Meloditë baritore në Beunin historik

832
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico

Shqipëria jonë e 28 mijë kilometrave katrorë, Shqipëria jonë e shtrenjtë dhe e bukur është rezultat i vendimeve të Konferencës emërkeqe e Ambasadorëve në Londër. Kjo ngjarje antishqiptare, kjo padrejtësi historike që i bëhej kombit shqiptar nga Fuqitë e mëdha te Evropës është për të ardhur keq, që nuk është trajtuar në një vepër të vetme, një libër etj., që brez pas brezi shqiptarët të mësonin dhe të mos harronin këtë gjenocid evropian kundër tyre. Disa muaj më parë studiuesi i mirënjohur dr. Fejzi Domni më dërgoi një libër me titullin “Coptimi i Shqipnis” në të cilin gjenden tre kapituj, secili sa një libër i veçantë. Në këtë libër trajtohen këto çështje madhore :

Konferenca e Parë e Londrës (dhjetor 1912 – gusht 1913),

“Konferenca e Dytë e Londrës (1915-1916).

Fati i Vlorës në Konferencën e Ambasadorëve

Në këtë libër gjendet një material i pasur dokumentesh e faktesh, në të cilat shihen qartë se si Shqipëria ishte vënë në tryezën e therjes dhe të copëtimit të saj. Është tronditëse për lexuesin kur ndeshet me diskutime dhe vendime në kurriz të vendit tonë sikur të ishte në thertoren e bagëtive. Ja n je ilustrim: Ndërsa Austro-Hungaria mbronte tezën se Shkodra duhej t’i mbetej Shqipërisë, konsulli rus e pranonte me kusht që Gjakova, Prizreni dhe Peja t’i mbeteshin Serbisë etj. Ajo që është interesante dhe tronditëse është “oreks i” i Italisë. Në nenet që i referoheshin Shqipërisë, neni i gjashtë i saj kërkonte që – “Italia të merrte sovranitetin e plotë për Vlorën, ishullin e Sazanit dhe një tokë shtrirjeje të mjaftueshme për sigurinë dhe mbrojtjen e këtyre territoreve (Dr. Fejzi Domni:”Coptimi i Shqipnis”, kapitulli i parë, f. 13) Vlora strategjike, Vlora e bukur mbeti në oreksin e Italisë edhe në Konferencën e dytë të Ambasadorëve (1915-1916); në rezolutën e saj thuhej: “Mandati i Italisë përmban një territor në kufijtë e 1913-s (Cit. f.7) .

Lufta e Vlorës

(29 maj-3 nëntor 1920)

Shqiptarët e kundërshtuan vendimin e Konferencës së Ambasadorëve. Vlonjatët rrëmbyen armët kundër pushimit fashist Italian. U organizuan çetat e luftëtarëve vullnetarë, krerët e të cilave u mblodhën ne malin e Beunit. Pjesëmarrësit, një zëri vendosën të luftonin pushimin italian gjer në çlirimin e plotë të Vlorës. Nga kuvendi i Beunit iu dërgua një ultimatum Gjeneralit Piaçentini, komandant i forcave pushtuese italiane, i cili u përgjigj me fodullëk banal.

Këtë kuvend luftarak në Beun, populli e skaliti në këngë dhe emrin e la si toponim historik:

Në Beun çetat u mblodhë,

Dhe për luftën kuvëndojnë,

Breshkaqenët t‘i dëbojnë

Piaçentinin ta dërmojnë.

O Beun , o mal i lartë,

Nder mbete për vlonjatë.

(Arkivi IF, dosja e A.F. Fico )

Zemërimi popullor shpërtheu fuqishëm në një luftë plot heroizëm e gjer trup me trup e bëma të rralla siç ishte akti i Selam Musait qe hodhi sharkun mbi telat me gjemba dhe mbeti dëshmori i lirisë Lufta e Vlorës dëshmoi se populli shqiptar është një racë e pathyeshme, e panënshtruar përballë armiqve të jashtëm ngado që ata vinë, nga deti, nga ajri, nga toka. Lufta e Vlorës e 1920-së mori një karakter mbarë kombëtar. Diaspora shqiptare në Shtete e Bashkuara të Amerikës dërgoi vullnetarë dhe bandën e shoqatës “Vatra. Në Itali u organizuan demonstrata kundër pushtimit italian dhe në porte punëtorët sabotonin dërgimin e materialeve ushtarake në frontin e luftës në Vlorë

Këngët popullore për Luftën e Vlorës

Historia mbetet histori dhe dëshmohet me fakte, dokumente dhe dëshmitarë. Por Lufta e Vlorës e 1920-s dëshmohet edhe nga një pasuri e pafundme këngësh popullore të njohura si, Këngët historike për Luftën e Vlorës. Kënga popullore është sa fakt historik aq edhe fakt poetik. Ky ndryshim ka rëndësi të mbahet parasysh në studimet kushtuar këtij eposi historik. Gati mbi gjysmë shekulli më parë kam botuar një studim të gjatë në revistën “Nëntori” me titull “Këngët popullore të Vlorës (“Nëntori”,1960 nr. 8. F.158-166). Në maj të viti 1967 një ekip punonjësish shkencorë të institutit të Folklorit i përbërë nga muzikologë Mexhit Daiu, Agron Fico, tekniku Met Shkëmbi dhe shoferi ndërmori një ekspeditë kërkimore në disa fshatra të Lumit të Vlorës. Qëllimi ishte pasurimi i arkivit të Institutit, edhe pse nga bashkëpunëtorët e jashtëm kishim mjaft materiale të mbledhura me kujdes. Ajo që njihet me termin “Lumi i Vlorës” është vatra e atdhetarizmit, lirisë dhe trimërisë. Atje gjendet një folklor i pasur i të gjitha gjinive dhe llojeve, por mbizotëron epika. Ngjarjet e viteve 1847-48, kundërshtimi dhe lufta kundër Tanzimatit (reformave centralizuese të Sulltanit) kanë prodhuar mijëra vargje dhe këngë për heronjtë e këtyre betejave; si Gjon Leka, Tafil Buzi etj. Por Lufta kundër pushtimit fashist dhe nazist, si në të gjithë Shqipërinë, këtu mori një vend të gjerë dhe krijoi një epikë të re popullore. Ekspedita punoi në disa fshatra: Brataj, Tërbaç, Kallarat, Bolenë dhe Kuç. Materialet e mbledhura dhe inçizimet e grupeve folklorike dëshmuan se tradita e krijimtarisë popullore jetonte e gjallë brez pas brezi. Midis shumë e shumë shembujve mund të përmend regjistrimin e një vaji shumë vargjesh nga një grua e moshuar në fshatin Bolenë ose kërcimi i një valleje ne Horë te Vranishtës. Një botim të veçante me titullin “Këngët popullore te Lumit të Vlorës” ka bërë studiuesi i njohur vlonjat Prof. Dr. Bardhosh Gaçe. Por vënia në kapakun e librit e emrit të Jorgo Panajotit ia cenon vlerën librit, sepse sipas mendimit dhe gjykimit të poetit të njohur dhe publicistit Agim Shehu, që shkruan, “…Ideologu shoven Jorgo Panajoti…thoshte se Legjenda e Kordhocës (legjendë e pastër e lashtë e vendase gjirokastrite) është e minoritetit. Donte të vërtetonte me grabitje folklori, se pakica greke në Gjirokastër ka moshën mijëvjeçare të legjendave!” (Agim Sehu – “Argjendi i Gurit”. 2012, f. 356).

Melodi baritore në Beunin legjendar

Nga Kuçi shkuan në Ramicë ku synonim të bënin regjistrimin e melodive të zileve dhe këmborëve të një stani baritor.

Dija dhe kisha mjaft njohuri për elemente të kulturës dhe traditës në Ramicë. Ushtaraku i lartë dhe njëherazi një intelektual Nevruz Dervishi merrej gjerësisht me këngët popullore të Ramicës, me etnografi, madje krijonte edhe vetë. Kishte botuar disa libra dhe kur ishte larg Ramices ndiqte dhe mblidhte materiale folklorike. Kishte krijuar në shtëpi një arkiv të etnokulturës. Në Ramicë bëmë mjaft regjistrime me interes, këngë epike, lirike etj.

Aty regjistruam edhe një këngë lirike mjaft të veçantë:

Kumbulla prapa shtëpisë, /I bën hije Mehmedisë /Media dhe e bija,në divan rrinin të dyja. Dritë divani, dritë avllia.

Ishte po Nevruz Dervishi, në një vizitë ne familjen e tij, kur vuante nga një sëmundje e pashërueshme, më shtoi edhe këto dy vargje: Memdia Laria, bija kanakarja. Aty, na thanë se melodia e kësaj kënge si dhe këngëve të tjera ishte krijuar nga rapsodi i njohur Qazim Ademi e, prandaj quhej ademçe. Dhe për habinë edhe të muzikologut Daiu ajo këndohej sipas melodive të disa këngëve gjirokastrite me ritëm më të shtuar si: Bëj konak…o moj bëj konak /Bëj konak moj gjeraqinë…. Në Ramicë kryetar i kooperativës së bashkuar ishte Gilo Lame, ish-badigard i Kryeministrit Mehmet Shehu. Bashkërisht hartuam planin se si të shkonim në Beu, ku ishin edhe kopetë e kooperativës, Tekniku dhe muzikologu u nisën që në orën 11 të darkës, ndërsa unë dhe Gilo Lame aty nga ora një a natës, hipur mbi mushka nja 2 orë, ndërsa të tjerat në këmbë. Arritëm aty rreth orës 4 të mëngjesit. Tekniku, Met Shkëmbi i kishte vendosur aparatet e inçizimit të markës “Huher” ne ngushticat e një shtegu ku do të kalonte kopeja. Kishte ndodhur çudia, se ndërsa kopeja po hynte në shtegun për të zbritur poshtë paska kaluar edhe një ujk dhe çobenjt paskan qëlluar me armë dhe shoqëruar me britma. Ishte një skenë reale. Pas inçizimit, që kur e dëgjuam na u duk e pabesueshme nga variacioni i melodive të zileve dhe këmborëve, që tingëllonin aq bukur dhe ëmbël. Ishte 10 maj dhe e festuam këtë punë edhe me një darkë plot humor. Ndiheshim të emocionuar, që për herë të parë po realizohej një inçizim i stanit shqiptar. Kaluan disa javë dhe kur rastësisht dëgjova në një emision të Radio-Tiranës, zërin e drejtori të Institutit te Folklorit Zihni Sako, i cili nuk kishte qenë as në Vlorë, as në Ramicë e as në Beun, që thoshte: “Ky inçizim është një arritje historike, vepër e partisë sonë dhe dokrra të tjera… etj”. E kishte zanat këtë vjedhje intelektuale, prandaj edhe Hoxha, në Ditarin e tij, më 24 mars të vitit 1979 shkruante: “Ato që shkruan Zihni Sako nuk kanë vlerë. Neve nuk na duhen Instituti i parullave, sloganeve…” Kjo pasuri muzikore u fut në Arkivin e Institutit të Folklorit, por për të nuk u bë ndonjë studim. Ajo ka mbetur si dëshmi e një pune plot pasion dhe përkushtim.