Meta: Panairi i Klik Ekspo Group, tregues i suksesit ekonomik

519
Sigal

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta viziton Sallonin Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Industrisë Ushqimore

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ishte dje i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Vera më e mirë shqiptare”, që u organizua në Sallonin Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Industrisë Ushqimore, në mjediset e Panairit Ndërkombëtar të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group, në Tiranë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z.Edmond Panariti, Ministër Shteti për Çështjet Vendore Bledi Çuçi, Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese Eduart Shalsi, deputetët Koço Kokëdhima, Fidel Ylli, Vangjel Tavo, zëvendësministra të qeverisë, drejtues institucionesh, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të agro-biznesit, etj.. Duke e cilësuar si një ngjarje mjaft të rëndësishme jo vetëm prodhuesit e këtyre produkteve vendase, por edhe për të gjithë ata, që e kuptojnë se nga suksesi i prodhuesve vendas varet suksesi i rritjes së ekonomisë kombëtare. Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se është koha për një qasje të re ndaj bujqësisë, që është një sektor prioritar i qeverisë, maxhorancës dhe Parlamentit. “Është koha për të ndryshuar në këtë drejtim dhe unë besoj se, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm si asnjëherë tjetër për një qasje të re ndaj këtij prioriteti. Sot kemi një shans të mrekullueshëm që e nesërmja jonë të ndryshojë më shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme, shpejt dhe mirë. Ky shans dhe kjo mundësi është bujqësia”, u shpreh Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve në ceremoni, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta tha: Është kënaqësi e veçantë për mua që të jem sot me ju pikërisht në një ngjarje mjaft të rëndësishme jo vetëm për ju, për prodhuesit e këtyre produkteve të cilët na kanë bashkuar në këtë panair, por besoj edhe për të gjithë ata, të cilët e kuptojnë se nga suksesi juaj varet në një pjesë të madhe suksesi i mbarëvajtjes të të gjithë punëve të këtij vendi, sepse varet suksesi i rritjes së ekonomisë sonë kombëtare dhe i përmirësimit të ekonomisë familjare. Ndaj edhe e prita me shumë kënaqësi këtë ftesë, duke qenë i bindur për rëndësinë e madhe që përfaqësojnë aktivitetet me të cilat ju jeni të angazhuar dhe për të cilat ju mundoheni aq shumë. Ndaj është e rëndësishme që të gjithë të jemi në mbështetje tuajën, në mënyrë që produktet tuaja të kenë sukses të plotë jo vetëm në tregun tonë, por edhe në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Raporti i importit dhe eksportit në këtë fushë është i papranueshëm dhe duhet të ndryshojë me shpejtësi dhe në mënyrë të qëndrueshme.  Ne e dimë se ky raport është i pafavorshëm për momentin, sepse ligjet e tregut janë të tilla në raport me çmimin dhe me konkurrencën. Sepse çmimet e prodhimit vendas janë jo konkurruese, por edhe sepse shumë toka lihen djerrë e pa u punuar për shkak të politikave të papërshtatshme që janë ndjekur deri tani, por njëkohësisht sepse bujqësia nuk ka pasur rëndësinë që duhet të kishte për të gjitha qeverisjet e vendit deri më sot. Ndaj është koha për të ndryshuar në këtë drejtim dhe unë besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm si asnjëherë tjetër për një qasje të re ndaj këtij prioriteti. Sot kemi një shans të mrekullueshëm që e nesërmja jonë të ndryshojë më shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme. Ky shans dhe kjo mundësi është bujqësia. Duke konsoliduar titujt e pronësisë mbi tokën, që është edhe një prioritet kryesor i kësaj qeverie duke shtuar mbështetjen publike financiare mbi këtë sektor, duke ulur koston e lëndëve të para me një politikë të ndryshme fiskale, duke rikthyer skemat e ujitjes dhe kullimit të tokave, duke mbështetur ngritjen e qendrave të grumbullimit, të ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore e blegtorale, duke e certifikuar këtë prodhim sipas standardeve ndërkombëtare, ne vetëm sa hedhim disa hapa të parë të domosdoshëm në këtë drejtim. Që të garantojmë më shumë punësim, të garantojmë më shumë mirëqenie për fermerët në veçanti, por edhe për të gjithë shoqërinë tonë. Ndaj edhe besoj se kjo ngjarje, ky aktivitet ndihmon për të tërhequr edhe më shumë jo vetëm vëmendjen, por edhe mbështetjen për bujqësinë dhe për të gjitha aktivitetet tuaja të cilat meritojnë një mbështetje, një angazhim, një vëmendje më të veçantë nga të gjithë ne”.

 Panariti: Prodhimet shqiptare ‘bio’ do të depërtojnë me sukses në tregjet ndërkombëtare

 Nën kujdesin e Ministrit të Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti, u zhvillua dje në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës në Pallatin e Kongreseve, ceremonia e ndarjes së çmimeve “Vera më e mirë 2013”.  Në këtë ceremoni, të zhvilluar në sallonin e agro-biznesit, ku u promovuan produktet më të mira bio të vendit tonë, kreu i Kuvendit z. Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse. Gjatë ceremonisë, Presidenti i shoqërisë organizatore  Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj i akordoi Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti çmimin “Shqiponja e Artë” me motivacionin “Mirënjohje për angazhimin e përkushtuar dhe arritjet e prekshme që me marrjen e misionit në krye të Dikasterit të Bujqësisë, për vënien në zbatim të prioriteteve të paravendosura në kuadër të promovimit të prodhuesve vendas, zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm të sektorit, përmes platformave të qarta e të suksesshme, me rezultate të dukshme edhe përmes Panairit të Agro-biznesit në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës”.

 

 

Panairi i Agrobiznesit në Klik Ekspo Group ndan çmimet e verës më të mirë 2013

 

VERA E KUQE

Çmimi i Parë për kantinën “Kokomani”, Durrës

Çmimi i Dytë për kantinën “Kokomani”, Durrës

Çmimi i Tretë për kantinën “Kallmet”, Lezhë

VERA E KUQE E STAZHIONUAR

Çmimi i Parë për kantinën “Arbëri”, Mirditë

Çmimi i Dytë për kantinën “Rilindja”, Korçë

Çmimi i Tretë për kantinën “Xhoda”, Lundër

Për kantinën “Belba”, Kavajë

 

VERA E BARDHË

Çmimi i Parë për kantinën “Kokomani”, Durrës

Çmimi i Dytë për kantinën “Arbëri”, Mirditë

Çmimi i Tretë për kantinën “Bardha”, Marikaj