Mehmet Metaj: Zhveshja nga pyjet përmbyt Shqipërinë

740
Sigal

Intervista/ Mehmet Metaj Drejtor Ekzekutiv, Qendra ALBAFOREST flet për lidhjen e përmbytjeve me pyjet

Zhveshja nga pyjet përmbyt Shqipërinë vit pas viti. “Pyjet e vërtetë do të mbanin rreth 20 % të reshjeve” shprehet në një intervistë për “Telegraf”specialisti i pyjeve Mehmet Metaj, Drejtor Ekzekutiv, Qendra ALBAFOREST. Gjithashtu ai parashikon një tragjedi akoma më të madhe nëse nuk merren masa të menjëhershme nga shteti shqiptar. “Kemi mbushje të baseneve ujëmbledhës të hidrocentraleve në masën mbi 30% për rreth 40 vjet dhe ato po shkojnë drejt skadencës (nga 100 vjet të parashikuara në projekt), që një ditë do të bëhen shqetësim për ne”, shprehet Metaj. Ndërsa ai tregon dhe mënyrën sesi ringrihet sektori i pyjeve. Gjithashtu metaj, si specialist, nuk mund të rrijë indiferent dhe për poblemin e pronave që ka kapluar shoqërinë shqiptare. Për të kooperativat janë zgjidhja e vetme, praktika të bëra dhe në vendet më të zhvilluara.

 Z. Metaj, pse këto përmbytje të përvitshme në Shkodër dhe në Lezhë?

 Përmbytjet e mëdha dhe të papërmbajtshme në zonat e Shkodrës dhe Lezhës, por dhe në shumë zona të tjera të vendit, ku ka vite, apo po bëhen tashmë dekada që nuk bëhen më investime, as për rimbjellje, as për prita malore, pyjet e lartë janë prerë dhe s’ka kush e pengon ujin, pyjet e vërtetë do të mbanin rreth 20 % të reshjeve. Nga prerjet e pyjeve në zonat e larta, kodrinore dhe malore, kanë ndodhur përmbytje masive në zonat e Shkodrës dhe Lezhës. Kemi mbushje të baseneve ujëmbledhës të hidrocentraleve në masën mbi 30% për rreth 40 vjet dhe ato po shkojnë drejt skadencës ( nga 100 vjet të parashikuara në projekt), që një ditë do të bëhen shqetësim për ne, por për më gjerë.

 Cila do të ishte politika e re për ringritjen e sektorit të pyjeve?

 Në fakt duhen ndërmarrë një sërë masash: Duhet një strategji e re e Sektorit të Pyjeve dhe Kullotave; Ligj i Ri “Për Pyjet dhe Shërbimin Pyjor”; Ulje e nivelit të prerjeve ilegale, permes moratoriumit të eksportit të materialit drusor; Përmirësimi i qeverisjes së pyjeve përmes ringritjes institucionale; Reforma dhe zhvillimi institucional duke krijuar institucionin e mbarështimit të pyjeve; Riinventarizimi kombëtar i fondit pyjor dhe kullosor si dhe; Mbyllja dhe kompletimi i procesit të dhënies së pyjeve në përdorim të komunave dhe krijimi i njësive/strukturave lokale për mbarështimin dhe shfrytëzimin e pyjeve komunale nga vet komuniteti. Të gjitha këto masa do të ndihmonin në ringritjen dhe fuqizimin e sektorit të pyjeve, që përveçse shumë dobive të tjera, do të ndihmonte dhe në mospërmbytjen e përvitshme të zonave të caktuara në vendin tonë.

 Si specialist i fushës, cila mund të jetë zgjidhja për çështjen e pronësisë mbi tokën?

Jam njohur me deklaratta e Ministrit të Bujqësisë ZHRAU z. Edmond Panariti për dhënien e certifikatave të pronësisë mbi tokën, sipas aplikimit “problematik” të 7501-shit, një nyje gordiane e  këtij sektori që prej 20-vjetësh dhe ku nuk ka guxuar asnjeri si nga drejtuesit e MBZHRAU-ve, Qeveritarë apo Kryeministër ta zgjidhë siç e zgjidhi Aleksandri i Madh duke e prerë me shpatë dhe krijimin pastaj të kooperativave bujqësore dhe pyjore në veri, apo atje ku ka më shumë pyje se tokë bujqësore. Kooperativat janë e vetmja zgjidhje, por që duhet bërë fillimisht me rrethe-rajone pilotë, pasi dihet që copëzimi i 400 mijë ha tokave bujqësore të punueshme tek ne dhe rreth 120 mijë ha tokave të abandonuara ka qenë dhe mbetet ngërçi i rritjes së prodhimit dhe barrierës së investimeve serioze për tokën dhe prodhimet bujqësore.

 Dhe si mund të bëhet kjo?

Dhe për ta nisur seriozisht këtë rishqyrtim të çështjes së pronësisë mbi tokën dhe zhvillimin bujqësor në përgjithësi dhe atë rural në veçanti, bashkimin e fermerëve në kooperativa bujqësore në zonat e ulëta dhe jugore dhe në Shqipërinë  e mesme dhe në kooperativa bujqësore-pyjore dhe/ose pyjore në Shqipërinë Veriore dhe veri-lindore dhe jug-lindore, mendoj se na duhet të hartojmë një program në formën e një “Master Plani të Ri Zhvillimi Rural” dhe të kërkojmë asistencë dhe fonde disponibël nga vende më me përvojë. I kemi dhëne dhe ne pyjet komunave dhe jo pak, por rreth 50 % të pyjeve të vendit (rreth 750.000 ha pyje dhe kullota), por pa asnjë objektiv a strategji zhvillimi rural veç emrit si të tilla). Dhe territore të tilla rurale ne kemi rreth 70 % të vendit. Nga 300 mijë vende pune të premtuara, rreth 25-30 % mund të sigurohen vetëm duke vënë në funksion këto skema dhe të mbështetura me skemat ekzistuese dhe të reja të asistencës teknike dhe financiare të programeve aktive të BE/IPARD, por dhe fondacioneve të tjera të vendeve të zhvilluara institucioneve prestigjioze ndërkombëtare siç është FAO, Programi i saj SARD, BB-re etj.