Medalje Mirënjohje për Moisiun në 85-vjetor: Vijoj kontributin për FA!

575
Sigal

TIRANE – Në ditën e 85 vjetorit të ditëlindjes së tij, ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu është nderuar me “Medalje Mirënjohje” për kontributin e dhënë prej tij në Luftën e Dytë Botërore për mbrojtjen e Atdheut. 

Të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të medaljes ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Gjenerali i Forcave të Armatosura, Jeronim Bazo, ushtarakë, të afërm të Moisiut etj. Medalja i është dorëzuar nga vetë Ministrja Kodheli.



Ndërkohë në fjalën e tij, ish-Presidenti Moisiu u shpreh mjaft i emocionuar për këtë medaje që vjen në 85 vjetorin e tij të lindjes. Ai theksoi se e ka ndjerë detyrim gjithçka ka bërë deri më tani për atdheun, ndërsa nënvizoi se do të vijojë të kontribuojë edhe më tej.

“Është një surprizë për mua dhe ju falënderoj, për këtë në rastin e ditëlindjes sime. Është një surprizë e papritur dhe prekëse. Ne ushtarakët nuk prekemi kollaj por jam i emocionuar për këtë pritje dhe fjalët e mira dhe shpresoj të kem bërë kaq shumë për vendin tim dhe do të vijoj të bëj për vendin tim. Kështu ne jemi edukuar ne ushtarakët, sepse kështu e meriton atdheu dhe populli ynë. Shpesh më pyesin pse ke zgjedhur karrierën ushtarake. Babai im ka qenë gjeneral që në kohë të Zogut, dhe mua më tërhiqnin uniformat. Shpresoj që ne uniformat t’i bëjmë më të bukura që të tërhiqen sa më shumë të rinjtë. Kjo ka qenë një nga arsyet që unë edhe e dija vështirësinë e shërbimit ushtarak. Është e vërtetë që 15 vjeç isha pjesë e luftës dhe mbi 40 vjet kam mbajtur veshur uniformën. Nuk ishte e lehtë me të gjitha uljet e ngritjet por kalitja që më dha ushtria më bëri që të përballoj si duhet të gjitha. Uroj që vërtetë ushtria shqiptare të vazhdojë në gjurmët e krijuara që nga viti 1912 dhe të jeni frymëzues për popullin, pasi tashmë faktori shqiptar në rajon është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin. Gjithmonë do të jem me ju!” tha Moisiu

Kodheli: Moisiu, krenar për kontributin e dhënë për Shqipërinë
Ndërkaq, Ministrja Kodheli, në emër të Forcave të Armatosura, dhe popullit shqiptar, falënderoi Moisiun dhe familjen e tij për kontributin e dhënë ndaj vendit ndër vite.

“Do të kishim dashur shumë t’i kalonim vitet e jetës dhe të ishim në këtë formë që Moisiu është, në këtë dinamizëm që akoma vazhdon t’i shërbejë shoqërisë shqiptare. Në këtë dinamizëm për të ardhmen e atdheut, nuk kam asgjë për të shtuar veçse në emrin tuaj ta falënderoj për atë që Moisitë i kanë dhënë Forcave të Armatosura dhe vendit. Ta falënderoj për mirësinë, zemërgjerësinë, pozitivitetin me të cilin ka parë çdo problem, çdo perspektivë tek e cila ne duhet të mbështetemi, tek çdo mënyrë me të cilën  ne duhet t’i përshtatemi jo vetëm pjesë e NATO-s por edhe një pjesë sa vitale aq edhe krenare e shoqërisë shqiptare. Një njeri që i ka dhënë kaq shumë historisë shqiptare.” tha Kodheli

Bazo: Moisiu, burrë shteti, shembull për t’u ndjekur
Gjenerali i FA, Jeronim Bazo vlerësoi sakrificën dhe kontributin që Moisiu ka dhënë gjatë kohës që ishte pjesë e Forcave të Armatosura dhe jo vetëm. Bazo e cilësoi ish-Presidentin si një burrë shteti, shembulli i të cilit duhet të ndiqet nga brezat e ardhshme.

“Organizimi i ditëlindjes suaj merr një kuptim të veccantë, kur festohet në këto mjedise, pasi ju kujton se kjo është streha juaj e vjetër, shtëpia juaj e dytë dhe ju i përkisni përjetësisht atyre. Moisitë i kanë shërbyer vendit për 7 dekada. Vetë Moisiu i ka shërbyer vendit tonë në 3 rafshe. Së pari ushtarakisht. Ai e filloi këtë që në Luftën e Dytë Botërore. Sakrifica e tij në detyrat e ardhshme kulmuan me postin e Komandantit të Forcave të Armatosura. Në rafshin e dytë, në politikë, ku ka shërbyer si ministër dhe zëvendëësministër në hedhjen e hapave të para drejt konsolidimit të demokracisë. Së treti në rafshin jo ushtarak ku një grup shqiptarësh krijuan shoqatën e Shqiptarëve Përtej Atlantikut, ku Presidenti i parë u zgjodh Moisiu dhe që ndihmuan vendin në procesin e integrimit. Ai është modeli i ushtarakut të karrierë, ku me vlerën e etikën që posedon është një shembull për tu ndjekur nga ne. Moisiu personifikon modelin e burrit të shtetit. Ju falënderoj për shërbimin e gjatë ndaj Forcave të Armatosura dhe vendit.” u shpreh Bazo

Ish-Presidenti Alfred Moisiu feston sot 85 vjetprin e lindjes, ndërsa në këtë ditë të shënuar është nderuar edhe me Medaljen e Mirënjohjes nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për kontributin e dhënë si pjesëmarrës në luftën për mbrojtjen e Atdheut.