Mid’hat Frashëri dhe kombi shqiptar

678
Sigal

Harallamb Kota, Studiues

Ceremonia Shtetërore e përcjelljes së eshtrave në Banesën e Fundit

Më 14 Nëntor, të motit 2018, në aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës mbërritën eshtrat e Mid’hat Frashërit. Homazhet publike u kryen në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave nga ora 9:00 deri në orën 11:30, ndërsa ceremonia shtetërore e përcjelljes së eshtrave në banesën e fundit u organizuan në “Memorialin e Vëllezërve Frashëri” në kodrat e Liqenit të Tiranës. Për të respektuar figurën e Mid’hat Frashërit dhe prehjen e  birit të shqiptarizmës në tokën arbërore, ishte i pranishëm kryeministri Rama, drejtori i Institutit “Lumo Skëndo”, dr.Uran Butka, përfaqësues të komuniteteve fetare, të përfaqësive diplomatike, anëtar të qeverisë, familjarët e të ndjerit, të afërm, miq e trashëgimtarët e shokëve të tij. Fjalën e rastit e mbajti akademik Plasari dhe pas tij kryeministri Rama. Arkëmorti u shoqërua nga truprojat e gardës dhe u përcoll në banesën e fundit pas lutjeve shpirtërore nga Baba Edmond Dede Brahimaj. Duke qenë i pranishëm në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të një shqiptari nga dera e ndritur e frashërllinjve, djalit të Abdyl Frashërit dhe nipit të Naimit e Samiut, u ndjeva tepër i emocionuar. Ishte emocionuese dhe rrëqethëse, zhvarrimi nga toka amerikane dhe rivarrimi në tokën shqiptare, në atdheun që e kishte dashur aq shumë. Dëshira e Mid’hatit që pas vdekjes të prehej në tokën amtare u përmbush falë zakonit të shqiptarit “Amanetin nuk e tret dheu” dhe përkushtimit të misionarit të ndritur të çështjes shqiptare dr.Uran Butka.

Ky gjest njerëzor e human, që synon të lidhë urat e shembura midis formacioneve të ndryshme ideologjike, politike e klasore, u trajtua në dy këndvështrime.  Ndërsa shtypi i shkruar, mediat, opinionistët dhe publiku u përfshinë në debate pa fund, ku secili sikur të ishte “dishepulli i problemit” impononte mendimin e tij, formacionet e majta shprehën kundërshtimin e tyre për vlerësimin e figurës së Mid’hat Frashërit. Mendoj se e gjithë kjo “kakofoni” shterp dhe pa taban kombëtar, ndezi sheret e vjetra midis “Frontit Nacionalçlirimtar” dhe “Ballit Kombëtar”, midis  botëkuptimit shterues komunist dhe atij pluralist perëndimor. Bëhet pyetja: Mid’hat Frashëri u nderua si kryetar i Ballit Kombëtar apo si kontributor i madh i letrave shqipe? Akademiku Plasari dhe kryeministri Rama, theksuan në fjalën e tyre nderimin për Mid’hat Frashërin apo Lumo Skëndon, kryetari i Kongresit të Manastirit, që mbështeti njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe shkrimin e sajë me germa latine, kontributorin e madh në fushën e albanologjisë, firmëtarin e shpalljes së Pavarësisë, ministrin e qeverisë së Vlorës, kundërshtarin e rreptë të ideologjisë komuniste dhe të rrezikut sllavo-komunist për Shqipërinë.  Duhet theksuar fort, me synimin për ta shtjelluar qartësisht qëndrimin e dyzuar karshi personalitetit historik të Mid’hat Frashërit, të shprehur nga formacionet kundërshtare ideologjike.  Mid’hat Frashëri ishte ideolog, historian dhe personalitet politik. Parimisht, ai  ishte kundër sistemeve diktatoriale dhe e donte shtetin shqiptar “Republikë Parlamentare” me një kryesonjës që “të kishte fuqinë e një milingone”. Kësaj ideje dhe këtij koncepti, Mid’hat Frashëri ia kushtoi të gjithë jetën dhe pasurinë e tij.

Bëhet pyetja: A ka gabuar historikisht Mid’hat Frashëri në krye të Ballit Kombëtar,  ka bashkëpunuar me nazistët gjerman dhe a i ka lyer duart me gjakun e partizanëve shqiptar ? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve duhet që historiografia jonë të zhvishet nga mbështjelljet ideologjike, politike dhe hakmarrjet primitive. Akademik Plasari në fjalën e tij, solli risi të reja. Sipas tij, Mid’hat Frashëri nuk ka bashkëpunuar me okupatorin dhe nuk ka urdhëruar për vrasje e pushkatime të partizanëve. Sidoqoftë kësaj risie, kundërshtarët e tij politik, komunistët shqiptar, e akuzojnë dhe e quajnë tradhtar. Bëhet pyetja: A është tradhtar Mid’hat Frashëri? Le ta trajtojmë termin tradhtar në kuptimin historik, ideologjik dhe politik. Në artikullin tim me temë:“Kush është armiku?”, botuar në gazetën “Telegraf”, kam trajtuar personalitetet më të spikatura të kombit shqiptar dhe platformat e tyre shtetformuese e qeverisëse.  Dua të theksoj, se të gjitha grupimet politike të krijuara pas vitit 1920, kanë synuar pushtetin politik dhe arritjen e tij nëpërmjet zgjedhjeve të deformuara apo nëpërmjet kryengritjeve të armatosura. Gjyqet politike të diktuara nga palët fituese, i kanë etiketuar armiq kundërshtarët e tyre, duke i dënuar me vdekje, me burgime dhe dëbime nga Shqipëria. Kështu vepruan edhe komunistët me ardhjen në pushtet, duke i dënuar me vdekje, me burgime dhe me internime kundërshtarët e tyre politik. Goditjen e parë qeveria projugosllave e Enver Hoxhës, e drejtoi kundër dy eksponentëve më të spikatur antikomunist dhe antijugosllav, (që kishin paralajmëruar rrezikun sllavo-komunist ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar), kryeministrit Koço Kota, i cili vdiq në shtator të vitit 1947 nga torturat çnjerëzore në burgun e Burrelit dhe kryetarit të ballit Kombëtar Mid’hat Frashëri që vdiq në mënyrë misterioze në fundin e vitit 1949, në Amerikë. Pas kësaj, historia e drejtimit të shtetit shqiptar nga komunistët e Enver Hoxhës, është më barbare se ajo që përjetoi sa ishte gjallë Mid’hat Frashëri. Ideologjia komuniste u distancua dukshëm nga platforma shtetformuese e Rilindjes Kombëtare “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, duke e zëvendësuar unitetin kombëtar me internacionalizmin proletar. Krerët komunist “hëngrën edhe kokat e njeri tjetrit” duke i etiketuar “kokat e prera” armiq e tradhtar të partisë, të popullit e të atdheut. Mendoj se “prerja e kokave” dhe e etiketimeve boshe sipas standardeve që i takojnë atyre periudhave historike, duhet të mos përsëriten më nga klasa politike e sotme. Njerëzit e ditur duhet ta udhëheqin popullin shqiptar drejt standardeve të publikuara dhe ligjeve të sanksionuara nga shoqëritë pluraliste dhe shtetet demokratike euro-amerikane.

Në një sistem pluralist, të cilin e ka pranuar edhe Shqipëria, nuk ka vend për luftëra antagoniste, por janë të pranueshme qëndrimet ideologjike dhe organizimet e ndryshme politike, të cilat militojnë për unitetin  e kombit dhe forcimin  e shtetit shqiptar.

Në këtë këndvështrim, mendoj se formacionet politike që kundërshtojnë pluralizmin politik dhe shtetin demokratik, janë në kundërshtim me parimet kushtetuese të shtetit shqiptar dhe duhet të shpallen të jashtëligjshme. Historia e shpalljes së shqiptarëve armiq, lidhur me bindjet e tyre ideologjike e politike, duhet të mos përsëritet. Armik quhet çdo person që është kundërshtar i kombit dhe i atdheut të tij. Mit’hat Frashëri ka punuar dhe ka milituar vetëm për kombin dhe atdheun e tij për Shqipërinë Natyrale.  Rivarrimi i eshtrave në tokën amë, ishte një obligim dhe një borxh që shqiptarët duhet t’ia shlyenin.

Bëhet pyetja: A duhej rivarrosur arkëmorti i Mid’hat Frashërit në “Memorialin e Frashërllinjve”? Pyetja është tepër e mprehtë dhe përgjigja e vështirë pasi kemi përballë një opinion tepër të dyzuar. Duke menduar të mos jem indiferent, por aktiv në këtë qasje të vështirë, po shpreh edhe unë mendimet e mia. Në historinë shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi kanë dhënë jetën shumë luftëtarë dhe kapedan të “çetave patriotike”, nga të cilët disa janë kallur në dhè dhe shumë të tjerë që nuk dihet se ku prehen pasi nuk kanë varr. Si ndjehemi para kësaj situate ?  Pushteti komunist organizoi “Memorialin  Nëna Shqipëri” ku u varrosën vetëm partizanët të rënë në “Luftën Nacional Çlirimtare”. Partizanët u quajtën dëshmorë të atdheut, ndërsa kundërshtarët e tyre politikë, ballistët, legalistët apo nacionalistët edhe këta të vrarë në luftimet me pushtuesit nazifashistë nuk u quajtën dëshmorë dhe nuk u lejuan të varroseshin në këtë Memorial. Ironi e asaj kohe! Bëhet pyetja: Po të rënët në kryengritjet popullore për liri e pavarësi, a konsiderohen “dëshmorë të atdheut e të kombit shqiptar”?! Ku prehen?! Kanë varr apo janë pa varr?! Po, ideatorët e “Rilindjes Kombëtare”, udhëheqësit  e “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” dhe drejtuesit politik të shtetit shqiptar në vitet 1912-1939, çfarë statusi kanë dhe ku prehen?! Kanë varr apo janë pa varr?!  Botëkuptimi komunist i luftës së klasave është i papranueshëm në një shoqëri “Pluraliste Demokratike”. Ky botëkuptim krijoi precedentët e varrimeve, zhvarrimeve dhe rivarrimeve. Mendoj se shteti shqiptar dhe qeveria e kryeministrit Rama, duhet të mendoj lidhur me një “Memorial Kombëtar” ku të shkruhen emrat e të rënëve në luftën për liri e pavarësi, të udhëheqësve të “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” dhe drejtuesit politikë të shtetit shqiptar në vitet 1912-1939. Pasaktësitë në Ligjin mbi “Statusin Dëshmor” dhe mbi të drejtën legjitime për tu prehur në “Memorialin Nëna Shqipëri”, ka sjellë çoroditje dhe gabime themelore. Bëhet Pyetja: Në mungesën e një “Memoriali Kombëtar” ku duhej të rivarroseshin eshtrat e idealistit me parime oksidentale – republikane Mid’hat Frashëri? Organizimi i ceremonisë mortore nga qeveria shqiptare, tregoi emancipimin e saj, të klasës politike dhe të shtresave të ndryshme shoqërore të popullit shqiptar.

Rivlerësimi i personalitetit të Mid’hat Frashërit, nuk ia ul vlerat Luftës Nacional – Çlirimtare dhe partizanëve të rënë në luftimet me pushtuesit nazifashistë. Përkundrazi rivlerëson vlerat njerëzore dhe parimet shtet-formuese të popullit tonë të udhëhequr nga platforma e Rilindjes Kombëtare “pa dallim feje, krahine dhe ideje”.