Mielli i biskotave të helmuara shkon në furrat e bukës

1023
Ka gjetur një marifet tjetër mafia shqiptaro-rajonale private dhe shtetërore e miellit dhe grurit kancerogjen e tagji kafshësh, që sjell në Shqipëri si lëndë të parë për bukë e prodhime brumi prej Serbisë e Rusisë edhe prej depove të Maqedonisë, të tej-mbushura me grurë e miell me moshë 40-50 vjeçare, të mykur e me ”Aflatoksinë”, por të spërkatur e të larë me “parfume”. Gazeta “Telegraf”, prej 1 viti ka qenë e para dhe është e vetmja investiguese e denoncuese ndër mediat shqiptare e rajonale, që ka dhënë alarmin për krimin që bëhet kundër popullatës me bukën dhe prodhimet e tjera deri edhe tek ëmbëlsirat, të cilat po vazhdojnë të prodhohen me miell të prodhuar nga grurë kancergjon që duhet groposur, madje edhe nga grurë tagji kafshësh. Segmente dhe krerë të shtetit shqiptar, të lidhur në ortakëri e përfitime me bandat kriminale të “miellit vrasës”, po e lejojnë këtë miell të futet lirshëm në Shqipëri, duke e pajisur në dogana e pika kufitare me dokumente importi e analiza sigurie false, duke i dhënë “viston” që të përdoret prej popullatës si “produkt i garantuar”. 
Skandali/ Mielli importohet për biskota, por përdoret ilegalisht për bukë 
Për të maskuar krimin me miellin “vrasës”, me leje të bosëve të shtetit shqiptar dhe me sy-mbylljen e urdhëruar e të paguar dhe me “bekimin” e institucioneve kontrolluese të sektorit të ushqimit e shëndetit, bosët e tregut kriminal të miellit, po përdorin një marifet tjetër që u sjell fitime të mëdha në dëm të shëndetit të shqiptarëve. Gazeta “Telegraf”, në vijim të investigimit të saj në lidhje me këtë krim masiv ushqimor, zbuloi skandalin e radhës në biznesin e miellit e bukës në Shqipëri, të lejuar totalisht nga shteti… Skandali ka lidhje me faktin, që bosët shqiptarë e rajonalë të miellit e grurit kancerogjen, që lejohet të përdoret vetëm në Shqipëri, me letra importojnë miell prodhim serb e rus, për prodhim biskotash. Ky miell, lejohet të futet në Shqipëri me përmbajtje 9% proteinë dhe duhet të përdoret vetëm për prodhim biskotash e për asnjë produkt tjetër brumi. Por çfarë ndodh realisht me këtë miell? Gazeta “Telegraf”, zbuloi faktin që mielli serb-rus e madje edhe kancerogjen e tagji kafshësh i importuar vetëm për biskota, po përdoret për bukë! Standardi që ka mielli i importuar për biskotat është (siç thonë letrat) me përmbajtje 9% proteinë! Ndërsa mielli që përdoret për prodhim buke, duhet të ketë përmbajtje 12% proteinë. Por ja që me miellin e biskotave, vazhdon të prodhohet bukë! Ky skandal dihet, është konstatuar nga letrat e prodhuesve të biskotave e bukës dhe po lejohet nga shteti shqiptar, duke mos e bllokuar këtë informalitet e krim ushqimor të hapur! 
Prodhimi i biskotave në Shqipëri “ha” 2 mijë ton miell në vit, por me letra importohen 25 mijë ton!
Skandalin e miellit që futet në Shqipëri për prodhim biskotash dhe që faktikisht përdoret për prodhim bukë masive, pa asnjë vështirësi e provojnë “letrat” e sasisë vjetore të miellit për biskota që futet në Shqipëri nga importi dhe sasisë vjetore të këtij mielli, që përdoret faktikisht nga 4 linjat që prodhojnë biskota në Shqipëri. Konkretisht, në Shqipëri futen nga importi 25 mijë ton miell vetëm për prodhim biskotash, i ndaluar të përdoret për prodhime të tjera brumi. Këto 25 mijë ton miell serb-rus e maqedonas, me “letra” doganore e analitike figurojnë vetëm për prodhim biskotash dhe me këtë “emërtesë e certifikim cilësor” bëhen hyrje nga prodhuesit e biskotave, sikur janë furnizuar me 25 mijë tonë miell. Por gjithçka është procedurë letrash false, që “gatuhen” me mashtrim zyrtar ga zyrtarët e shtetit urdhërues e kontrollues, në favor të bosëve të miellit ilegal e kancerogjen, natyrisht duke u “lëpirë” për firmat e vulat që vendosin mbi letrat false. Çfarë ndodh? Sipas kapaciteteve teknologjike të linjave prodhuese të biskotave dhe sipas evidencave e bilanceve vjetore të deklarimit të prodhimit vjetor të tyre, rezulton se të 4 linjat e prodhimit të biskotave që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, “hanë” së bashku afro 2 mijë ton miell në vit! Po 23 mijë tonë miell me përmbajtje 9% proteinë i importuar me etiketë “Për biskota”, ku shkon, ku përdoret, si lejohet të përdoret, kush e lejon? Burime nga “sirtarët” sekret e konfidencialë të AKU, na konfirmuan se kjo sasi mielli që vjen për biskota, përfundon në furrat e bukës, madje edhe “me letra të rregullta” sikur është me 12% proteinë! Kush e lejon? Natyrishtr ata që kanë në dorë “llozin e portës” së kontrollit të importit dhe përdorimit të miellit, sipas destinacionit të prodhimit të produkteve për të cilët është importuar e certifikuar si standard! Ky skandal me miellin e biskotave që po përdoret për bukë, nuk mbaron me kaq. Loja e përdorjes së miellit të biskotave, për prodhim buke, ka një “mekanizëm” tjetër që “gatuan dhe pjek” letrat e false të furnizimit të prodhimit të fabrikave të biskotave, të përfshirë në këtë lojë biznesi të pisët me rrezik jetën e popullatës e abuzim ligjor dhe krim ekonomik, skenar të cilin gazeta “Telegraf” do ta zbardh e do ta publikoj të plotë. 
Sigal