Mediat e huaja deklarojnë, se arrestimi i ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, çështje orësh

704
Vetëm pak orë pasi KQZ vendosi zëvendësimin e mandatit të ish-ministrit të Brendshëm Tahiri me deputetin pasues në listë, Spartak Braho, prokuroria është vënë në lëvizje për të avancuar hetimet në lidhje me çështjen “Habilaj” dhe lidhjen e tyre me ish-ministrin e Brendshëm, çka u vërtetua edhe nga përgjimet e shumta të policisë italiane. Ndoshta dorëheqja e Tahirit vetëm 1 javë më parë, deklaratat e tij dhe zëvendësimi para 24 orësh i kreut të prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë bërë që të lëvizin shumë ujëra dhe dosja që priste në sirtarët e organit të hetimit duket se është shkundur dhe nuk përjashtohet mundësia që për çështje orësh të kryhet edhe arrestimi i ish-ministrit Saimir Tahiri. Një muaj më parë , ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në intervistën e tij për emisionin ‘Opinion’ më 5 prill 2018 ka folur edhe për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Lu tha se: “Çështja e hetimeve për Tahirin ka vazhduar, ndërsa tregoi se është pranë ndjekjes penale”. Dhe me sa duket muaj i maj shënon edhe fillimin e goditjes së “peshqve të mëdhenj”, e cila u mor si me shaka kur kjo gjë u deklarua nga ambasadori Lu, në fundin e vitit të kaluar.

Po si lindën akuzat për lidhjet e Tahirit me vëllezërit Habilaj, kur filluan ato dhe kush i nisi i pari publikisht këto akuza, roli i Dritan Zaganit dhe reagimet e opozitës. Qëndrimi i PS, kërkesat e ndërkombëtarëve dhe deklaratat e Tahirit.

Moisi Habilaj, personi i arrestuar sot në Itali, është një nga tre vëllezërit Habilaj, të cilët u bënë të njohur për publikun për shkak të akuzave publike ndaj tyre për trafik droge në drejtim të Greqisë dhe Italisë. Fillimisht, akuzat ndaj vëllezërve Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit anti-drogë në policinë e Fierit dhe më parë punonjës i policisë kufitare në Vlorë. Zagani ishte informuar dhe si rrjedhojë, kishte kryer hetime ndaj vëllezërve Habilaj për përfshirjen e tyre në trafik droge. Për të kryer këto hetime duket se Zagani ndau dhe kërkoi informacion nga oficerë të misionit të Gurdia di Finanza në Shqipëri. Të gjitha faktet e mbledhura ai ia kaloi eprorëve të tij. Në mënyrë të pashpjeguar, në vend që faktet e grumbulluara prej tij të referoheshin në prokurori nga policia e Fierit dhe e Vlorës, Dritan Zagani u akuzua nga policia për dekonspirimin e aksioneve të saj, duke pretenduar ndër të tjera se shkëmbimet e informacionit me oficerët e Guardia di Finanza ishin bërë në shkelje të ligjit. Për këtë arsye ai u arrestua nga prokuroria dhe u la në arrest shtëpie nga gjykata në pritje të mbylljes së hetimeve ndaj tij. Zagani theu arrestin shtëpiak dhe u arratis nga Shqipëria. Ai kërkoi strehim politik, i cili iu dha nga autoritetet zvicerane. Pas largimit nga Shqipëria, Zagani deklaroi se akuzat dhe arrestimi ishin hakmarrje ndaj tij nga Ministri Saimir Tahiri, për shkak se ai kishte hetuar tre vëllezërit Habilaj. Sipas Zaganit, Habilajt ishin kushërinj të Sajmir Tahirit dhe kishin mbrojtjen e tij për trafikimin e pa ngacmuar të drogës. Zagani akuzoi se Tahiri kishte vënë në dispozicion të tyre makinën e tij vetjake, makinë tip Audi me targë AA003GB, me të cilën Habilajt kryenin trafikun e drogës drejt Greqisë, duke qenë se policët kufitarë nuk guxonin të kontrollonin makinën personale të ministrit të tyre. Saimir Tahiri u përgjigj se ai nuk kishte asnjë lloj lidhje me vëllezërit Habilaj dhe makinën ua kishte shitur atyre mbasi ishte bërë ministër dhe nuk i njihte dhe kishte asnjë lidhje më me ta. Pas kësaj deklarate, në media u publikuan të dhëna që tregonin se makina Audi AA003GB që përdornin vëllezërit Habilaj ishte në fakt e regjistruar në emër të Ministrit Tahiri. Përballë këtyre dëshmive, Ministri Tahiri u detyrua të pranonte se makina ishte ligjërisht ende në pronësi të tij dhe e regjistruar zyrtarisht në emër të tij. Këtë gjë ai e shpjegoi duke thënë se: Tahiri nuk e kishte deklaruar ligjërisht shitjen—dhe për pasojë nuk kishte kaluar letrat në emër të Habiljave-sepse nuk donte që të ardhurat nga shitja t’i sekuestroheshin nga përmbarimi gjyqësor, pasi me vendim gjykate ai duhet t’u paguante dëmshpërblim për shpifje ndaj fëmijëve të ish-Kryeministrit Berisha, të cilin nuk donte ta paguante duke deklaruar se nuk kishte para. Ky deklarim ishte pranim i shkeljes së ligjit dhe evazionit fiskal nga Ministri Tahiri, por kjo gjë nuk u hetua nga askush. Pas disa ditësh, në media doli një e vërtetë tjetër: Ministri Tahiri kishte udhëtuar të paktën dy herë në Greqi me makinë Audi AA003GB, disa muaj pasi ai kishte deklaruar që e kishte shitur makinën tek Habilajt. Këtë fakt të ri Tahiri e shpjegoi me justifikimin se udhëtimet e tij në Greqi ishin private dhe duke mos dashur të përdorte makinën zyrtare për qëllime private, u kishte kërkuar Habiljave t’ia linin makinën për këto udhëtime. Kjo deklaratë e re e tij hodhi poshtë deklaratën e mëparshme se ai nuk kishte lidhje me Habilajt, përtej faktit që u kishte shitur atyre një makinë. Nën trysninë e këtyre fakteve publike dhe akuzave të vazhdueshme të opozitës, prokuroria e Fierit nisi hetimin në lidhje me kushërinjtë Habilaj dhe përdorimin e makinës së tyre për trafik droge. Por hetimi u pushua pas pak muajsh me arsyetimin se nuk u gjetën prova për akuzat kundër tyre. Pas këtij vendimi, ministri Tahiri përshëndeti ndërprerjen e hetimeve ndaj kushërinjve të tij me një mesazh në faqen e tij në Facebook: “Tani që prokuroria vërtetoi gënjeshtrat e policit në arrati, Shqup-it i humbi edhe llumi i rrenave. Ky është nga ato rastet kur gënjeshtra të përplaset në fytyrë, e shqup-istave u është nxirë faqja tashmë. Politika që ndërtohet mbi të vërteta, ka vlerë gjithmonë. Gënjeshtra është grykëse, nuk ngopet kurrë. Kjo vlen dhe për shqup-istat.” Arrestimi i njërit prej vëllezërve Habilaj si pjesë e një grupi kriminal të trafikimit të drogës hedh dritë të re mbi akuzat e vjetra për aktivitetin e dyshuar kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e dyshuara të Ministrit Tahiri me ta dhe aktivitetin e tyre. Nga aksioni i policisë italiane sot është bërë i ditur edhe një fakt interesant, që në pamje të parë duket se mund të konfirmojë një akuzë të hershme ndaj grupit të Habiljave. Policia italiane pohoi se grupi i arrestuar në Itali, ku bën pjesë Moisi Habilaj, ka dërguar në maj të vitit 2015 një sasi prej 800 kg marijuanë nga Shqipëria, sasi, e cila u sekuestrua nga policia italiane në atë kohë. Në të njëjtën periudhë, në maj 2015, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj akuzoi vëllezërit Habilaj se kishin vjedhur nga Komisariati i Vlorës një furgon me 800 kilogramë kanabis sativa të sekuestruar, dhe Ministrin Tahiri që kishte krijuar lehtësira për mundësimin e kësaj vjedhjeje. Ministri Tahiri e hodhi poshtë akuzën e opozitës dhe policia, si në të gjitha rastet e tjera kur janë akuzuar vëllezërit Habilaj, nuk ndërmori asnjë veprim. Arrestimi i Moisi Habilajt në Itali ndoshta do të shërbejë për fillimin e zbardhjes, jo vetëm të aktivitetit të dyshuar kriminal të vëllezërve Habilaj, por edhe të pozicionit të ish-Ministrit Tahiri në lidhje me ta. Dyshimet ndaj tij nuk u zhdukën asnjëherë dhe ndoshta ato do të sqarohen përfundimisht. Pas këtyre zhvillimeve vjen edhe kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila i kërkoi komisionit parlamentar të mandateve dhe ligjeve heqjen e imunitetit të Tahirit, por një gjë e tillë nuk u bë e mundur, pasi përfaqësuesit e socialistë në komision me shumicë votash e bllokuan kërkesën e organit të hetimit. Zhvillimet rrodhën me shpejtësi dhe lajmet apo “tersi” për Tahirin nuk ndalen. Dhe skandali i kapjes së patentave të familjes Tahiri në automjetin e Sotës i vendos kapak çështjes që dukej se po qetësohej. Ministria e Brendshme në krye të së cilës tashmë është z. Fatmir Xhafaj bënë me dije se policia në një aksion ‘rutinë”, më datë 3 nëntor 2017 njofton se janë kapur 800 mijë euro cash në një makinë në Elbasan bashkë me dy patenta të ish-ministrit Tahiri. Çfarë donin bashkë 800 mijë euro me patentat e Saimir Tahirit? Pas kësaj Tahiri duke ndjerë fuqinë e hetimeve të prokurorisë, por edhe sulmin nga brenda ‘Rilindjes” deklaron se kur të flasë do të dëgjoni gjëra që as i keni menduar, duke aluduar për drejtuesit e partisë së vet, asaj të brendshme, bashkisë dhe Kuvendit. Një gjë të tillë ai e përforcoi edhe para një jave, në 3 maj ditën që dorëzoi mandatin e deputetit. Ndoshta ekstradimi i “financierit” të Habilajve në mënyrë të kundërligjshme nga ministria e Brendshme, e Drejtësisë, Prokuroria dhe Drejtoria e Burgjeve e forcojë bindjen tek Tahiri, se sulmi është frontal si nga të vetët, po aq nga opozita dhe organet e hetimit. Përfundimisht e premtja që në përgjithësi në Shqipëri konsiderohet si ditë më shumë e “zezë “ se sa e “bardhe” mund të jetë fatale për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Sigal