Meta: Alvin Berisha u shpëtua falë gazetarisë profesionale

473
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë sot në konferencën që po zhvillohet në Tiranë, “Feja si instrument paqeje”, të organizuar në bashkërendim me Departamentin e Shtetit të SHBA.

Në fjalën e tij Meta dha mesazhe të forta për paqen në vend, si dhe për eksodin në vend, ku bëri thirrje që të ndalej.

Më tej në fjalën e tij meta përmendi dhe rastin e Alvin Berishës, i cili për shumë muaj ishte i bllokuar në kampin Al-Hol në Siri. Kreu i Shtetit Shqiptar u shpreh se i gjithë opinioni u trondit nga rasti i Alvinit, ndërsa shtoi se ai u shpëtua falë gazetarisë profesionale të huaj dhe vendase.

“Në Siri gjenden shumë gra e fëmijë shqiptarë. I gjithë opinioni u trondit nga vogëlushi Alvin Berisha. Falë gazetarisë profesioniste të huaj e vendase, ky rast u zgjidh. Duhen ngritur urgjentisht qendrat e rehabilitimit që persona të tillë të rehabilitohen. Viktima të tilla duhen përkrahur, që të bëhen pjesë e shoqërisë, pranë familjeve të tyre”, ishte kjo një pjesë nga fjala e Metës.

Historia e 11-vjeçarit u bë publike nga emisioni investigativ italian “Le Ienne”, ku me ndihmën e gazetarëve, pas pesë vitesh kërkimeve në fund, i ati i dëshpëruar Afrim Berisha, arriti të depërtonte në kampet e Sirisë dhe takoi të birin, në 25 shtator të këtij viti.

Tre ditë pas publikimit të investigimit të “Le Iene” për rastin e fëmijët 11 vjeç dha dorëheqjen edhe Genti Gazheli, ambasadori i Shqipërisë në Turqi, por të prekurit nga historia e të voglit shqiptar nuk u dorëzuan.

Italianë, shqiptarë dhe njerëz anembanë botës bashkë me median ushtruan presion mbi qeverinë shqiptare dhe organet kompetente në mënyrë që 11-vjeçari të kthehej sërish në krahët e të atit dhe këtë herë për të mos u larguar më kurrë.