Mesila Doda: A jemi 1 në lidhje me arrestimin e Ramush Haradinajt ?

560

Deputete  Mesila Doda,


Në fillim u mendua se ishte një gabim, më pas u ndjemë të hutuar dhe tash në
fund një dëshpërim krejt i natyrshëm po përhapet me shpejtësi pas lajmit të
pabesueshëm se ish-kryeministri i Kosoves, kryetar i një partie parlamentare
AAK-së, i akuzuar dy herë dhe po aq herë i shpallur i pafajshëm nga Tribunal i
Hagës Rramush Haradinaj, ndalohet në territorin francez si pasojë e një urdhri
ndalimi nga qeveria serbe.
Ndalimi nuk ndodh në Serbi, siç mund të kish qenë e kuptueshme…ndodh në Francë,
një vend në të cilin Rramush Haradinaj ka qenë edhe herë të tjera, një vend që
bën pjesë në forcat e armatosura KFOR që janë të instaluara në Kosovë, një vend
që njeh fuqinë e vendimeve të Hagës dhe që konsiderohet si zemër e
Europës. 
Kjo është rrjedhoja e politikës mjerane, të pafuqishme e disfatiste që
shqiptarët kanë prodhuar gjatë këtyre viteve. Përgjatë historisë sonë
politikanët kanë lëshuar shpesh pjesë të territoreve kombtare për të marrë
pushtet…dhe sot e gjejmë Shqipërinë me çerekun e territoreve që do duhet të
kishte, sot e gjejmë luftën e luftëtarëve të Kosovës nën akuzë në Tribunal e
ngritur me votën e deputetëve shqiptarë të Kosovës, gjejmë Kosovën të shqyer në
Mitrovicë, Preshevë e në Mal të Zi, sot vështrojmë pa kurrfarë habie se si një
luftë heroike e vetmbrojtëse po demontohet moralisht e ligjërisht dhe po vihet
nën akuzë, ndërsa ne mjerisht ose rrimë e kundrojmë pa lëvizur as gishtin, ose
i japim votën në parlament…
Tash ka nevojë për veprime e bashkveprime urgjente. Më së pari shteti shqiptar
i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të veprojë si një i vetëm. Të lemë mënjanë
cicërimat sa në Tiranë e sa në Prishtinë, dhe ti dalim bashkërisht në krah
Rramush Haradinajt që sot është fytyra e Luftës së UÇK-së, anipse e goditur, e
përbaltur dhe e tradhëtuar. Së dyti, të nisim një process të vërtetë bashkimi
mendjesh e politikash të përbashkëta, të lemë mënjanë marrinat e kombit Kosovar
e shqiptar dhe të sillemi si një gjak e një mendje.
Rramush Haradinaj nuk ka nevojë për askënd nga ne. Ja ka dalë bukur fort të
tregojë pafajsinë e tij me parë, e ka dalë me ballin lart nga Haga dhe do ja
dalë edhe kësaj here. Por sot e kaluara dhe e ardhmja jonë ka nevojë për
mbrojtje nga të gjithë ne, nga politikanët e Shqipërisë, Kosovës, opozita,
diaspora, diplomacia dhe ekonomia e fuqishme dhe që vepron njëherazi. Veprime e
protesta energjike, ne Francë nga diaspora, në diplomaci nga Tirana e
Prishtina, protesta para çdo ambasade franceze kudo ku ka shqiptarë…duhet të
fillojmë të sillemi si një komb i përgjegjshëm..

Sigal