Mhill Doda, 44 vjet të jetës së tij i ka ndarë me brezin e ri të Mirditës

580
Sigal

Profesori i Edukimit Fizik të Shkollës së Mesme Rrëshen, Mhill Doda, 65 vjeç, këto ditë është ndarë nga puna e tij e përditshme që ushtronte prej 44 vitesh. Janë të panumërt ata nxënës, aktual dhe ndër vite që kanë kaluar nga dora e tij. Kanë kaluar 44 vjet nga ajo kohë e hershme që djali nga Mirdita Mhill Doda, mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” Tiranë, ku u diplomua me rezultate të larta, duke u radhitur i pari dhe i vetmi kuadër i lartë në këtë fushë në Mirditë. I vetmi profesor me Arsim të lartë që kishte Shkolla e Mesme “ Bardhok Biba” Rrëshen. Mbetet i veçantë ndoshta i vetmi rast, që Mhilli e filloi ditën e parë të karrierës së tij po në atë shkollë, ku ai kishte mbaruar arsimin e mesëm. Është e rrallë, që fati e ka privilegjuar që në një ditë ka patur 3 raste, 7 Marsin, festën e mësuesit, 65 -vjetorin e lindjes dhe daljen e tij në pension, ku të treja janë festuar në mes kolegëve të shkollës së mesme, kolektiv që mori iniciativën të kthejë në jetë një nga traditat më të shkëlqyera të kohës, e cila është lënë në harresë dhe që vazhdon ende të mbetët e tillë për shumë punonjës të Institucioneve Mirditë. Mesa duket, kështu duhet të jetë dhe kështu pohon për gazetën Marie Brozi, Drejtore e Shkollës së Mesme, “se ky aktivitet nuk është i rastësishëm, por 65- vjetori, datëlindja e kolegut tonë dhe dalja në pension e tij ka qenë e planizuar dhe e mirë organizuar dhe çdo gjë e detajuar mirë në bashkëpunim dhe me Drejtorin e Arsimit në Mirditë, z. Gëzim Kaçorri, të cilët flakën tej atë tabu të rëndomtë që ka 20 vjet që nuk organizohen, veprimtari të tilla që ka shoqëruar mjaft punonjës e kuadro të çdo niveli e kategorie të ndryshme në të gjitha institucionet e Rrethit Mirditë, kjo ka qenë dhe pjesë e arsimit që janë mjaftuar vetëm duke i’u dhënë 2 paga mujore”. Duke e përfunduar dëshminë e saj Drejtorja e Shkollës së Mesme deklaroi se, “Në arsimin e Mirditës, nuk do ketë gjasa më që të përsëritet e të bëhet siç bënë paraardhësit tanë”. Në qoftë se do t’i rikthehemi 44 vite më parë do të shohim një Mhill të shkathët, plot dinamizëm, optimist dhe vullnet të fuqishëm, por në vitin e 44 të punës së tij shihet gjithnjë i freskët edhe se këto dite, mosha 65- vjeçare e ka ndaluar për të dhënë atë kontribut që dha për 44 vjet të jetës së tij për edukimin fizik të brezit të ri. Dosja e tij është e mbushur plot me punë aktive, sakrifica dhe ndryshime familjare. Në vitin 1973 është emëruar Kryetar i Komitetit të Fizkulturës së Rrethit dhe për aq kohë sa qëndroi, krijoi terrene sportive dhe fusha volejbolli, organizoi aktivitete të ndryshme si dhe lojëra sportive, gara atletike, tërheqje litari dhe plot aktivitete të tjera. Po në këtë vit së bashku me punonjësin e arsimit Haki Halili realizuan idenë e krijimit të ekipit të volejbollit “Minatori”, skuadër që ka arritur deri në ditët e sotme dhe ka dalë dy herë Kampione e Shqipërisë. Në vitin 1979, Mhilli ka kaluar ushtarak me detyrën e Instruktorit të Shkollës së Lirë në Kurbnësh dhe aty qëndroi deri në vitin 1985 dhe nga ky vit deri në 1989, ka kryer detyrën e Instruktorit të shkollave të mesme për përgatitjen ushtarake. Në vitin 1992 reforma në ushtri e nxori jashtë radhëve të saj dhe pas një pauze deri në vitin 1996 ku filloj punë si Mësues në fshatin e tij të lindjes. Në vitin 1998 është emëruar Sekretar klubi në Bashkinë Rrëshen. Deri në ditën e daljes së tij në pension ka punuar në shkollën e mesme të Rrëshenit, si mësues i Edukimit Fizik e me 7 Mars në moshën 65- vjeçare ka mbyllur karrierën e tij përfundimisht. Drejtorja e shkollës së mesme organizoi një aktivitet me rastin e daljes së tij në pension. Profesori Mhill Doda, pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, Drejtorinë Arsimore dhe drejtorinë e shkollës për organizimin e këtij aktiviteti, ai tha se, “kjo nuk është dita e fundit dhe në çdo festë do jem prezent dhe i gatshëm kudo që ju do keni nevoje”. Pas një dreke të këndshme që zgjati deri vonë u mbyll ky aktivitet.