Meafte Zhupa, gruaja fterrjote që dehu Kadri Hazbiun dhe vdiq në shtëpi të Dr. Ismet Elezit

Agron MEMA

Gruaja e fortë nga Fterra që u rrit jetime, aktiviste e LANÇ-it, dasma e saj theu tabunë e orkestrës dhe futi emancipimin në fshat, piu raki dhe dehu Kadri Hazbiun me shokët, një jetë plotë vështirësi, dhimbje dhe krenari, një jetë e thjeshtë që la një emër të madh nga pas. 

Meafte Zhupa, gruaja që nuk e mbajti kurrë derën e shtëpisë të mbyllur, gruaja që bëri dasmën e parë me orkestër në Fterrë, pasi nuk e lejonte tradita një gjë të tillë, jeta e një gruaje plot sakrifica, mundime e vuajtje. Një nga momentet më të çmuara, pavarësisht e dhimbshme deri në skaj, më emocionantet, më mirënjohëse për një njeri, momentet më prekëse dhe respektuese për të që ka krijuar jeta, padyshim janë ritualet e ceremonive mortore. Përcjellja për në botën tjetër e një njeriu, është momenti i fundit i nderimit për të. Por në këto ceremoni dëgjon edhe detaje e momente pikante të jetës së të ndjerit. Është një moment që mund të dëgjosh e mësosh më shumë për jetën dhe personalitetin si dhe karakterin e të ndjerit që përcillet apo sa është përcjellur në botën tjetër. Dhe njerzit rrëfejnë të çliruar nga çdo emocion. Kjo ndodhi edhe në përcjelljen mortore të gruas së fortë fterrjote, gati shekullore, Meafte Zhupa. Një kortezh i gjatë përcjellës. Miq dhe shokë të derës së saj dhe të fëmijëve. Për të panjohurit e saj që ndodheshin për ta përcjellë në botën tjetër nga respekti i fëmijëve, këto detaje qenë të domosdoshme dhe tregojnë shumë për jetën e nënë Meaftes. Meafte Adër Zhupa i përket fillimshekullit të njëzetë, e lindur më 1928 në fshatin bregdetar Çorraj. Menduam se ia vlen për lexuesin diçka e vogël, përmbledhëse për jetën e kësaj gruaje plot vyrtyte, ndaj po e përcjellim në faqet e gazetës. Siç thamë, Meafte Zhupa (Alikaj) lindi në fshatin bregdetar, Çorraj, fshat malor dhe i vendosur gjeografikisht në veriperëndim të territorit të Bashkisë së Himarës. Jeta e saj do të pësonte dramë qysh në vitet e para të jetës; qysh 10 vjeçe, më 1938-n i vdes i ati nga epidemia e dizanterisë, epidemi që preku zonën e Butrintit, ku i ati qe pajtuar si punëtor. Kjo epidemi shkaktoi shumë viktima si pasojë e mungesës së ilaçeve dhe shërbimit shëndetsor të kohës dhe punëmarrësit e huaj, ashtu edhe shteti, nuk morrën masa për t’u lidhur pension fëmijëve. Nëna e shkretë u mundua për fëmijët e saj duke u kthyer vetë burrë e vetë grua. Por nuk do zgjaste shumë dhe të pesë vogëlushët do të ngeleshin edhe pa nënë. Pas dy vitesh të vdekjes së të atit, vdes dhe nëna si shkak i një bombardimi gjatë tërheqjes së ushtrisë italiane gjatë luftës Italo-Greke. (më pas nëna e tyre do të fitonte statusin “Viktimë lufte”). Kjo tragjedi la në mes të rrugëve, pa përkrahje e në mjerim, pesë jetimë, dy motra dhe tre vëllezër. Në këto momente tragjike e tepër të vështira për jetimët e vegjël, u ndodh pranë xhaxhai i tyre, Vesel Alikaj, i cili u përpoq dhe i përkrahu deri në çlirimin e vendit. Kur vendi u çlirua e mori frymë lirisht nga pushtuesit e huaj, i detyruar nga kushtet ekonomike, djemtë e vegjël Veseli i dërgoi në jetimore, ndërsa vajzat i mbajti deri sa i martoi. Jeta tek xhaxhai i kaliti më shumë vajzat jetime, se djemtë qenë të vegjël, por vajzat më të rritura, u bënë ndihmëtare dhe aktiviste të LANÇ-it duke u organizuar në rininë komuniste shqiptare, motra më e madhe mori pjesë me armë në dorë në ushtrinë partizane. Aktiviteti i tyre patriotik dhe atdhedashës gjendet i dokumentuar në arkivat e kohës dhe stendat muzeale, por ato nuk kërkuan kurrë shpërblime për aktivitetin e tyre, por mbetën gra të thjeshta e plot vyrtite. Shtëpia e xhaxhait, Vesel Alikaj, ishte kthyer në bazë e Lëvizjes Antifashiste, por herë-herë nuk mungonin edhe miq të derës nga rradhët e nacionalistve. Kjo nuk kish si të mos motivonte dhe frymëzonte dy motrat jetime të përfshiheshin dhe të kontribuonin në Lëvizjen Antifashiste. Xhaxhyi i tyre, Veseli, qe mik me Kadri Hazbiun, një nga eksponentët kryesorë të lëvizjes çlirimtare të Lumit të Vlorës, por edhe krushq se kishte dhënë motrën tek xhaxhai i Kadriut. Në këto kohë, u shtohet një dhimbje tjetër, dajua i tyre, Demir Dhrimo, bie me armë në dorë gjatë betejave partizane, duke u shpallur më pas dëshmor. Kjo i dëshpëroi vajzat, por u shtoi urrejtjen ndaj pushtuesit nazi-fashist. Shtëpia e xhaxhait qe kthyer në një kuvend labërie, pa dallime politike, herë vinin eksponentë të Partisë e herë ata të Ballit, kish miq nga të dy krahët, miqësi e zënë qysh para Luftës. Në këto kushte të dyja motrat nuk kishin si të mos edukoheshin e fomoheshin me idealet e atdhedashurisë e patriotizmit. Në shtëpi të xhaxhait , Meaftja mori cilësitë më të mira patriotike dhe atdhetare, mori edukatën e mirësjelljes dhe dashurisë për njerëzit, gatimin tradicional, zakonet e labërisë, cilësi të cilat i manifestoi dhe i vuri në jetë gjatë gjithë jetës. Vitet kalonin, vendi qe çliruar e vajza rritej. Shpejt trokiti dera e xhaxha Veselit për të kërkuar dorën e Meaftes. Miqtë vinin nga fshati përballë tyre, Fterra e bukur me njerëz bujarë, të mençur e të urtë, vinte familja e Zhupajve, një familje patriotike dhe e kamur.Kështu Meaftja doli nga dera e xhaxhait nuse për të shkuar në derë të burrit, Xhavit Zhupës me të cilin lindi gjashtë fëmijë, nga të cilët i rrojtën tre duke e ndjekur përsëri fatkeqësia dhe helmi i shpirtit. Por të kthehemi tek dasma. Aso kohe në Fterrë ekzistonte patriarkalizmi, sidomos në doke dhe zakone. Duke qenë fshat i hoxhëve, qe e vështirë të thyheshin zakonet e vjetra dhe t’i hapej rruga së resë. Madje vatra e kulturës në Fterrë u hap pas viteve’70 dhe klubi i fshatit më 1978-ën. Por dasma e Meaftes e theu këtë tabu më 1947-ën duke bërë dasëm me orkestër. Qe dasma e parë në historinë e Fterrës që bëhej me orkestër dhe orkestra erdhi nga Delvina. Qe fshat i hoxhëve dhe një gjë të tillë nuk e lejonte tradita dhe zakoni. Por dasma u bë dhe e tregojnë edhe me humor se gjatë gjithë natës kërcyen vetëm vallen e Minush Agës, tjetër nuk dinin përveç valles burrash të traditës. Dhe ky emancipim që u bë me dasmën e Meaftes, si për koinçidencë, pas shumë vitesh theu edhe tabunë tjetër, atë të bërjes së dasmës në lokale, gjë e pa njohur dhe e papranushme në atë kohë, ndonëse jemi në vitin 1978, Meaftja me hapjen e klubit në fshat bëri e para dasmën e djalit të saj të madh në ambientet e lokalit. Një grua që nuk rreshti tërë jetën për emancipimin dhe liritë e të drejtat e gruas, pavarësisht se pikëllimi i shpirtit nga fatkeqësitë njëra pas tjetrës nuk iu ndanë gjithë jetën, as në derë të burrit, në atë derë ku do të bëhej zonjë e nderuar e saj. Jetën e saj e udhëhoqi thjeshtësia, puna pa pretendime, ndonëse derës së saj nuk i mungonin miqtë dhe dashamirësit e shumtë me detyra të larta në pushtet, por edhe aktiviteti i saj nuk e pengonte të përfitonte, por ajo nuk kërkoi kurrë. Mbeti gjithë jetën e saj e thjeshtë, e dashur e mikpritëse. Me derën hapur. Familja ku shkoi nuse qe e kamur, merreshin me blegktori e mbarështonin rreth 600 krerë dele, një pasuri e madhe fitimprurëse për një familje shqiptare të asaj kohe. Por Meaftja mbeti ajo që qe, e thjeshtë dhe e dashur, halleqarë dhe dorëdhënë. Deri në vitin 1956 stani i Xhavit Zhupës qe me nam, sa nxorrën edhe racën e veçantë të deles, atë të balë-syskave. Shpejt kjo racë deleje do të qe më e kërkuara edhe tek blegtorë të tjerë. Familja ku shkoi nuse qe e të njëjta traditave si dhe e saj. Stani i Xhavit Zhupës , ashtu si shtëpia e xhaxhait të saj, qe kthyer në bazë e Luftës. Pas kolektivizimit Xhaviti u bë drejtues i blegtorisë në kooperativë. Stani dhe shtëpia e Xhavit Zhupës është bujtur nga vendas e të huaj, të njohur e të panjohur kanë ngrënë bukën e tij, njerëz të thjeshtë e politikanë deri tek ministri i brendshëm, Kadri Kazbiu e zv/ministri i ndërtimit Nexho Konomi, gjeologë të huaj rusë, gjermanë, italianë, austriakë etj... Njëherë në fshat erdhi Kadri Hazbiu me një eskortë shoqëruese dhe drejtues lokalë të pushtetit dhe partisë. Ktheheshin nga gjahu , pasi pyjet dhe malet e Fterrës qenë të pasura me derra të egër e lloje kafshësh e shenzësh të lakmuara nga gjahtarët. Qe viti 1972, pasdreke.Xhaviti qe me bagëti në mal dhe në shtëpi qe vetëm nënë Meaftja. Eskorta ndali tek porta. Kadriu e njihte Xhavitin, po jo Meaften. Shoqëruesi i thotë Kadriut që të heqë çizmet. Ndërsa Kadriu ia kthen se nuk po futej në zyrë, po në shtëpi të mikut, ndaj s’duhet të trembeshin se kish zot hauri. Vizita ndodhi rastësisht ndaj dhe nuk e kishin lajmëruar të zotin e shtëpisë. Zonja e shtëpisë, Meafte Zhupa, dëgjoi zëra dhe doli tek dera e i mikpriti. Kur miqtë u futën brenda, Kadriu e pyeti se e kujt qe dhe kur mori përgjigjen, u ngrit në këmbë, e përqafoi duke i thënë:-Vërtet mbesa e Vesel Alikajt je?. Po e kam mik dhe mik të mirë bile, jemi dhe krushq. Meaftja aty mori vesh nga Kadriu se halla e saj qe martuar me xhaxhanë e Kadriut, Kapo Dauti nga Mavrova. Po lufta i kish ndarë njerëzit dhe mbiemri i ndryshëm i Kadriut me xhaxhain bënte që Meaftja të mos e bënte dot lidhjen. Në derë të nënë Meaftes nuk numëroheshin miqtë e vizitorët, sidomos ushtarakët që nga Rustem Peçi me shokë. Vijonte edhe në shtëpi tradita e stanit të Xhavit Zhupës që gjatë Kuftës që kish pritur Tahir Kadarenë e Bedri Spahiun gjatë ofensivës naziste të Operacionit të Qershorit 1944 dhe shumë e shumë të tjerë, partizanë e nacionalistë. Kështu e mbylli jetën nënë Meaftja, punëtore dhe e thjeshtë, mikpritëse e derëhapur, por me shpirt të helmuar nga jeta, si me vdekjen e parakohshme të prindërve duke i lënë jetimë rrugëve, ashtu edhe me vdekjen e tre fëmijve të saj, njëri nga të cilët në moshën 20 vjeç. Po mbeti një grua e fortë, e patkurrur nga hallet dhe tallazet e jetës. Ndërsa bashkëshorti, Xhavit Zhupa, nga një njeri i pasur në 1956 u bë i pari anëtar i kooperativës, përkrahu kolektivizimin duke dorëzuar të gjithë pasurinë, nga të cilat mori, si gjithë të tjerët, hua dhe obligacione, të cilat më pas edhe këto u falën e nuk u shpërblyen kurrë për mallin e dorëzuar në kooperativë. Xhaviti më 1956, pasi dorëzoi bagëtinë, bleu një shtëpi në Tiranë, me mendimin se nuk kish ç’bënte më në fshat pa pronë e bagëti, por nuk e lanë dhe e kthyen në fshat përsëri, se nuk kish pashaportizim. Më pas fati i shtëpisë do t’u linte dëshpërim të madh, sa ikën me merak nga kjo jetë. Dikush ia përvetësoi duke ndërtuar sot pallate të mëdhenj. Kjo nuk i demoralizoi. Njeriu i punës nuk i trembet jetës, e rimer veten shpejt në të gjitha aspektet. Nënë Meaftja i mbylli sytë një ditë të ftohtë janari, pikërisht më 17 janar 2017 duke lë[në pas një vajzë që sot punon në prokurorinë e Tiranës dhe dy djem, njëri emigrant e tjetri pensionist në Tiranë. Djali i madh trashëgoi traditën blegtorale të familjes, por si mjek veterinar. Nënë Meaftja, ndonëse me shtëpi të saj të blerë qysh në 1956, por të grabitur, vdiq në shtëpinë e Dr. Ismet Elezit nën kujdesin e së bijës. Djali i saj i madh, mjeku veterinar Mynir Zhupa tregon për momentet dhe fjalët e fundit të saj dhe amanetin që i la. “Miqtë dhe shokët mi respekto! Të tutë t’i mbash e t’i duash se i ke të mirë (shumicën e tyre i njihte), ndërsa amentin për shtëpinë nuk e përmend për etikë. Kështu e mbylli jetën kjo grua e thjeshtë nga Fterra, duke lënë pas një emër të mirë, një model të gruas së thjeshtë e punëtore, të dashur e mikpritëse. Kështu e përcollën miqtë dhe shokët e shumtë, e përcolli Fterra, një fshat i rrallë në bregdet, sepse në kohën e Turqisë kishte shumë hoxhallarë, në kohën e Ahmet Zogut shumë xhandarë dhe në kohën e socializmit shumë arsimtarë.