Media italiane i përgjigjet Ramës: Dokumentet tregojnë që mungojnë 1300 kontejnerë

84
Qeveria shqiptare mohon që në Shqipëri të kenë hyrë kontejnerë me lëndë kimike dhe këtë e tha edhe publikisht Edi Rama në një intervistë televizive të hënën, duke sulmuar dhe më pas thënë se do të hedhë në gjyq median italiane ‘Pianeta Italia News’. Por ditën e djeshme kjo media italiane i është përgjigjur Edi Ramës, duke bërë publike edhe dokumentet e Portit të Durrësit dhe të Doganës së Qafë Thanës. Pianeta Italia News shkruan se artikujt e saj “mbështeten mbi disa tabela, të cilët i kemi në zotërim”. I pari, i ardhur nga Porti i Durrësit, tregon se më 2016, nga janari në dhjetor, në Shqipëri zbarkuan 24 816 kontejnerë mallrash. Ata “nën akuzë” erdhën nga porti i Gioia Tauros, në Kalabri. Rreth 10 për qind e tyre ishin nisur për në Maqedoni, duke kaluar nga porti i Durrësit në Qafë Thanë. “Tabela të tjera që kemi në zotërim, të ardhur nga autoritetet doganore tregojnë analitikisht numrin e kontejnerëve të tranzituar dhe prejardhjen e tyre. Nga të dhënat del në mënyrë të qartë që në Maqedoni kanë mbërritur vetëm 1140. Rreth 1300 mungojnë në apel, – shkruan PIN që më pas pyet Edi Ramën – Pse, zoti Kryeministër, do të duhej të falsifikonim të dhëna që as nuk janë sekret e kësisoj mund të verifikohen lehtë? E pse duhet të mbrohemi nga dikush që na akuzon, se kemi “shpikur” një lajm, duke ditur që këto dokumente tashmë janë në duart e autoriteteve të ndryshme gjyqësore që po hetojnë ngjarjen?”
‘Ku përfunduan 1300 kontejnerët në Shqipëri?’, deputeti italian kërkon hetim të qeverisë
“Pa dijeninë e askujt gjatë vitit 2016 ka ndodhur një trafik i frikshëm i plehrave ku është përfshirë vendi ynë Shqipëria dhe Maqedonia, për një total prej 28.600 tonelatash mbetjesh që duket se janë të rrezikshme dhe që tani askush nuk e di se ku kanë përfunduar”. Fjalët janë të deputetit italian Riccardo Nuti i Lëvizjes 5 Yjet të Bepe Grillos, i cili kërkon nisjen e një hetim parlamentar për 1300 kontejnerët e mbetjeve të zhdukur në Shqipëri, duke kërkuar shpjegime nga qeveria dhe në radhë të parë nga kryeministri italian. “Fshehurazi të gjithë, një trafik i frikshëm mbetjesh më 2016 ka përfshirë vendin tonë, Shqipërinë dhe Maqedoni, me një total prej 28 600 tonë mbetjesh, me shumë mundësi edhe të rrezikshme, të cilat askush nuk e di se çfarë fundi kanë pasur”, thotë Nuti. “1300 kontejnerët plot me mbetje janë nisur nga Gioia Tauro dhe duhej të mbërrinin në Shkup, por autoritetet maqedonase kanë mohuar që ato të kenë kaluar kufirin me Shqipërinë. Ndaj ekziston rreziku konkret që të jenë groposur para mbërritjes në landfill, siç dyshon edhe Prokuroria Anti-Mafia, e cila, bashkë me kolegët shqiptarë, po drejton hetimet”. Jo rastësisht parlamentari italian u ka dërguar letra zyrtare edhe ambasadave shqiptare e maqedonase në Itali. “I kemi shkruar edhe prefekturës së Frosinones, meqenëse impianti i Shkupit menaxhohet nga një firmë italiane, ndonëse një raport investigativ ballkanik thotë se kjo firmë nuk ka përvojë në këtë sektor”. “Është e nevojshme që qeveria, edhe në raportet institucionale dhe me ambasadat, të hedhë dritë mbi këtë rast të errët, që jo rastësisht ka sjellë edhe dorëheqjen e ministrit të brendshëm shqiptar, përgjegjës për kontrollet e nevojshëm”, përfundon Nuti.

Roja bregdetare italiane: Shtim i trafikut të marijuanës nga Shqipëria
Roja bregdetare italiane, (Guardia di Finanzia) publikoi sot Raportin Vjetor 2016, ku bëhet një bilanc i operacioneve në hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Italisë në luftën ndaj trafikut të narkotikëve. Sipas raportit, gjatë operacioneve nga ajri dhe në det gjatë vitit 2016 janë bllokuar nga forca aeronavale e “Guardia di Finanza” rreth 32,8 ton marijuanë. Raporti vlerëson se rreth 1900 persona janë arrestuar gjatë operacioneve të rojës bregdetare italiane. “Për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, i rëndësishëm është bashkëpunimi me Shqipërinë”, vlerëson raporti. Ky bashkëpunim sipas autoriteteve italiane, ka nisur nga viti 1997, me marrëveshjen mes Ministrive të Brendshme të të dy vendeve dhe përmes krijimit te një bërthame Kufitare Detare në dy reparte të bazuar në Durrës dhe Vlorë. Në vitin 2007 bashkëpunimi me “Guardia di Finanza” është thelluar, duke bërë të mundur forcimin e bashkëpunimit dypalësh në identifikimin, raportimin dhe asgjësimin e plantacioneve të kanabisit në territorin shqiptar. Raporti vëren më tej se me një protokoll të veçantë shtesë, nënshkruar në Tiranë në vitin 2012, midis Departamentit të Sigurimit Publik të Ministrisë së Brendshme italiane dhe Drejtorisë së Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shqiptar, është përfshirë edhe mbikëqyrja ajrore në territorin shqiptar e vatrave me kanabis. Një ditë më parë, roja bregdetare italiane tha se bllokoi në brigjet e Pulias 816 kilogramë marijuanë dhe arrestoi dy skafistë shqiptarë. “Nëse lënda narkotike do të tregtohej në tregun e paligjshëm të marijuanës, organizatat kriminale do të përfitonin rreth 8 milionë euro”, – vlerësoi roja bregdetare italiane. Sipas saj, “që nga fillimi i vitit 2017, janë rreth 11 tonë marijuanë që janë sekuestruar nga Guardia di Finanza vetëm në Pulia, gati sa gjysma e sasisë së bllokuar gjatë gjithë vitit 2016 në këtë zonë detare në kufi me Shqipërinë”.

Trafiku i plehrave jashtë Italisë, 14 të arrestuar në Siçili, pjesë e mafias
Një operacion policor është kryer nga policia italiane në lidhje me trafikun e mbetjeve. Sipas mediave italiane, 14 persona janë arrestuar në Itali, të cilët akuzohen se janë të përfshirë në trafikun e plehrave jashtë Italisë. Dy prej të arrestuarve janë biznesmenë, babë e bir, të cilët janë pjesë e mafies “Cosa Nostra”. Policia italiane ka vendosur nën sekuestro edhe 6 kompani si dhe asetet e tyre, vlera e të cilave shkon në 50 milionë Euro. Hetuesit thonë se të arrestuarit përfitonin shuma të mëdha parash nga trafiku i paligjshëm i mbetjeve, të cilat i eksportonin jashtë Italisë. Ndërkohë, në Shqipëri ka nisur një debat i madh pasi dyshohet se kanë hyrë në mënyrë ilegale 1300 kontejnerë me tonelata mbetjesh të rrezikshme.