Meta: Vlerat e trashëguara të na udhëheqin për një të ardhme sa më të ndritur

603
Presidenti i Republikës Ilir Meta në 75-vjetorin e Çlirimit të Skraparit. “Nderim dhe përulje për ata që dhanë jetën për këtë vend” 
SKRAPAR – Presidenti i Republikës Ilir Meta ishte dje në qytetin e Skraparit, ku ka marrë pjesë në festimet e kryera me rastin e ditës së çlirimit të qytetit dhe të krejt trevës të Skraparit. I shoqëruar nga Kryetari I Bashkisë Skrapar Nesim Spahiu dhe deputeti i LSI-së në këtë qark, Nasip Naço, dhe ai i PS-së Fidel Ylli si dhe nga pushtetarë lokalë, Meta nderoi të rënët e kësaj treve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, duke u përkulur përpara atyre që dhanë jetën në çlirimin e Skraparit dhe të gjithë vendit tonë. Pas vendosjes të kurorave e buqetave me lule në Varrezat e Dëshmorëve, Ilir Meta së bashku me të pranishmit vizitoi më pas Muzeun Historik të qytetit,ku pa nga afër historikun e luftës së bërë nga brigadat partizane të Skraparit që luftuan kundër okupatorit nazi-fashist deri në çlirimin e atdheut. Më pas në sheshin qendror të qytetit,ku e prisnin qindra skrapalinj, Meta uroi banorët për festën, duke u shprehur në fjalën e tij se,vlerat e padiskutueshme që trashëgojmë duhet të na udhëheqin gjithmonë për një ardhme sa më të ndritur.

Presidenti Ilir Meta – “5 Shtatori është një ngjarje e shënuar jo vetëm për popullin e Skraparit por është nje ngjarje e shënuar edhe për luftën Nacional – Çlirimtare, LANÇ. Çlirimi i Skraparit dha një mesazh shprese për çlirimin e gjithë vendit pasi ndodhi pak ditë para mbledhjes së Konferencës së Pezës. 5 Shtatori është një ngjarje e rëndësishme, pasi i dha një shkëndijë të fortë shpresës dhe besimit se vendi mund të çlirohej. Skrapari i dha çlirimit të vendit 2000 partizanë e partizane dhe mbi 300 dëshmorë. Këtu u zhvilluan disa nga betejat më heroike dhe më të përgjakshme të LANÇ, siç ishte lufta e përgjakshme e Brigadës së Parë Sulmuese dhe shumë beteja të tjera. Në Skraparin e çliruar u mbajt edhe Kongresi i Parë i Rinisë Antifashiste Shqiptare. Sot përulemi me nderim dhe respekt para të rënëve në luftë dhe japim mesazhin se duhet të jemi të gjithë të bashkuar rreth vlerave të LAN Ç, duhet të përulemi me nderim para atyre që dhanë jetën, duhet të tregojmë respekt për veteranët e invalidët e Luftës dhe këto tradita duhet t’i përcjellim tek brezat në vazhdim, sepse janë vlera të pavdekshme. Këto vlera duhet të na udhëheqin gjithmonë për një të ardhme sa më të ndritur”- është shprehur Meta në fjalën e tij.

Kur edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e vitit të ri shkollor, Presidenti Ilir Meta nuk ka lënë pa uruar edhe nxënësit e Skraparit. “Suksese të gjithë nxënësve të Skraparit në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit, të cilëve Iu them që së bashku me mësimet të punojnë për të kultivuar tek ata, nxënësit – dashurinë për këta dëshmorë të qytetit të Skraparit që dhanë jetën për lirinë e këtij qyteti dhe të gjithë vendit, pasi Skrapari dhe Berati kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm ne LANÇ”- tha Meta para të pranishmëve në Festën Çlirimit.
Kryetari veteranëve të Skraparit Enver Naska – Në emër të veteranëve përshëndeti Kryetari i tyre Enver Naska – Jemi këtu në këtë 75-vjetor jubilar, jo vetëm për nga data, por dhe për nga rëndësia që mori në momentin e çlirimit treva e Skraparit si qyteti i parë në botën mbarë të përfshirë nga lufta nazi–fashiste ku mes të tjerash, partizanët trima dhe legjendarë të Skraparit dhe të krejt Shqipërisë i treguan botës mbarë se lufta vetëmohuese dhe ideali për të cilën luftonin sollën liri. Jehona e çlirimit të Skraparit u përhap në botën mbarë nga radio Londra. Në vijim të fjalës së tij kreu i veteranëve të Skraparit tha se këta të fundit tashëm janë brezi të cilëve duhet dhe meritojnë të kenë një përkujdesje të vakant. Së bashku sot ne u përulemi dhe ende vazhdojmë të punojmë për të plotësuar idealin e tyre dhe kjo na obligon që t’ju përulemi me nderim të rënëve të Luftës.
Nesim Spahiu kryetari i bashkisë Skrapar mes të tjerash në fjalën e tij citoj – Më lejoni që t’ju sjell përshëndetjet më të përzemërta, duke ju uruar mirëseardhjen, gëzuar festën e 5 shtatorit, 75-vjetorin e çlirimit të Skraparit. Festa sot është e veçantë, pasi për të festuar bashkë me ne është i pranishëm Presidenti i Republikës Ilir Meta. Skrapari është ndër krahinat e para, e cila ju bashkua thirrjes për liri, duke dhënë një kontribut të çmuar në çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Ne sot, me krenari dhe përulësi përkujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e jashtëzakonshme të dëshmoreve, të ish-partizanëve, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për të na ofruar një të ardhme më të mirë. 5 shtatori i vitit 1942, është një datë e shënuar për Skraparin, pasi në këtë ditë ne nderojmë bijtë dhe bijat e Skraparit, të gjithë ata që morën pjesë dhe u përfshinë në çlirimin e tij. Ky është një moment reflektimi për të gjithë ne , që shembulli i të gjithë atyre që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit, të ndiqet dhe të shërbejë si frymëzim për brezat e ardhshëm.

Përkujtimi i ngjarjeve të Luftës Nacional- Çlirimtare, mirëmbajtja e objekteve dhe simboleve të saj, është jo vetëm një detyrim institucional por dhe një detyrim moral për bashkinë, pasi ato janë pjesë e memories historike, lokale dhe kombëtare. Prandaj, në këtë 75 -vjetor të çlirimit, Bashkia me fondet e saj rikonstruktoi varrezat e dëshmoreve si dhe Muzeun Historik të Rrethit. Lufta Nacional-Çlirimtare është dhe do te mbetet gjithmonë, një nga kapitujt më të rëndësishëm, të historisë sonë kombëtare dhe natyrshëm Skrapari,k a vendin e vet të nderuar në të, si një nga kontribuesit më të mëdhenj të saj. Ne do të vazhdojmë traditën, në përkujtimin e Luftës Nacional-Çlirimtare, ngjarjeve dhe momenteve kulminante të saj, me qëllim që ato, te mos zbehen por të transmetohen ndër breza. Lavdi Jetës dhe Veprës së Dëshmorëve! Mirënjohje për të gjithë ata që luftuan dhe morën pjesë në Çlirimin e Skraparit! Rroftë Festa e 5 Shtatorit!
Sigal