Meta: Gjithë jetën borxhlinj ndaj mësuesve

507
Sigal

Meta në Universitetin Bujqësor të Tiranës: Bujqësia ka nevojë urgjente për reforma të mençura dhe të shpejta

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka zgjedhur Universitetin Bujqësor të Tiranës për të uruar gjithë arsimtarët për festën e 7 Marsit. Në një ceremoni të organizuar nga ky Universitet me rastin e marrjes së certifikatave të pronësisë për kampusin e tij, Meta u shpreh se gjithë jetën mbetemi borxhlinj ndaj mësuesve. “Është një ditë që na kujton mirënjohjen dashurinë dhe respektin ndaj atyre që na kanë edukuar si prindër. Është një ditë mirënjohje për at që na kanë dhuruar dije. Duke uruar festën e 7 Marsit për të gjithë ata profesorë, mësues, pedagogë dua të shpreh bindjen se shoqëria jonë ka një borxh të pashlyeshëm mirënjohje që trashëgohet brez pas brezi dhe sado të tregojmë mirënjohje ndaj mësuesve tanë do të mbetemi përsëri borxh. Urimet më të mira për trupën mësimore dhe profesoriatin tuaj të shkëlqyer. Mirënjohje të veçantë për të gjithë profesorët e Universitetit Bujqësor që nuk janë këtu por kanë hedhur themelet e këtij institucioni. Kam bindjen e pa ndryshueshme se e nesërmja jonë është në duart tuaja”, u shpreh Meta.

Reformat në bujqësi

Ai theksoi se bujqësia është kyç i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe se ka nevojë për reforma. “Shqipëria e sotme nuk është vendi i mundësive ideale ka shumë mungesa. Ka distancë reale për të qenë një vend normal. Jemi ende larg atij modeli që gjeografikisht e kemi pranë por kemi entuziazmin ta realizojmë atë në Shqipëri. Por të shohësh realitetin dhe ta gjykosh me sy ndëshkues është hapi i parë. Bujqësia ka nevojë për reforma të mençura dhe të shpejta. Ka nevojë për plane konkrete për nxitjen e prodhimit vendas. Edhe studentët e këtij universiteti nesër jam i bindur se do jenë specialistë të gjitha fushave të bujqësisë. Ministri i Bujqësisë t’u japi tapi për të gjitha pasuritë e patundshme në administrimin këtij universiteti. E ardhmja ekonomike e Shqipërisë është e kushtëzuar nga rritja dhe zhvillimi i bujqësisë. Ku roli i Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe e shkollave të mesme bujqësore profesionale do të bëjnë të mundur që ne jo vetëm t’i ndërgjegjësojmë të rinjtë për avantazhet që ka arsimimi në fushën e bujqësisë por edhe tu rrisim dashurinë për venin e tyre. Zhvillimi i bujqësisë nuk është vetëm çështje e interesit të vendit por është edhe një akt patriotizmi”, tha Meta.

Panariti: Universiteti Bujqësor, aset i vyer

Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti i dorëzoi ditën e djeshme certifikatat e pronësisë rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ai theksoi se ky universitet është një aset i vyer. “Jam krenar që jam produkt i këtij universiteti dhe besoj se më takon mua të bëj aktin e dorëzimit të certifikatave të tokave të Kampusit Universitar. Dita e 7 marsit është e përshtatshme. Ju uroj të gjithëve Gëzuar 7 Marsin!”- u shpreh ministri Panariti.

Rama uron për 7 Marsin nga Liceu Artistik

 Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Liceun Artistik në Tiranë për të uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit. Në fjalën e tij para ish-mësuesve të tij kreu i qeverisë tha se duhet një ndryshim i shpejtë, i cili do të vijë si rezultat i një dialogu me tre komponentë: me trupën e arsimit, me Ministrinë e Arsimit dhe me Ministrinë e Kulturës. “Çfarëdo ndryshimi, qoftë në pikëpamje të sistemit, qoftë në pikëpamje të infrastrukturës, qoftë në pikëpamje të bazës materiale, qoftë në pikëpamje të programeve brenda për brenda, duhet të vijë si një rezultat i një dialogu, besoj unë, me tre komponentë: me trupën arsimore këtu, me Ministrinë e Arsimit dhe me Ministrinë e Kulturës. Dhe nga ky dialog duhet të marrë jetë në një kohë të shpejtë një projekt, një projekt mbi të cilin duhet të punojmë bashkërisht dhe me disa prioritete. Pa humbur kohë, ju organizohuni në këtë drejtim dhe ne do t’ju mbështesim”, -u shpreh Rama.

Në Liceun Artistik, Kryeministri Rama u prit nga drejtori dhe mësues të këtij institucioni, si dhe nga mësues që i kanë dhënë mësim edhe vetë Kryeministrit Rama. Ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se institucioni që ajo drejton është kthyer prej disa javësh në një sallë të shfaqjeve të ndryshme të nxënësve të shkollave të artit. “Ndaj me ju kënaqësinë që në gjithë këto javët e fundit, duke filluar nga modele të vogla, vetë zyrat, vetë institucioni i Ministrisë së Kulturës ka një sallë koncerti. Unë kam kënaqësinë që çdo pasdite, kur unë ende vazhdoj të punoj, Ministria e Kulturës jehon çdo ditë nga tingujt e muzikës. Shkolla “Jordan Misja” është një skenë e hapur për shkollën tuaj dhe jo vetëm, pas jush kanë ardhur edhe modele të tjera”, -tha Kumbaro.

Elbasan/ Nikolla: Rritja e pagës për mësuesit, në fokusin e Qeverisë

 Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, ka zgjedhur qytetin e Elbasanit për të festuar 7 Marsin, ditën e mësuesit. Kjo ditë përkon edhe me 100 -vjetorin e themelimit të Drejtorisë Rajonale të Arsimit në këtë qytet, i cili njihet si qyteti i dijes dhe arsimit.

Nikolla ka vendosur kurora me lule në shtatoren e arsimit ngritur disa vite më parë për nder të shumë arsimtarëve elbasanas. “ I uroj 7 Marsin mësuesve dhe pedagogëve në të gjithë Shqipërinë, dhe njëherë ju garantoj dhe në emër të Kryeministrit Rama se do të bëjmë gjithçka të mundur, në mënyrë që ky profesion i nderuar të vijë në lartësinë e misionit fisnik që ka çdo mësues”, tha Nikolla, ndërsa garantoi mësuesit se do të vazhdojë reformat në fushën e arsimit.

“ Më lejoni ju mësues dhe ish- mësues, që unë ish- mësuesja dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve të përkulem me respekt përpara jush”, ka nisur fjalën ministria në prani të qindra mësuesve të Elbasanit në ambientet e Teatrit “ Skampa”. “Ishte pikërisht 100 vite më parë, ku qeveria e Vlorës, e nxitur nga nevoja imediate e diturisë, vendosi që të ngrejë në Elbasan Inspektoratin e Arsimit në këtë qytet, ku edhe u shtuan shkollat fillore”,- tha Nikolla. “Qeveria shqiptare ka në fokusin e saj stimulimin e mësuesve përmes rritjes së pagave dhe vendosjes së taksës së ndershme”, tha ndër të tjera Nikolla. Duke u ndalur tek sfidat e arsimit, Nikolla shtoi se “ sfida jonë është garantimi i cilësisë në arsim si një domosdoshmëri në kuadër të integrimit dhe arritjeve të standardeve europiane. Në këto 6 muaj ne kemi punuar fort për ti kthyer dinjitetin mësuesit. Hapat e parë tashmë kanë filluar me transformimin e sistemit arsimor përkundrejt cilësisë”, tha Nikolla.

Ministria e Arsimit dhe Sporteve e shoqëruar edhe nga kreu i bashkisë Qazim Sejdini kanë vizituar edhe shkollën 9- vjeçare Naim Frashëri, e cila ka më shumë se 100 vjet që është themeluar, ku nga kjo shkollë kanë dalë figura të shquara akademike dhe jo vetëm në vendin tonë. Në qytetin e Elbasanit janë nderuar ndër vite me titullin “Mësues i Popullit” 36 mësues, ndërsa 76 janë nderuar me titullin “Mësues i Nderuar”. Gjithashtu, nga ky qytet kanë dalë tre drejtues të Akademisë së Shkencave.

PD, Pollo: Ne reformuam arsimin, qeveria emëroi militantë partiak

 Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, në konferencë për media, vlerësoi rolin e mësuesve për punën e tyre në edukimin e fëmijëve që janë e ardhmja e vendit.

Ai tha se: “Partia Demokratike, kreu një revolucion në arsim, si dhe ne dyfishimin e pagave të mësuesve, ndërtoi shkolla të reja si dhe infrastrukturën e tyre”. “Ne mundësuam reformën në arsim, që përfshin vlerësimin objektiv, menaxhimin modern të shkollës, deri tek dyfishimi i pagës, duke i kthyer dinjitetin mësuesit”, tha Pollo.

Ai  theksoi se: “Qeveria, vazhdon të mos mbajë premtimet për pagat e mësuesve dhe madje, hoqi nga shkollat, drejtorët dhe mësuesit, duke  i zëvendësuar me mësues partiak.

 7 Marsi, Veliaj nderon mësuesit e shkollave profesionale

 Në Ditën e Mësuesit, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, nderoi me certifikata mirënjohje disa nga mësuesit e shkollave profesionale të vendit. Ministri vizitoi dje Qendrën e Formimit Profesional Nr. 1 në Tiranë, ku falënderoi mësuesit për përkushtimin e tyre. Ai shprehu vlerësimin për motivimin e treguar deri tani, si dhe nënvizoi se arsimi profesional është tashmë një nga prioritetet e qeverisë. “Falënderoj mësuesit që e bëjnë këtë punë me shumë dashuri”, u tha mësuesve ministri Veliaj. Ai u shpreh se frymën e arsimit profesional në Shqipëri e ka mbajtur gjallë motivimi i mësuesve që sot u nderuan për punën e tyre. “Të gjithë bashkë duhet ta promovojmë arsimin profesional, si mënyra e vetme që garanton shumë më shumë punësim se sa arsimi i përgjithshëm”, tha ai duke shtuar se ky promovim duhet përqendruar më fort tek vajzat dhe gratë, duke qenë se vetëm 16 për qind e tyre frekuentojnë arsimin profesional.