Mehmet Biçaku:“Administrata e fryrë, në shtator priten reformat”

585
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Kryetari i Partisë Socialiste në Librazhd,Mehmet Biçaku

Kryetari i Partisë Socialiste në qytetin e Librazhdit, z.Mehmet Biçaku në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf” ka komentuar fitoren e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Ai falënderon të gjithë qytetarët që besuan në rilindjen e PS dhe se ky besim do të kthehet në zgjidhjen e halleve të tyre. Gjithashtu, Biçaku shprehet se, në shtator PS është e gatshme për të bërë reforma na të gjithë administratën shtetërore dhe se në krye të tyre do të vendosin njerëz, të cilët do të bëjnë punën.

-Zoti Biçaku ju u shprehët në një intervistë dhënë për gazetën tonë, para zgjedhjeve, se Partia Socialiste në Librazhd do të fitojë bindshëm dhe kjo u arrit. Por cila ishte e vërteta që ju çoj drejt fitores?

Fakti dhe e vërteta është se ishte një gëzim për të gjithë qytetarët e Librazhdi, të cilët për 8 vjet mbajtën në kurriz jo vetëm mos zgjidhjen e halleve të tyre, por mbajtën në kurriz dhe shpërdorimin që PD u bëri. Partia Socialiste e Librazhdit sipas angazhimit që mori gjatë fushatës arriti të marrë 55% si forcë e parë politike, me 2438 vota kurse PD mori 27 % me 1210 vota. Kjo është një punë e vetë PS-së dhe stafit të sajë që punoi me përkushtim për t’u kthyer besimin, sigurinë se do të jetë në shërbim të qytetarëve. PS e Librazhdit në rrugën e saj nuk do të largojë një grup drejtorësh dhe të ofrojë një grup tjetër, por do të përqendrohet të vendosë në krye të drejtorive njerëz specialist të aftë dhe të përkushtuar të rilindin qytetin e Librazhdit, në zbatim të programit tonë. Ne nuk do të shohim njerëz  në kanë bindje të Majtë apo të Djathtë, por ne do të fokusohemi në zgjidhjen e halleve që kanë qytetarët duke zgjidhur brenda vitit të parë të mandatit tonë, problemin kyç të punësimit në mënyrë që asnjë familje të mos persona të papunë. Kjo punë do të arrihet edhe falë përkushtimit të deputeti tonë Taulant Balla. PS e Librazhdit në analizën e punës që do të bëjë së shpejti do të ndalet hollësish jo vetëm te suksesi që arriti, por dhe në disa përgjegjësi që e vërtetojnë këtë, sigurisht ne do të gjejmë rrugën dhe forcën për t’ju përgjigjur qytetarëve në çdo kohë që ata do të kenë nevojë për ne. Gjithashtu, dua të them se ditën që do jetë kjo analizë, PS e Librazhdit do të shpalli dhe fushatën për zgjedhjet lokale duke mos e ndërprerë punë me stafin e fushatës, ku jam i sigurt se fitorja do të jetë dhe me surprizë se sa kjo e 23 Qershorit.

-Çfarë do të bëhet me administratën publike pasi siç e dimë është tepër e fryrë?

Ne jemi të përgatitur që në shtatorë të bëjmë reformë për një zhvillim të Librazhdit për të gjitha administratat publike, veçanërisht në arsim, ku dhe është sektori më problematik, por pa anashkaluar edhe shëndetësinë. Dhe në të gjitha institucionet e tjera shtetërore për të vënë në krye të tyre njerëz të aftë  për punë.

-Si do t’jua ktheni banorëve të Librazhdit këtë besim që ju dhanë?

Duke e parë qytetin e Librazhdit si një qytet të vogël dhe të shfrytëzuar nga njerëz të papërgjegjshëm dhe duke u nisur nga rezultati që PS-ja arriti, ne do t’i qëndrojmë deri në fund premtimeve të bëra për ta Rilindur qytetin. Sigurisht dua të shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë popullin e Librazhdit pasi janë një popull i mrekullueshëm. Unë u premtoj atyre, se nuk do t’i zhgënjejmë për besimin që na dhanë.

– Duke pasur parasysh, se ju do të qeverisni bashkë me LSI-në dhe aleatët e tjerë të koalicionit a kanë nisur takimet përkatëse këtu në Librazhd?

 Së shpejti do të nisim punën dhe me aleatët e koalicionit për bashkëqeverisjen, sepse së afërmi do të marrim dhe Këshillin Bashkiak për të përmbushur realizimin e këtyre detyrave dhe për të qenë të fortë në pushtetin ekzekutiv, në mënyrë që të realizohen të gjitha këto detyra së bashku me aleatë e koalicionit.

-Cili është mesazhi juaj për qytetarët dhe kundërshtarin politik?

Mesazhi ynë për qytetarët e Librazhdit është që ‘le të vazhdojmë  të jemi të gjithë së bashku për zhvillimin e rrethit të Librazhdit’. Kurse kundërshtarëve politikë ju bëj thirrje që t’i binden verdiktit të popullit dhe na mbështesni në realizimin e detyrave që ka ky qytet.