Mehill Ndrepepaj/ Pse kaq indiferentë ndaj historisë së Shkollës “Skënderbej”?

943
Pse kaq indiferentë ndaj historisë së Shkollës “Skënderbej”? Pse heshtën mediat vizive?!
Më 28 mars të muajit të kaluar, në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Komandës së Doktrinave, u festua me entuziazëm e madhështi, një nga ngjarjet më të shënuara të Ushtrisë shqiptare,70-vjetori i krijimit të Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbeu”. Në të morën pjesë “Skënderbegas”, përfaqësues të brezave, që kaluan në bankat e saj, të ardhur nga të gjitha anët e vendit, madje edhe nga Greqia, Italia e SHBA. Ishin mbi njëmijë nga ish-nxënësit, familjarë, shokë e miq të tyre e të ftuar të tjerë. Nuk synoj që me këto radhë të bëj kronikën e asaj feste, vërtetë të bukur, të organizuar e plot dinjitet, por të theksoj disa qëndrime indiferente, të pakëndshme e të pahijshme të disa institucioneve e drejtuesve të tyre. U dukën ato si gjatë përgatitjes dhe në ditën jubilare të festimeve. Me shumë vonesë e vështirësi, u arrit njëfarë mirëkuptimi e bashkërendimi me Ministrinë e Mbrojtjes për t`u mbledhur, pikërisht aty, ku u vendosën të parët pionierët e luftës dhe u nisën themelet e asaj që u bë institucion i rëndësishëm arsimor, ushtarak e edukativ atdhetar. Aty merrte kuptim më të plotë jubileu i nderuar, aty do të ndjeheshim ngrohtë, jo thjesht për kushtet, por sidomos për simbolikën. Fjala e parë u tha se shoqata nuk na qenka e regjistruar. E habitshme! Shoqata Kombëtare “Skënderbegasi” është krijuar më vendim gjykate, këtu e njëzet vjet më parë dhe me veprimtari mjaft të dendur shoqërore, kulturore e atdhetare, e përshëndetur nga presidentë dhe ministra, nga Shtabi i Përgjithshëm, deputetë e shoqata të tjera, me të cilat është komunikuar thjeshtë e mirë. Duket sikur “qeveria” e Mbrojtjes kishte frikë, dreqi i di nga se donte të largohej, gjoja ligjshmërisht. Ku paskan qenë deri tani? A ka vijimësi M. e Mbrojtjes, apo e ka filluar nga zeroja më 2013? Nuk ka ndonjë kontradiktë, por, për hir të së vërtetës do thënë se, pasi dikush dha miratimin (edhe pse me vonesë), gjetëm mirëkuptimin të jo pak funksionarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm. I falënderojmë dhe u jemi mirënjohës z.Kujtim Kazadei, drejtor i Arsimimit dhe i Përkrahjes Sociale për ushtarakët, znj. Edlira Prendi, këshilltare për mediat, znj. Aida Kripa, kolonele Manushaqe Shehut, drejtoreshë në Shtabin e Përgjithshëm, e drejtoreshës së Qendrës Kulturore të Ushtrisë, znj. Mirela Roshi. Ministria e Mbrojtjes na mbështeti, na krijoi hapësira, por nuk akordoi asnjë fond për të përballuar disa nga shpenzimet e domosdoshme, as sa për të shkruar një pankartë treguese e mirëseardhjeje, siç e kanë bërë gjithnjë pritësit. Por, në respekt të asaj shkolle e të nxënësve të saj në breza u gjetën dashamirë mes shokëve tanë si dhe jashtë strukturave të Ushtrisë për të ndihmuar në plotësimin e disa kërkesave të festimeve të tilla. Megjithatë u jemi shumë mirënjohës me sa bënë Ministrisë. Hyrja e festarëve në mjediset e brendshme fillimisht u lejua nga porta, prej së cilës dilnin vetëm karrocat me mbeturina e makinat e mëdha të transportit, a thua se po vinin ca “kokë palarë” e jo ata që kanë pasur në dorë vite të tëra drejtimin e ushtrisë sonë (më pas u la hyrja nga porta e ish-Shkollës së Bashkuar). Si të mos mjaftonin këto, Ministria e Mbrojtjes, në mënyrë të pajustifikuar ka hequr memorialin, ku tregonte vendin dhe datën, ku e nisi jetën Shkolla “Skënderbej”. Ajo u vendos në jubileun e 60-vjetorit ne fasadën e ndërtesës, ku hynë nxënësit e parë të saj. U bë atëherë me kujdesin dhe shpenzimet e gjeneralmajor Perlat Sulës. Mos vallë nuk kishte vend tjetër në atë godinë katërkatëshe për një tabelë treguese të funksionit të sotëm, të cilat, zakonisht vihen në portën hyrëse ose afër? Ku shkoi ai memorial? “Po me urën ç`patën”? Tani mbetet të pyesim se ku është pllakati i memorialit?! Ai nuk është aq pa vlerë, si mund të mendojë dikush. Ministria e Mbrojtjes nuk mori parasysh asnjë nga propozimet e shoqatës për ndonjë dekorim të mundshëm. Madje mori përsipër të njoftonte mediat për të pasqyruar këtë veprimtari me përmasa të rëndësishme, por nuk solli njeri. Gjithashtu nuk ftoi asnjë nga përfaqësuesit ushtarakë të akredituar në Shqipëri, të cilët, përherë kanë qenë të pranishëm. Përkundër këtyre, që thamë, ardhja e zv.ministrit të Mbrojtjes Petro Koçi dhe e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Jeronom Bazes dhe qëndrimi e festimi me ne ishte i mirëpritur, në pajtim me atmosferën e festës. Fjala e z. Petro Koçi, (pa asnjë fjalë nga ministrja) ishte e ngrohtë dhe vlerësuese siç e ka merituar ajo shkollë. Për mendimin tonë, për nga rëndësia e ngjarjes, nuk mjafton të justifikohet me faktin se ata që erdhën janë vartës të ministres. Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm dhe si Skënderbegas, nuk denjoi as të merrte pjesë as të dërgonte dy fjalë. Thonë se u paska çuar një përshëndetje skënderbegasve që jetojnë e punojnë në Greqi, por ne këtu paskemi qenë “më pak e më larg”. Mos ruhej se këtu mund ta dëgjonte dikush? Ai i njeh mirë Skënderbegasit dhe shpirtin e tyre. Nuk janë kështu, janë të hapur e pa komplekse. Për ne nuk ka problem. Ai personalisht ose me fjalën e tij do të ishte i mirëpritur sidoqoftë do të ishte në nderin e tij dhe do të duartrokitej me siguri. Por, fatkeqësisht, me sa shihet nuk është ne gjendje të bëjë vetë as mirë as keq. Gjithashtu, Presidenca nuk pranoi të dekoronte asnjë nga shokët tanë që kanë merita të padiskutueshme, duke dhënë jo pak për ushtrinë tonë, që e futën me dinjitet në NATO, me pretekstin foshnjor se “po ndryshon rregullorja e dekorimeve”. Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, ka qenë krenari e arsimit të mesëm për gati 50 vjet, por as ministrja as kush tjetër nga ai institucion, nuk iu përgjigjën ftesës sonë. Zonjë e nderuar dhe ju të tjerët, në ato banka janë mataruar me shumë cilësi mijëra djem nga i tërë vendi, kanë dhënë mësim me cilësi e përkushtim mbi 150 mësues nga më të aftët e më kompetentët. Askush nuk mund të marrë guximin ta nënvlerësojë a ta harrojë këtë pjesë të ndritur të historisë së arsimit tonë kombëtar.
Prania e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore mungoi dukshëm, por Shkolla “Skënderbej”, ajo masë e madhe që i bashkon në shoqatën e tyre është për t`u vlerësuar më shumë vëmendje. Është shoqata më e madhe në vend dhe më e madhe se shumë parti së bashku. Atë ditë u mblodhën shumë, tej kapaciteteve të mjedisit edhe pse goxha i madh. Pas tyre janë dhe mijëra të tjerë po të së njëjtës frymë, me shumë familjarë e të afërm, po aq solidarë. As burokratët e zyrave, as Tomat e Frrokët, madje as gazrat e ëmbël të Marinzës nuk duhet t`ua kishin larguar vëmendjen nga historia e ndritur e asaj shkolle të madhe e nga ai komunitet aq i gjerë i Skënderbegasve. A më kuptove?!
Sigal