Meta: Vetëdije, pjekuri e përgjegjshmëri për zhvillimin e Kosovës

671
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në ceremonitë shtetërore të organizuara në Prishtinë, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Presidenti Meta ishte i pranishëm në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në ceremoninë e paradës së Forcave të Sigurisë së Kosovës, si edhe në pritjen e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. Me ftesë të homologut të tij Hashim Thaçi, Meta mori pjesë edhe në koncertin festiv të organizuar me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë, Presidenti Meta pati takime të shumta me personalitete politike shqiptare e ndërkombëtare. “Në këtë dekadë të parë si shtet i pavarur dhe sovran, ndajmë me ju krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në të gjithë elementët shtet-ndërtues dhe të përfaqësimit të saj dinjitoz në botë. Jam gjithashtu i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë”, u shpreh Meta në një mesazh urimi. Ai shprehu “bindjen e thellë se, vetëdija, pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë shtetërore që karakterizon institucionet dhe popullin e Kosovës do të mundësojnë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar”.
Sigal