Mielli dhe vaji serb, “kulaç” për votat e Qeshorit

554
Lindita MALO

Miell serb dhe vaj bullgar për fushatën e 18 qershorit 2017, ekipe furnitorësh për çdo zonë
“Projekti” ka nisur në janar 2017, me 2 firma shqiptare që do bëjnë importin, janë barë gati disa depo në periferi të qytetit
Këto produkte ushqimore të cilat nuk do të jenë të vetmet që do të përdoren për të mbledhur vota nga hallexhinjtë, do t’u jepen mijëra familjeve, të cilat jetojnë nën minimumin jetik, tashmë janë marrë të gjithë masat e realizimit të këtij aksioni, janë përcaktuar automjetet, grupet dhe shoqëruesit që do t’i shpërndajnë në çdo zonë
Një ndër “aksesorët” shumë të rëndësishëm të kësaj fushate do të jetë padyshim edhe përqendrimi dhe pastaj ndarja sipas “meritës” e vlerave monetare dhe materiale nga shtabet elektorale. Qindra ton miell serb dhe vaj ardhur nga Bullgaria, po mbushin ditët e fundit magazinat në periferinë e Elbasanit, (dhe mjaft qyteteve të tjera) të cilat do të përdoren nga personat e caktuar nga shtabet elektorale për ti ndarë në “popull”. Burime tepër të besueshme i thanë “Telegraf”, se “qysh në muajin janar 2017 janë lidhur kontratat nga dy firma shqiptare me dy kompani serbe të tregtimit të miellit, dhe një kompani bullgare vaji ushqimor, ndërsa ka nisur ardhja e sasisë të parë të mallit, duke u sistemuar në disa depo në periferinë e qytetit. E njëjta gjë po ndodh në Cërrik, Belsh, Gramsh dhe Peqin, ku “Rilindja” ka vendosur që veç mënyrës së vjetër (parave) tu ndajë edhe miell serb dhe vaj bullgar “votuesve” të saj. Padyshim që do të duhen sasi të jashtëzakonshme, derisa të arrijë synimin e saj për të rimarrë edhe në 18 qershor 2017, siç thotë kryeministri Rama “1 milion shuplakat” e tjera. Por le të kthehemi tek depot me miell serb dhe vaj ushqimor bullgar. I njëjti burim tha se “malli që po vjen, nuk ka atë rregullsi ligjore siç e kanë mallrat e tjera që vijnë nga këto shtete, vetëm se thuhet “miell serb dhe vaj bullgar”, pa shoqëruar nga dokumentacion zyrtar apo fletë-analize, dhe me etiketa të dyshimta. Kjo do të thotë se gjithë sasia e miellit, vajit dhe ndonjë tjetër produkt ushqimor, do t’u ndahet mijëra familjeve, të cilat jetojnë nën minimumin jetik, ata që jetojnë me 150 lekë në ditë, dhe thesi i miellit serb dhe bidonët e vajit bullgar, do t’u duken pasuria më e madhe. “Rilindja” ka pajtuar madje edhe një tabor me automjete; si furgonë, kamionë etj, të cilat, sapo të njoftohen do të jenë të gatshëm të nisen drejt destinacioneve të fushatës, të shoqëruar nga persona të besueshëm. 
Selitë e “Rilindjes” në qarkun e Elbasanit, janë kthyer në zyra punësimi me premtime të shumta
Paralelisht me mbushjen e depove me “zairetë e fushatës”, ka disa javë që selitë e “Rilindjes” në qarkun e Elbasanit, janë kthyer në “Zyra Punësimi”. Kjo duket tek zhvendosja e krejt aktivitetit zyrtar dhe institucional të drejtuesve, duke i kthyer selitë mavi në zyra pritje për hallexhinjtë, militantët e harruar, fukarenjtë, etj. Një militant socialist që dikur ka punuar në uzinën Kurum dhe sot është i papunë u shpreh i indinjuar tek pyetet për mundësinë e gjetjes së ndonjë vendi pune me afrimin e fushatës. Ai tha se “tani u kujtuan për vende pune milionerët e “Rilindjes”, tani kur ne u katandisëm si mos më keq, por duket se u ka ardhur vakti të marrin votat tona, mashtrojnë me miell, vaj dhe gjoja vende pune, por nuk u besojmë edhe sikur të mbetemi pa bukën e gojës”. Por e habitshme mbetet diçka tjetër. Tek selia e “Rilindjes” kanë nisur të afrohen përkrahësit e PDIU, ndoshta po joshen nga mielli serb dhe vaji bullgar, apo gjetja e ndonjë vendi pune para fushate. Dhe e vërteta është se militantët dhe elektorati çam, po shihen me një sy tjetër edhe nga selitë e “Rilindjes”, të paktën në Elbasan. Ata madje kanë kapur deri sot mbi 18 vende “të mira” pune, drejtori dhe zyra institucionesh, duke reklamuar dhe propaganduar me të madhe se “ne do të jemi bashkëqeverisësit e Ramës pas 18 qershorit”. Por në rast se do të jetë kështu, “Rilindjes” do t’i duhet të lidhë më shumë kontrata për miell serb dhe vaj bullgar, sepse pjesë e saj në fushatë, do të jenë edhe të paktën 45 mijë familje çame, që banojnë në Elbasan, Cërrik, Peqin. 

“Rilindja”, porosi bashkive të saj: Caktoni si qendra votimi, vende të besuara
Burime brenda kupolës drejtuese të “rilindjes”, bëjnë me dije se gjithë kryetarëve të bashkive që drejtohen nga “rilindës”, u është dërguar porosi konfidenciale, në lidhje me caktimin e qendrave të votimeve e numërime,. Porosia e dhënë, faktikisht është dhënë si “urdhër”, të cilin, krerët e bashkive duhet ta zbatojnë sa më shpejt, duke bashkëpunuar po në “ilegalitet” edhe me Kreun e KQZ, Zotin Biba, I cili po kështu si “besnik” i emëruar në atë detyrë po nga “Rilindja:, ka marrë gjithashtu urdhrin që të miratoj çdo propozim që do të bëjnë bashkitë që drejtohen nga PS, lidhur me vendet që do jenë qendra votimi, zyra komisionerësh, e qendra numërimi. Burimet thonë, se në adresë të kreut të KQZ, kanë nisur të shkojnë propozimet e para zyrtare, të cilat janë bërë të ditura për koordinatorët e PS në rrethe e qarqe, për kupolën e PS dhe për kreun e KQZ, më parë se të dërgoheshin zyrtarisht. 
Sigal