Mësuesit e fshatrave në protestë: Të rimbursohet bileta e transportit dhe pagesa e vështirësive!

1144
Sigal

LIBRAZHD / Rreth 1000 nxënës pa mësim. Nga inspektori i Drejtorisë Arsimore Librazhd, presione për largime nga puna

Skandalet e Zyrës Arsimore të Librazhdit vazhdojnë të dalin çdo ditë e më tepër në sipërfaqe. Ditën e martë kanë qenë 40 mësues të Komunës Orenjë, të cilët kanë protestuar para Drejtorisë Arsimore Librazhd për mospagesat e tyre prej muajsh. Në protestë kanë qenë mësuesit e Shkollës Orenjë që ka 458 nxënës, Zdrajsh- Qendër me 126 nxënës, Zdrajsh -Katund me 184 nxënës dhe Funarës afërsisht 180 nxënës, të cilat kanë qenë pushim ditën e sotme për shkak të bojkotimit të mësimit nga ana e mësuesve. Gjatë kohës që mësuesit kishin bllokuar mjediset e zyrës arsimore u deshën mbi katër orë që drejtori i Drejtorisë Arsimore, Kujtim Balla t’i priste në zyrën e tij duke ju premtuar zgjidhje. Si rezultat i protestës së mësueseve kanë mbetur pa bërë mësim rreth 1000 nxënës.

Kërkesat

Konkretisht 40 mësuesit i janë drejtuar Drejtorisë Arsimore Librazhd me një shkresë të firmosur më datën 23.01.2012, ku nga ajo ditë kjo zyrë ka heshtur dhe nuk ka kthyer përgjigje dhe prandaj të martën këta mësues bllokuan zyrën arsimore, ku kërkojnë zbatimin e VKM për vështirësi rruge si dhe pagesën e transportit me linjën e autobusit me distancë mbi 5 km për mësuesit. Midis të tjerash shkruhet: Zoti drejtor jemi një grup mësuesish të linjës Librazhd-Orenjë…, nga data 01.04.2012 e në vazhdim nuk jemi shpërblyer për vështirësinë e rrugës. Prej datës 01.04.2010 deri me datën 30.04.2012 vlera e pagesës së vështirësisë sipas VKM ka qenë 1200 lek në muaj, pra për çdo mësues ju takon nga 24000 lekë për çdo mësues x 40 mësues pra e barabartë me 960 000 lekë.

Kërcënimet

Madje gjatë protestës, nga burime konfidenciale të mësueseve në protestë ka qenë inspektori Bedri Kaza që ju ka bërë presion disa mësuesve për të dalë jashtë godinës së Z. A., sepse do t’i pushojnë nga puna, madje  që nga koha që ka qenë vetë Kaza përgjegjës i kësaj zyre dhe deri më sot vazhdojnë problemet e arsimit në Librazhd, i cili është strumbullari i kësaj gjullurdie. Sipas njërit prej mësuesve bëhet e ditur se nga viti 2011 dhe deri tani në vazhdim orët mbi normën 20-40 për qind për mësuesit janë ndarë sipas njohjes.

Ja si shkelet vendimi i KM

Është një VKM e firmosur nga Kryeministri i vendit, Ministri i Brendshëm, Ministri i Financave dhe Ministri i Arsimit për mënyrën e pagesës, por në Z. A. Librazhd kjo shkresë nuk është përfillur. Ku sipas vendimit të MASH, është e ndaluar kategorikisht marrja në punë e mësuese me orë dhe me part-time. Ndërkohë që sipas një burimi të besueshme në Zyrën Arsimore Librazhd mësohet se gjatë kohës që ishte Përgjegjës i Zyrës Arsimore Bedri Kaza (sot inspektori ZA) është bërë një marrëveshje më drejtorët e të gjitha shkollave, ku këta kanë firmosur fletën e bardhë, për këto pagesa duke shkelur hapur vendimin e Këshillit të Ministrave dhe të MASH, ku këtë mundet ta zgjidh vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit ose oficerët e krimit ekonomik. Madje pagesa e mësuesve më orë ka bërë që të boshatiset arka e Z. A. Librazhd.

Shoferi

Shoferi Gëzim Goma thotë: “Unë i kam marrë me gjysmë çmimi vetëm për të arsimuar zonën, por tani nuk mundem më”. Sipas Përgjegjësit të Zyrës Arsimore nga takimi me përfaqësinë e mësueseve prej 9 vetash ka premtuar zgjidhje. Ndërkohë që, mësuesit kanë  thënë për gazetën se nëse nuk zgjidhen problemet do të përshkallëzohet protesta.

Vlera e pagës

Nga data 01.05.2012 deri më datën 30.11.2012  vlera e pagesës është bërë 1800 lekë në muaj. Pra 5 muaj x 1800 lekë= 9000 mijë lekë x 40 mësues= 360000 lekë gjithsej. Me ndryshimin e VKM për transportin e mësuesve nga data 01.04 2012 deri më 30.06.2012 vlera e pagesës nuk na është dhënë neve si mësues në rrogë, por jashtë ligjit i është dhënë drejtorit të shkollave për të bërë pagesat e shoferëve të autobusit. Në letrën e dërguar mësuesit i kërkojnë Drejtorisë Arsimore se me çfarë të drejte është aplikuar kjo mënyrë e jashtëligjshme nga ana e kësaj zyre. Nga data 01.09.2012 e në vazhdim mësuesit kërkojmë futjen e pagesës së transportit në rrogë. Në letër citohet: “Kërkojë futjen e pagesë së vështirësisë së rrugës në rrogë duke shtuar diferencën e kaluar. Jemi në pritje të përgjigjes nga ana juaj, në rast të mos përgjigjes do të relatojmë në instancat e tjera si në Ministrinë e Arsimit, në Kontrollin e Lartë të Shtetit etj.”. Kjo listë kërkesash është e firmosur nga 40 mësues.

Mësuesi Lutfi Baboçi: “Sot na kërcënuan!”

Sipas Lutfi Baboçit njërit prej mësuesve bëhet e ditur se, ata kanë një kohë të gjatë që sorollaten nëpër dyert e Zyrës Arsimore Librazhd. “Kemi marrë vetëm presione për largime nga puna dhe përçmime, askush nuk na ka dëgjuar. Kemi edhe neve familje. Mësuesit duhej të rimbursoheshin me 260 lekë nga Z.A.Librazhd, ndërkohë që bileta komplet kushton 500 lekë Librazhd- Orenjë”,- tha Baboçi.