Mehmet Latifi/ Bomba e Ramës dhe shqiptarët e Maqedonisë

569
Në këtë kohë të krizave të përgjithshme që kanë përfshirë Maqedoninë, duke filluar nga kriza politike që ka filluar që nga koha pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe është në rritje e sipër me shpalosjen e të ashtuquajturave “Bombat e Zaevit” për veprimtaritë kriminale të zyrtarëve qeveritar në bashkëpunim me DSK-në, nuk rresht refreni i nja “gramafoni të prishur” se shqiptarët synim e kanë bashkimin e tyre në Europën e bashkuar, në atë Europë që gjithmonë e kemi quajtur dhe e qaujmë “Shtrigë e vjetër”. Kësaj kohe të krizave, kryeministrit shqiptar Edi Rama, i dhezi kandili dhe deklaroi se Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen pavarësisht nga BE-ja! Ishte kjo për opinionin e sidomos shqiptar “bombë e ëmbël”, bombë që ashpër u kundërshtua nga zyrtar dhe qeveritar të fqinjësisë së afër e të largët-sidomos reagimi i ashpër i Serbisë- edhe pse disa prej tyre akoma nuk janë deklaruar por presin zhvillimet e mëtejme për tu përcaktuar se nga do tia mbajnë. 
Deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama të cilën po e citoj si deklaratë integrale është si vijon: “Unë besoj që ka dy mënyra për ta kuptuar këtë. Njëra mënyrë eshtë mënyra tradicionale e bashkimit kombëtar, me ato hartat e vizioneve nacionaliste dhe romantike të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, dhe mënyra tjetër është që të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që na jep sot paqja, për t’i bashkuar realisht shqiptarët në ndërveprimet e tyre, që në nivelin individual deri në nivelin më të lartë shtetëror, nga ekonomia në arsim, nga energjia në turizëm, nga bujqesia në tregti, në infrastrukturë e kështu me radhë. Dhe për ta kthyer kufirin në një konvencion që nuk na pengon të përjetojmë një hapësirë të përbashkët, si një hapësirë unikë dhe poashtu për ta avancuar procesin e integrimit në një formë të tillë që gjithë shqiptarët në rajon të jenë pjesë e BE-së dhe si të tillë të ndihen më të mbrojtur, të ndihen më të sigurtë dhe të ndihen dinjitozë, në mënyrë të barabartë…Në vazhdim të deklaratës thuhet: “Besoj që duhet thënë edhe dicka tjetër, që bashkimi ynë, dhe nese duam ta themi edhe më shkoqur, bashkimi i shqiptarëvë te Shqipërisë dhe Kosovës, pasi këta në fakt janë shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare dhe nuk flasim për tjerët, që janë në shtetet tjera është i pashmangshëm dhe i pa diskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë, a do ndodhë në funksion të Bashkimit Evropian, si një proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë, apo do të ndodhë si një ragim ndaj një verbërie apo një pertacie europiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasje ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi, që gjithmonë e më shumë është e varur nga taktika e ditës, në një fuqi strategjike. Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte njohur më parë si pjesë e saj, dhe që normalisht, pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësi në të qenit së bashku, pa pasur nevojë që tmerreshin me kufitë ndërkohë që një Europë verbërisht taktike dhe në vijim do të bënte që të triumfonte me patjeter dhe pa asnjë mundësi të dytë linja e një bashkimi përsëri në funksion të një Europe të ardhme, por në radhë të parë të një funksion në ditët e sotme ku shqiptarët nuk do ta pranon për një kohë të gjatë këtë historinë tërhiqe mos e kput te Europës dhe ktë qasjen tërhiqe mos e kput me njëri – tjetrin”. 
Deri më tani, “gramafonët e prishur” na i kanë shurdhuar veshët dhe na kanë shitur mjegull e na kanë mbytur me Europën e Bashkuar! Na kanë mbytë me atë Europë që vazhdimisht e kanë quajtur dhe e quajnë “Shtrigë e vjetër”! Na kanë mbytë dhe vazhdojnë të na mbysin e të na shesin mjegull me Europën e Bashkuar që historikisht është dëshmuar se nuk i ka dashtë kurrë shqiptarët e bashkuar dhe pikërisht përë këtë është angazhuar maksimalisht në copëtimin e tokave dhe popullatës –kombit shqiptar. Kjo më së miri mund të shihet në aspektin gjeografik dhe politik, sepse shqiptarët janë shpërndarë në 5 shtete, mbase më keq se kudërt. Për dallim nga sjellja e Europës ndaj shqiptarëve, shqiptarët gjithnjë e kanë dashur Europën, Ndërkaq, shqiptarët ka të ngjarë që edhe e kanë dashtë Europën e Bashkuar, por edhe e duan të bashkuar. Shqiptarët e duan Europën në rend të parë për shkak të botëkuptimeve perëndimore, që Europa kurrë nuk e ka vlerësua këtë fakt, por vazhdimisht i ka lënë që të “kontrollohen” nga Lindja…
Vazhdimisht gjatë një periudhe kohore na shesin “dushk për gogla” se janë kujdestarët tanë për të hyrë në Europë, që nesër të stolisen me kurora dafinash se ata kushto qofshin na qenkan meritorët dhe largëpamësit që shqiptarët të orientiohen dhe të hynë në Europën e Bashkuar. 
Se shqiptarët e kanë dashtë dhe vazhdimisht kanë synuar Europën-perëndimin e jo Moskën, lindjen ose orientin mjafton të përmendim të Madhin Skënderbe, i cili kërkoi emisar nga Roma-nga Vatikani. Të njëjtën gjë e kërkoi edhe Fan Noli edhe pse ishte kryepeshkop ortodoks, ai kërkoi 500 emisar nga Vatikani e jo nga Moska ose nga Konstantinopoja-Stambolli! Ti këthehem Europës së bashkuar, ku sipas trumbetuesve që në pamundësi që shqiptarët të bashkohen në një shtet të vetëm, do të bashkohen në atë Europën e bashkuar, ekzistojnë disa dilemma të përgjithshme. Unë jam mbase pak i “mbrapambetur” dhe mbase nuk jam aq “europian” sa disa shqiptar që veten e quajnë “europian me profesion”, por jam vetëm shqiptar! Këtë e them sepse përkundër intencës dhe përpjekjeve për të na i “kripur trutë” me idealet dhe aspiratat europiane të shqiptarëve, mendoj se shqiptarët janë në Europë edhe gjeografikisht, edhe politikisht edhe de facto edhe de jure, mirëpo disa “më të mençëm” po na tregojnë se çfar do të thotë Europa e bashkuar për shqptarët, ku të gjithë popujt e Europës do të jemi të barabartë!!! Kjo që të gjithë popujt në Europën e bashkuar do të jenë të barabartë po më rikujton një parrullë që mbase rinia e sotme nuk e mbajnë në mend, por gjeneratat e mia e kanë të njohur që thoshte: “Proletar të gjithë botës bashkohuni” dhe të ngjashme! 
Jam pak i “mbrapambetur” dhe më shkon mendja nganjëherë për këto bashkime europiane që po na i servojnë idealistët e sponsorizuar europian, pa dhënë disa sqarime paksa më të shtjelluara dhe më të hollësishme siç janë:
1. Sa është afatzgjatja-jetëgjatësia e Europës së bashkuar?
2. Cilat janë kriteret e përfshirjes-anëtarësimit në Europën e bashkuar?
3. Kriteret ekonomike…?
4. Kriteret sociale…?
5. Kriteret kulturore…?
6. Kriteret kombëtare…? , apo ka edhe kritere tjera, kur pikërisht ka tentative të vendeve anëtare të Europës së bashkuar që duan ta braktisin këtë Europë të bashkuar.
7. Kriteret e sigurisë dhe mbrojtjes…? 
8. Sa janë shqiptarët tani për tani të pregatitur dhe të informuar për këtë bashkim të tyre në Europën e bashkuar?
Shqiptarët mendoj unë kështu i “mbrapambetur” duhet në rend të parë të bashkohen brëndapërbrënda vetëvetes, të bashkohen në një shtet të vetëm, që ashtu të bashkuar të konkurojnë në Europën e bashkuar, ashtu siç vepruan gjermanët- apo mos vallë gjermanët janë më budallenj se ne shqiptarët? Së dyti, historikisht dihet se asnjë perandori, organizatë, asnjë asociacion apo pakt nuk ka qënë dhe nuk është i përjetshëm ndaj kjo më shtyn me të drejtë të shprehë skepticizmin tim edhe këtu, se, nëse vjen deri tek zhbërja-shkatërrimi i kësaj Europe të bashkuar, si do të veprojnë dhe ku do të shkojnë shqiptarët e përçarë e të ndarë? 
Në mënyrë hipotetike po e them-se edhe bashkimi i shqiptarëve në Europën e bashkuar është hipotekë- një rast të tillë, francezët do të këthehen në Francën e tyre, spanjollët në Spanjën e tyre, gjermanët në Gjermaninë e tyre paraprakisht të bashkuar, holandezët në Holandën e tyre. Në këtë rast edhe serbët do të këthehen në Serbinë e tyre, bullgarët në Bullgarinë e tyre, rumunët në Rumaninë e tyre,…po shqiptarët ku do të këthehen? Shqiptarët a do të këthehen përsëri në Shqipëri…?…në Kosovë…?… në Mal të Zi…? në Çamëri…? në Maqedoni…?, në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë..? apo ku do të këthehen nga Europa e dikurshme e bashkuar??? Prandaj jam ithtar i bashkimit brëndapërbrënda trungut shqiptar dhe pastaj bashkimi me të gjithë të tjerët në Europën e bashkuar, sepse asnjë shtet europian nuk i ka specifikat e popullit shqiptar duke “faleminderuar” pikërisht asaj Europe që po duan emisarët me na orientua, thotë njeriu se asnjë shqiptar tjetër pos atyre 10-15 vetave nuk qenka i vetëdijshëm se cili opcion është më i mirë për të ardhmen e shqiptarëve. Prandaj e mbështes fuqishëm nismën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën pavarësisht nga BE-ja, me një kusht që kjo deklaratë të mos jetë deklaratë sa për të na shitur mjegull, por dhashtë i Madhi Zot të jetë deklaratë që të jetësohet dhe jetësimi i sajë të rezulton edhe me bahkimin e trojeve tjera shqiptare, që shqiptarët të konkurojnë të bashkuar në Europën e bashkuar. 
Serbia notë proteste Shqipërisë: Deklarata e Ramës provokative, kërcënon stabilitetin
Ambasadës së Shqipërisë në Serbi i është dërguar një notë proteste nga ministri i Jashtëm Ivica Daçiç në lidhje me deklaratat e kryeministrit Rama. Në notën e protestës thuhet se “pikëpamjet e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë janë të papranueshme për Serbinë. Kjo është një tjetër deklaratë provokuese e përfaqësuesve më të lartë të politikës në Shqipëri, e cila shkakton dëme në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe kërcënon stabilitetin në Rajon”. Po ashtu thuhet se Serbia pret mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për dënimin e deklaratave të kryeministrit të Shqipërrisë. Më tej thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, i ka dërguar një letër Këshillit të Sigurimit të OKB, dhe i dha udhëzimet e duhura të gjitha misioneve dhe ambasadave jashtë vendit. Udhëzimet i janë drejtuar të gjitha misioneve të Serbisë në organizatat ndërkombëtare, ambasadave në vendet e BE-së, Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në vendeve fqinje.
Rama: Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në mënyrë klasike
Gjatë intervistës për mediat kosovare, Rama paralajmëroi se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në mënyrë klasike në qoftë se BE-ja nuk e hap rrugën për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave. Rama ka thënë se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë i ka dy mundësi dhe kjo varet nga BE. “I pari është bashkimi në Unionin Evropian, megjithatë nëse BE-ja vazhdon të mbyllë dyert për integrimin e Kosovës, atëherë të dy vendet do të jenë të detyruara të bashkohen në mënyrë klasike”, citohet të ketë thënë Kryeministri shqiptar.
Rama tha më tej se të dy vendet janë të angazhuara për bashkim përmes anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Është një turp i BE-së mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në rajon që nuk e gëzojnë këtë lehtësim”.
Sigal