Meta: Vendimi na lehtëson nga dhimbja që shkakton padrejtësia

529
Sigurisht që sot dukej sikur do të ishte një ditë rutinë, besoj se edhe shumë prej jush kanë patur atë ndjesinë që edhe unë pata, sikur papritur ishim në stadium dhe pamë të tundet rrjeta si përpara 30 vitesh kur Sokol Kushta ngriti gjithë shqiptarët kudo që ishin në këmbë nga kënaqësia. Dhe padyshim që ky vendim jo vetëm që na jep një gëzim të jashtëzakonshëm, por në radhë të parë na lehtëson nga dhimbja që shkakton padrejtësia, e vetmja gjë që shkakton edhe politika dhe urrejtja kur ndërhyn në sport, ndërhyn në futboll, ndërhyn në fushën e futbollit, ashtu sikurse ndodhi në ndeshjen në Beograd të Kombëtares sonë.
Dhe sigurisht me këtë rast unë do të doja të uroja gjithë ekipin tonë Kombëtar. Presidentit të FSHF-së, Duka ia kam bërë këtë urim më parë. Dua të uroj gjithë shqiptarët kudo ku janë, sepse të gjithë ndihen të lumtur, të lehtësuar, të gëzuar, jo thjesht për tre pikët, por në radhë të parë për vendosjen e drejtësisë për triumfin e sportit mbi politikën dhe urrejtjen që ajo shpesh përçon në vendet tona dhe në rajonin tonë.
Dhe natyrisht që do të doja të uroja në mënyrë të veçantë familjarët e futbollistëve tanë, sepse të gjithë kanë përjetuar me shqetësime e dhimbje provokimin e dhunën ndaj tyre, sikurse të ishin pjesëtarë të familjes së çdo shqiptari, por absolutisht jam i bindur se familjarët e tyre kanë fituar edhe më shumë. Padyshim, trajnerin tonë shqiptaro-italianin De Biazi, i cili besoj se ndihet edhe më shqiptar pas këtyre tre pikëve të fituara dhe një urim të veçantë e kam për Federatën Shqiptare të Futbollit, të cilën një pjesë e jona edhe mund ta kenë paragjykuar, këtu kam parasysh edhe një pjesë të medias, që me shumë qetësi, me shumë këmbëngulje, me shumë vendosmëri dhe me shumë profesionalizëm, nuk humbi asnjëherë besimin te drejtësia, pavarësisht nga vendimi i padrejtë më parë që u mor dhe arriti të çojë provat e duhura të domosdoshme për të dhënë një shembull të shkëlqyer, ku merr fund ai oportunizmi absurd dhe ku fiton drejtësia në sport dhe ku fiton sporti mbi politikën dhe mbi urrejtjen.
Pyetje nga gazetarët
Z. Meta, ndërkohë që ka fituar drejtësia në sport dhe ka folur drejtësia evropiane presim që të flas drejtësia shqiptare. A e ka nisur konsultimin me kryetarët e grupeve parlamentare për reformën në drejtësi. Kemi dëgjuar Kryeministrin që brenda vjeshtës do të përfundojë kjo reformë dhe kur do të mblidhet konferenca e kryetarëve për të filluar kjo reformë?
Kjo reformë ka filluar, puna ka filluar, ju jeni në dijeni. Jeni të informuar në mënyrë të vazhdueshme. Ajo që pritet është një përfshirje e drejtpërdrejtë dhe marrjesh përgjegjësish edhe nga ana e opozitës, që shpresojmë që të ndodhë shumë shpejt në kuptim dhe në sens kompromisi dhe përgjegjësie të përbashkët, pasi e shohim të gjithë kur drejtësia funksionon të gjithë ndihen të lehtësuar, të gjithë ndihen të fituar dhe kjo nuk duhet të ndodhi vetëm në sport, por duhet të ndodh në jetën e përditshme të shoqërisë tonë dhe qytetarëve tanë. Kemi nevojë për një drejtësi evropiane siç ishte edhe vendimi më i fundit, gëzimin për të cilin po e ndajmë edhe së bashku.
Nga informacionet që kemi edhe gjatë pasdites edhe mbrëmjes së djeshme, negociatat e ndërkombëtarëve kanë vazhduar për të bindur mazhorancën dhe opozitën për ta plotësuar Komisionin për Reformën në Drejtësi. A do ta pranojë mazhoranca kërkesën e opozitën për të krijuar paritetin e anëtarëve të këtij komisioni?
Unë besoj dhe uroj që të vazhdohet puna e nisur dhe kjo punë do të vazhdojë më tej me një gjithëpërfshirje të plotë dhe efektive, pasi në fund të fundit kjo reformë nuk është çështje numrash, por është çështje standardesh dhe askush nuk duhet të synojë bllokimin apo zvarritjen e saj qoftë edhe një minutë më tepër.
Opozita e ka deklaruar edhe dje ne seancë plenare ku edhe ju ishit se nuk ka ndërmend ta bllokojë reformën, përkundrazi i është përgjigjur thirrjes së ndërkombëtarëve për t’u bërë pjesë e saj. Problemi qëndron në paritetin që ka reforma në drejtësi dhe në frikën sipas opozitës se do të tentohet një veto për shkak të këtij pariteti. Cila do të jetë formula që ta çojë përpara këtë reformë pa u bllokuar përmes një vetoje?
Nuk dëshiroj të kthehem pas në arsyetimin dhe në mesazhin që unë dhashë. Nuk dua të ushqej paragjykime edhe për paragjykimet e kolegëve tanë opozitar. Një gjë duhet të jetë e qartë që reforma do të synojë realizimin e standardeve më të larta evropiane në sistemin e drejtësisë dhe në radhë të parë do të certifikohet nga partnerët tanë ndërkombëtar.
A do t’i përcillni z. Shulc shqetësimin për votuesit fiktivë në zgjedhjet e fundit, një çështje që e shqetësoi jo pak LSI-në?
Së pari, LSI ka qenë dhe është e interesuar për standardin e zgjedhjeve dhe përpara zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve. Kjo është edhe arsyeja e ndërprerjes nga ana jonë e ankimimeve në mënyrë që të mos zvarritet më tej certifikimi i procesit zgjedhor dhe natyrisht që ne do të ndërmarrin iniciativat tona që të kemi ndryshime në Kodin Zgjedhor për të realizuar evitimin një herë e përgjithmonë të kësaj mundësie absurde ku votues fiktiv të transportohen vetëm për një ditë për të zgjedhur atë që do të drejtojë të tjerët për katër vite. Kjo është diçka krejtësisht absurde dhe kërkon një saktësim të qartë të Kodit Zgjedhor ashtu si do të ndërmarrim dhe shumë iniciativa të tjera të cilat do të forcojnë standardin e zgjedhjeve në vendin tonë.
Sigal