‘Migrantët’, kërkohen lehtësime të procedurave ligjore

495
Vala e emigrantëve sa vjen e shtohet kurse autoritetet ende nuk kanë ndonjë strategji të qartë për lehtësimin e qëndrimit të tyre të përkohshëm në Maqedoni. Pavarësisht se ndryshimet ligjore lejojnë që emigrantët të përshkojnë Maqedoninë për tre ditë, duket se ky afat do të jetë shumë më i gjatë për shkak të fluksit të madh, si dhe procedurave të regjistrimit për çdo emigrant në kufi. Nga ana tjetër, ende shumë emigrantë e shkelin rregullin, duke kaluar përmes malit. OJQ-të në ndihmë të emigrantëve, i bëjnë apel shtetit që të krijojë hapësira të tjera ligjore, përfshi edhe kampe dhe kushte elementare, në mënyrë që të lehtësojë sado pak eksodin e emigrantëve, e cili po zgjat më shumë se 3 ditë që lejojnë hapësirat aktuale ligjore.
“Ligji thotë që ata duhet ta lëshojnë Maqedoninë brenda 72 orëve por ata nuk kanë se si ta lëshojnë kufirin pasi vendkalimet zyrtare për ta, janë të ndaluara. Pastaj detyrohen të kalojnë ilegalisht, e ajo rrugë ilegale përmban edhe rreziqe të paparashikueshme. Shpesh ndodh që t’i kthejnë në kufi me fëmijë me gra, me njerëz të sëmurë dhe mbeten këtu në qiell të hapur pa kushte elementare higjienike, ushqimore. Fluksi vjen duke u shtuar çdo ditë, çdo natë këtu i kemi dy trena që zbarkojnë me refugjatë në orën 8 dhe 9 të mbrëmjes, dhe një tren në mëngjes. Të tre trenat janë të stërmbushur me njerëz dhe nganjëherë kanë probleme edhe gjatë udhëtimit. Ka gra shtatzënë njerëz të sëmurë që nuk kanë ajër të mjaftueshëm në tren sepse mbyllen dritaret, kurse temperaturat janë të larta. Vërtetë dikush duhet të merret me këta njerëz sepse kanë probleme të hatashme”, tha Fejzullah Arifi, aktivist .
Arifi thotë se Maqedonia kërcënohet nga një katastrofë humanitare me vendosjen e murit hungarez. Një bllokadë e tillë do e përqendronte valën e emigrantëve, vetëm në Serbi dhe Maqedoni, pavarësisht se një pjesë e tyre, mund të tentojnë edhe Kroacinë.
“Nëse Hungaria e bllokon kalimin për në Evropë atëherë do të kemi problem pasi një numër i madh do të grumbullohet te ne, kuptohet nëse i lëshon Greqia të hyjnë. Nëse kjo ndodh, do të bëhet një katastrofë humanitare, pasi këtu nuk ka kushte elementare për qëndrim më të gjatë. Nuk mund të qëndrojnë më shumë se gjysmë orë”, u shpreh Fejzullah Arifi, aktivist.
U bë një muaj tashmë që nga miratimi i ndryshimeve ligjore për azil, dhe sipas të dhënave, Maqedonia është tranzituar nga afro 17 mijë emigrantë që fillimi i eksodit. Vetëm gjatë fundjavës, MPB-ja dha 2 208 vërtetime për ata emigrantë që shprehën dëshirën për azil.
Sigal