Mësuesit pagën ia bllokojnë, por e lejojnë të marrë borxh për bukën e fëmijëve

Ilirian Demiri 

Me mësuesit kush nuk tallet. Që nga fëmijët e deri te Ministrja teknike. Bile kjo e fundit dhe teknicienët e tjerë të Ministrisë, tallen më shumë. Sepse e dinë: mësuesi është skllavi i vetëm i shekullit XXI, ndaj nuk di të ankohet. Por vetëm të bindet, ndaj çdo punonjësi të Ministrisë, qoftë edhe pastrues. Ja, mësuesit të shkretë se kujt i shkoi mendja nuk ia dhanë pagën, atë pagë të shkretë me të cilën i blen fëmijëve pak bukë dhe presh. Se aq është e shkreta rrogë. Se edhe preshit i ka shkuar çmimi 100 lekë kilogrami. Mishi nuk është në menu, vetëm kofshët e pulës. Ja, kaq është paga e mësuesit. Nuk dihet se kujt i ka shkuar mendja ta bëjë çorap pagën e mësuesit. Ministrja teknike Mirela Karabina ankohet se, “mungesa e pagës për mësuesit është rrjedhojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017”. I kundërpërgjigjet asaj Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit Plarent Ndreca. “Pagat e të gjithë sistemit arsimor janë firmosur rregullisht nga drejtoritë arsimore rajonale dhe kaluar nga sistemi i thesarit të Ministrisë së Financave”. Bir Selman i nënës në ç’duar kemi mbetur! Të gjithë na gënjejnë. Sepse edhe sot që është e enjte në çdo sportel banke të thonë: janë të bllokuara pagat e mësuesve. Nga kush?,- pyesim. -Mos na pyet më shumë se nuk dimë gjë, pasi jepi punonjës të thjeshtë ne,- është përgjigjja e punonjëseve të bankave. Ministrja teknike, e cila bëri një vërë në ujë për të mos lejuar shitjen e votës, se për atë u gradua ministre, për inat po i lë mësuesit pa pagë. Po ashtu edhe Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë që di vetëm të grindet me ministren teknik-zezën. Ato grinden, ndërsa mësuesit kanë nisur të marrin para borxh nëpër lagje. Se pagën nuk e kanë marrë. Që tallen me mësuesit kush të mundet, e tregon edhe fakti se në një qytet pagën e kanë marrë që në mesditën e 5 korrikut disa mësues që e tërheqin pagën te “Raifaisen Bank”. Ndërsa shumica e mësuesve që e tërheqin pagën në bankat e tjera u ka shkuar gjithë paraditja duke kërkuar borxh. “Raifeseni” kishte pak mësues ndaj nuk u bllokua, ndërsa ne të tjerave edhe pse me dokumente të rregullt na u bllokua puna në çastin e fundit. Nuk e dimë se kur do të zhbllokohet situata”,- na tregojnë disa punonjës të bankave të tjera në qytetin e vogël. Janë inatet e politikës që po i lënë mësuesit pa pagë. Dhe inatet e politikës janë më të këqija se inatet e kurvës. Dhe këto ditë politika është kthyer në kurvën më të keqe. Se ja, mësuesve pagën nuk ua japin, po u kanë kërkuar të përpilojnë urgjent gjithë dokumentacionin e dosjes personale. Me diplomën e listën e notave origjinale, me vërtetimet se janë të shëndoshë, se nuk kanë kryer ndonjë vepër penale etj. Aq sa mësuesit thonë me nota shakaje: “kjo politika kurvë na i kërkon urgjent këto dokumente se kështu arkëtojmë ca para në buxhet. Se ajo ka mbetur pa asnjë dyshkë, ndaj i duhen paratë”. Është një çudi kjo kërkesë për plotësimin urgjent të dosjes. Pasi mësuesit e shkretë dosjen e plotësojnë çdo vit. A thua se mësuesit janë më të korruptuarit në këtë pseudo shtet të mbytur në korrupsion. Dhe askujt nuk i vjen pakëz turp me mënyrën si tallen të gjithë me mësuesin e shkretë. Çfarë thamë më sipër janë krejt të vërteta idioteske që vetëm vënë në lojë mësuesin. Çuditërisht të gjithë heshtin, kundrejt një bashkëpunimi cinik të të gjithëve, vetëm për ta vënë në lojë mësuesin. Hesht edhe me nder me thënë sindikata e arsimit. Edhe pse e di açik se mësuesi nuk e ka marrë pagën, e cila i është bllokuar në mënyrën më të paturpshme nga lloj lloj mostrash të administratës. Dhe kjo farë sindikate i bllokon në pagë mësuesit, siç nuk ka ndodhur as në diktaturë, për çdo muaj nga 10 lekë si kuotizacion. A nuk është e paturpshme kjo ndalesë që i bëhet mësuesit në pagë zonja ministre teknike ? Të paktën bëje një gjë të vogël në shërbim të mësuesit: hiqe këtë ndalesë idiote që i bëhet mësuesit në pagë. Jo se i rritet gjë paga, por është një gjë shumë e turpshme që i faturohet mësuesit. Tashmë të gjithë e pranojnë se, armata e mësuesve është më e diskriminuara dhe me të mund të tallet kush të mundet. Megjithatë deri tani kjo armatë nuk di të kundërshtojë. Aq shumë e ka ulur zverkun, sa kush të dojë mund t’i hipë në qafë. Dhe mësuesi nuk di të bëzajë. Sepse mësuesi i shkretë e di se askush nuk i del për zot. Dhe kështu as dje, as sot mësuesi i shkretë nuk e merr dot pagën e tij. Ndërsa ka ulur qafën dhe ashtu sic i kërkojnë çdo ditë në mëngjes i drejtohet dyerve të shkollës. Edhe pse nuk ka mësim. Edhe pse të gjithë dokumentacionin e ka mbyllur të plotësuar sipas të gjitha kërkesave. Po oligarkët e ndyrë ia kërkojnë që ai të mos bëzajë e të ulë kokën. Të shkojë pa bërë zë çdo ditë në shkollë. Thjesht, aty pranë ka një klub: aty mund ta shuajë inatin me 2 – 3 gota raki. Po rrogën, ehu, nuk dihet se kur do ta marrë. Ta pijë rakinë me para borxh, se nuk u bë kiameti!