Sigal

Dy mësues në fshatin Vëndreshë Mal në Skrapar i kaluan pushime e verës duke u ndërtuar nxënësve të tyre një shkollë të re. Prej vitesh mësimi në fshat mbahej në një shtëpi me qira, por mungesa e izolimit nga kushtet atmosferike ekspozonte shpesh nxënësit ndaj shiut dhe dëborës.

Pasi kontribuan një pjesë të parave të tyre dhe ia dolën të bëjnë bashkë shumë dhurues të tjerë përmes një fushate në internet, mësuesit Donald Dervishi dhe Borsion Spaho grumbulluan gjithsej rreth 10.000 dollarë.

Ata tani shprehen optimistë se godina e re do t’i lejojë nxënësit të përqendrohen më shumë në mësime dhe ta frekuentojnë shkollën më shpesh.

“Ndihem shumë i lumtur dhe i gëzuar që ia dolëm mbanë për ndërtimin e kësaj shkolle,”, tha për BIRN, Borsion Spaho, mësuesi i fillores në atë zonë.

“Kjo do të ndikojë shumë pozitivisht që nxënësit të kenë dëshirë më të madhe për arsimim dhe për të mësuar më shumë,” shtoi ai, ndërsa tha se nuk do t’ia kishin dalë pa mbështetjen e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj që dhanë kontributin e tyre.

Shkolla e sapondërtuar do të ketë një klasë, tualetin dhe një korridor për pesë nxënësit e saj. Ndonëse në nivele të ndryshme mësimore, nxënësit studiojnë të gjithë në një klasë, ndërsa kryejnë detyra të posaçme të ngarkuara nga Spaho si i vetmi mësues.


Ish-komuna e qarkut Berat, Vëndresha është tani pjesë e bashkisë Skrapar dhe përbëhet nga dhjetë fshatra të vegjël, mes tyre Vëndresha e Vogël, e Madhe dhe e Malit. Në një largësi rreth 200 kilometra nga Tirana, infrastruktura e dobët në zonë ia shton sfidat e lëvizjes, por edhe ato të shkollimit komunitetit prej afërsisht 900 banorësh sipas censusit 2011.

Mësuesi i letërsisë, Donald Dervishi, i cili njëkohësisht shërben si drejtor i pesë shkollave të zonës është gjithashtu mjaft entuziast për nismën e tyre.

“[Nxënësit] nuk do të kenë mundësinë që të mendojnë për shiun që futet brenda në klasë, …për erën e ftohtë, për borën,” tha Dervishi.

“Këta fëmijë që sot do të ulen në një shkollë të re, do të kenë nxitjen që nesër-pasnesër vetë të bëhen kontribues në këtë fshat,” përfundoi ai.