliman në këto vite. “Unë e përshëndes dhe si kryeministër, jam krenar për Komunitetin Mysliman shqiptar, një komunitet që në çdo moment ka luajtur një rol emancipues dhe paqëtues për kombin tonë. Një komunitet i cili sot e mbështet plotësisht projektin tonë të ri për ta kthyer shkollën publike në një hapësirë njohëse jo vetëm për shkencat por edhe për fenë. 
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kreu i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili u shpreh se ne kemi një trashëgimi të vyer si ajo që na la Profeti Muhamed. Kur’ani, ilahitë dhe pjesët e zgjedhura poetike të përcjella me mjeshtëri nga emrat e njohur të skenës dhe ekranit, shoqëruan programin në përkujtim të Profetit të Mëshirës. Si zakonisht programi erdhi nën regjinë e Agron Hoxhës dhe udhëheqësit artistik, mjeshtrit të merituar, Kujtim Alia. Pjesë e programit ishte edhe një panair me produkte të ndryshme si ushqime, libra, punime artistike, etj., të ardhurat e të cilit do të shkojnë për familjet në nevojë. Në këtë organizim festiv morën pjesë shkrimtarë, artistë dhe përfaqësues të botës së artit dhe kulturës nga Shqipëria dhe hapësira mbarëshqiptare.
Sigal