Memaliaj, banorët në protestë për mungesën e ujit

616
Banorët e Memaliajt kanë protestuar para bashkisë për mungesën e ujit të pijshëm. Ata ankohen se prej një muaji vuajnë mungesën e theksuar të ujit në rubinetet e tyre, gjë që i ka detyruar të mbushin ujë në lumin e Vjosës. Ndërkohë, atyre u ishte premtuar, sipas medies, se falë investimit të rrjetit të ri të ujësjellësit, qyteti do të siguronte furnizimin 24 orë. “Ne kur u bë linja e re e ujësjellësit na u premtua se do të kishim 24 orë ujë pa ndërprerje. Ndërkohë që nuk është fare kështu, uji ka një muaj e ca që vjen me ndërprerje. Herë vjen e herë s’vjen”, thotë një banor. 

Ndërkaq, drejtori i Ujësjellësit në Tepelenë, Arben Kaçorri saktëson se gjendja e vështirë për të gjithë banorët e rrethit të Tepelenës, që ka si shkaktar kryesor thatësirën e madhe dhe të zgjatur, rëndohet më tepër edhe nga faktorët e tjerë njerëzorë. Si më kryesorin ai rendit shpërdorimin e ujit të pijshëm për vaditje dhe ndërhyrjet e paligjshme në rrjet. “Prej datës 1 qershor, duke parë gjendjen e burimeve dhe thatësirën, neve kemi ndezur stacionin e pompave në fshat duke kompensuar atë mungesë uji që ka qyteti. Njerëzit e kanë ndjerë sepse kaluan nga një regjim me 24 orë ujë në një regjim të kufizuar”, thotë Kaçorri. 

Qyteti i Memaliajt i shlyen faturat vetëm në masën 45%, ndërsa banorët ankohen për furnizim jo të rregullt.
Sigal