Mesazh urimi, akademikut Kristo Frashëri në 95-vjetorin e lindjes

130
Sot, më 4 dhjetor, akademiku Kristo Frashëri hyn në vitin e 96-të të jetës. I urojmë nga zemra që të arrijë të kapë edhe njëqindvjetorin, e më tej!
Ky shekull i ri ka qenë veçanërisht i frytshëm për historianin tonë të mirënjohur. Përveç pjesëve të rëndësishme të hartuara e të redaktuara prej tij në veprën kolektive “Historia e popullit shqiptar”, vëllimi i I e II, botim i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave (2002), si dhe një numër artikujsh, referatesh e kumtesash, po ashtu dhe një varg zërash në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” në tre vëllime (2008-2009), në këta 15 vjet të shekullit të ri ai ka botuar edhe 26 libra studimorë të veçantë me rreth 8000 faqe shtypi, që janë fryt i erudicionit, i përvojës së tij të gjatë dhe dokumenteve e materialeve të grumbulluara e të sistemuara me kujdes e me durim vite e vite me radhë. Ai ndërkaq ndjek me vëmendje edhe botimet e ndryshme historike e dokumentare brenda e jashtë vendit. Studimet historike të Kristo Frashërit shquhen për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për mbështetjen në dokumente të besueshme dhe për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për objektivitetin shkencor të trajtimit dhe qëndrimin parimor në vlerësimin e faktorit shqiptar në historinë e rajonit e më gjerë; ato dallohen gjithashtu për mbrojtjen e vendosur të së vërtetës historike dhe të interesave kombëtarë ndaj shtrembërimeve (të qëllimshme ose jo) të studiuesve të huaj dhe të bëjnë për vete me qartësinë e shtjellimit, me shprehjen dinamike, të rrjedhshme e të pastër, me stilin shkencor të përpunuar. Publiku shqiptar ka admiruar shkrimet e njëpasnjëshme të tij në shtypin masiv, me të cilat prof. Kristo Frashëri ka sqaruar me argumente bindëse të vërtetat historike rreth disa problemeve të mprehta kombëtare e shkencore, duke dhënë edhe një mësim të urtë për këdo se ç’është shkenca e historisë, si duhen trajtuar e vlerësuar objektivisht dukuritë e ngjarjet historike, cilat janë përgjegjësitë qytetare dhe detyrat e historianit, si duhet luftuar me këmbëngulje për të mos lejuar që e pavërteta të errësojë të vërtetën, si duhet kërkuar me durim në burimet e ndryshme për të gjetur qoftë edhe ndonjë rreze të hollë drite në periudha të errëta, të padokumentuara, të historisë. Tërë vepra shkencore e prof. Kristo Frashërit përshkohet gjithashtu nga ndjenja e dinjitetit të lartë kombëtar dhe nga besimi te aftësitë e popullit të vet për të qenë i barabartë ndërmjet të barabartëve në botën e sotme. Në veprën shkencore të Kristo Frashërit shpaloset një vijë e pamposhtur qëndrese dhe mbijetese e etnosit shqiptar, një synim i pandalshëm drejt konvergjimit kombëtar dhe bashkimit të fuqive intelektuale e të burimeve njerëzore e ekonomike. Në studimet e tij shpalosen ndeshje të mëdha të forcave dhe energjive pozitive të popullit shqiptar dhe njerëzve vizionarë të historisë së tij me forcat e huaja dhe me rrymat e brendshme që janë renditur në anën e gabuar. Prandaj vepra e tij është edhe një shkollë edukimi atdhetar. Prof. Kristo Frashëri, “Nderi i Kombit”, meriton jo vetëm urimet tona më të mira për jetë të gjatë, të qetë e shëndet të mirë, që të çojë përpara projektet që ka ndër duar dhe në mendje. Ai është një vlerë e lartë shkencore kombëtare dhe meriton, në radhë të parë, një përkrahje të përshtatshme e të përhershme shtetërore për t’i krijuar kushte më të mira jetese e pune, për të siguruar botimin e veprave të tij me kritere shkencore akademike dhe me cilësi teknike bashkëkohore. Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare dhe Shoqata Atdhetare Kulturore “Përmeti” shprehin dëshirën që këtij dijetari dhe luftëtari këmbëngulës të së vërtetës historike, në këtë moshë që ka arritur, t’i sigurohet nga ana e shtetit trajtim shëndetësor i posaçëm e i vijueshëm nga specialistët më të mirë. Gjithashtu t’i jepet nga shteti ndihma teknike e nevojshme për të vijuar përgatitjen për shtyp të dorëshkrimeve dhe hartimin e punimeve tashmë të skicuara, si dhe një mbështetje financiare e përshtatshme për të përballuar nevojat e tjera të punës, të jetesës e të përkujdesjes shëndetësore.
Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare
Shoqata Atdhetare Kulturore “Përmeti”
Libra të Kristo Frashërit, të botuar në shekullin XXI (sipas viteve)
1) Skënderbeu. Jeta dhe vepra. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2002, 571 f.
2) Historia e Tiranës. Vëll. I. Toena, 2004, 472 f.
3) Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV. Burime dokumentare shqiptare. Vëll. I. Tiranë, 2005, 380 f.
4) Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj. Bisedë me historianët grekë. Tiranë, 2005, 101 f.
5) Historia e Lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (Vështrim historik me një shtojcë dokumentare). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2006, 471 f.
6) Historia shqiptare në tranzicion (Intervistë me akademikun Kristo Frashëri, historian).“Meshari”, Prishtinë, 2006, 143 f. [Intervistoi Smajl Smaka]
7) Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera. (Ndërhyrje në debatin Ismail Kadare – Rexhep Qose). Tiranë, 2007, 211 f.
8) Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2008, 364 f.
9) Skënderbeu i shpërfytyruar nga një historian zviceran dhe disa analistë shqiptarë. Vështrim kritik. Botimet Dudaj. Tiranë, 2009, 198 f.
10) Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën. 2009, 67 f.
11) E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit. 2010, 111 f.
12) Frashëri – shkëlqimi dhe rrënimi i tij (vështrim i shkurtër). Mirgeeralb. Tiranë, 2010, 201 f.
13) Monedha, krediti dhe banka në Shqipëri (Vështrim i shkurtër me një shtojcë dokumentare. UMSH Press – Toena. Tiranë, 2011, 350 f.
14) Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881). Botohet me rastin e 150-vjetorit të Pavarësisë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2012, 755 f.
15) Historia e Dibrës. Që nga lashtësia deri në mars 1939. Botime M & B, Tiranë, 2012, 621 f.
16) Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 1912, 284 f.
17) Ismail Qemali (Album). Botohet me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2012, 107 f.
18) Abdyl Frashëri. Jeta, veprimtaria dhe shkrimet (1839-1892). Botime M & B, Tiranë, 2013, 430 f.
19) Etnogjeneza e Shqiptarëve. Vështrim historik. Botime M & B, Tiranë, 2013, 272 f.
20) Mbi historinë e Ballit Kombëtar (Vështrim kritik). Botimet Dudaj. Tiranë, 2013, 155 f.
21) Principata e Arbërisë 1190-2015. Botime M & B, Tiranë, 2013, 143 f.
22) Jeta e një historiani. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2014, 464 f.
23) Ahmet Zogu. Vështrim historik. Botime M & B, Tiranë, 2014, 199 f.
24) Historia e Çamërisë (Vështrim historik). UET Press, Tiranë, 2015, 329 f.
25) Kongresi i Përmetit (24-28 maj 1944). Vështrim historik dhe burime dokumentare. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2015, 123 f.
26) Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris 1946 ( Vështrim historik). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë 2015, 255 f.