Meta me kampionët e atletikës: Duhet më shumë mbështetje për sportistët

100
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti në një takim kampionët e atletikës, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, si edhe ish-atleten e mirënjohur Klodiana Shala.
Gjatë këtij takimi, Meta i përgëzoi sportistët për arritjet e tyre vetjake në sport, duke u shprehur se fitoret e tyre kanë afruar krenari për të gjithë duke mundësuar ngritjen në podiumet ndërkombëtare të flamurit shqiptar.

Meta tha se është shumë e nevojshme që shteti shqiptar të afrojë një mbështetje gjithmonë e më të madhe ndaj atletikës dhe sportit në përgjithësi dhe në veçanti, ndaj sportistëve elitarë.

Kryetari i Kuvendit theksoi se shteti duhet të jetë më i vëmendshëm ndaj këtyre historive të suksesit, por edhe përgatitjes në vite të këtyre historive të suksesit, që janë modelet e duhur për t’u ndjekur nga rinia dhe shoqëria shqiptare.

“Për të mbërritur aty ku jeni ju nevojiten vite të tërë sakrificash dhe vetmohimi. Pakkush mund ta bëjë një gjë të tillë, nevojitet edhe talenti juaj, edhe përkushtimi juaj, por dhe mbështetja e fortë e shtetit, morale dhe financiare dhe e gjithë shoqërisë në të gjitha format dhe në të gjitha mënyrat”, tha Meta.
Nga ana e tyre, sportistët e falënderuan Kryetarin e Kuvendit, Meta për vëmendjen që ai tregon ndaj sportit dhe mbështetjes së sportistëve, duke shtuar se ndihen krenarë që kanë arritur të marrin këto rezultate mjaft të larta në arenën ndërkombëtare.

Në prag të aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare, dy atletët, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, thanë se po nisnin punën përgatitore për të arritur formën e tyre maksimale në prag të garave të radhës ndërkombëtare. Të dy ata shprehën besimin e tyre në arritjen e rezultateve të larta dhe të qëndrueshme.