Meta uron bektashinjtë: Ditë e veçantë, ofron mundësi të shkëlqyer për reflektim

89
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Kryegjyshatën botërore të Bektashizmit në Tiranë me rastin e festës së “Sulltan Novruzit”.

Në këtë ceremoni, z. Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetësi ku i uroi të gjithë besimtarët bektashinj për më shumë paqe, harmoni dhe begati.
Kryetari i Kuvendit u shpreh se “Sulltan Novruzi” është festa tradicionale e së djeshmes që vjen në të sotmen e secilit prej nesh si një triumf i ringjalljes dhe i ripërtëritjes së jetës.

“Është një ditë e veçantë që ofron mundësi të veçantë dhe të shkëlqyer për të reflektuar. Reflektim për nevojën e jashtëzakonshme që kemi si individ dhe si popull për më shumë dashuri e qetësi. Për më shumë qetësi dhe mirësi. Për më shumë mirësi në dashurinë, për jetë, respekt për të shkuarën dhe shpresë për të nesërmen. Për më shumë besim e forcë dhe për forcën që jep besimi në progresin e çdo ditë që vjen”, – tha z. Meta, duke shtuar se bektashizmi dhe tradita e tij është një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmës tonë.

“Është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për kontributin dhe veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga rilindja kombëtare nën emrin e vëllezërve të mëdhenj Frashëri e deri më sot. Që nga koha kur rilindi shpresa kombëtare dhe u rihodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria. Në atë projekt gjigant dashurie për atdhe është vëne mendja, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit, z. Meta.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta
Gëzuar festën e “Sulltan Novruzit”, këtë festë plotë dritë të pranverës dhe shpresës. Urimet më të mira për të gjithë ju për mbarësinë, mirëqenie, paqe dhe dashuri.

Urimet më të mira për të gjithë shqiptarët, që pavarësisht besimit, pavarësisht emrit me të cilin adhurojnë Zotin e tyre dhe që është një, janë sot bashkë duke u lutur për një të nesërme më të mirë, për veten, për fëmijët, për familjet për miqtë dhe për fqinjët e tyre.

Dita e sotme është festa tradicionale e së djeshmes që vjen në të sotmen e secilit prej nesh si një triumf i ringjalljes dhe i ripërtëritjes së jetës. Është një ditë e veçantë që ofron mundësi të veçantë dhe të shkëlqyer për të reflektuar. Reflektim për nevojën e jashtëzakonshme që kemi si individ dhe si popull për më shumë dashuri e qetësi. Për më shumë qetësi dhe mirësi. Për më shumë mirësi në dashurinë për jetën, respekt për të shkuarën dhe shpresë për të nesërmen. Për më shumë besim e forcë dhe për forcën që jep besimi në progresin e çdo ditë që vjen.

Bektashizmi dhe tradita e tij është një nga lumenjtë më të rëndësishëm që mbush detin e atdhetarizmës tonë. Ai është shembulli i jashtëzakonshëm i përkushtimit moral dhe i shërbesës për atdheun dhe për njeriun. Mirënjohje pafund për kontributin dhe veprën e jashtëzakonshme të etërve të bektashizmit që nga rilindja kombëtare nën emrin e vëllezërve të mëdhenj Frashëri e deri më sot.

Që nga koha kur rilindi shpresa kombëtare dhe u rihodhën themelet e asaj çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet Shqipëria. Në atë projekt gjigant dashurie për atdhe është vëne mendja, zemra, pasioni dhe shërbesa e besimtarëve bektashinj dhe gjithë shqiptarëve që besonin tek Shqipëria.

Duke festuar sot duke uruar njëri tjetrin ne e shohim këtë festë edhe si një tjetër simbol të bashkëjetesës sonë të shlyer dhe tolerancës fetare. Kjo është një nga pasurit tona më të mëdha.

Ky është monumenti ynë më i rëndësishëm evropian ndaj në këtë ditë feste dhe besimi lutem dhe shpresoj për më shumë mbarësi për shoqërinë tonë, më shumë harmoni dhe punë të ndershme. Lutem, shpresoj dhe besoj për më shumë harmoni, bashkëjetesë dhe dashuri.