ME PARATË E INVESTIMEVE TË GABUARA PENSIONET DO RRITESHIN 50%

67
Investimet e “vdekura” të qeverisë
Si janë shpenzuar 180 milionë euro për projekte pa asnjë ndikim në ekonomi dhe që mbeten të pashfrytëzuar
Rreth 180 milionë euro investime të gabuara të qeverive shqiptare, në termocentralin e Vlorës, Linjën e transmetimit të energjisë, Shqipëri-Kosovë, dhe Aeroportin e Kukësit, po rëndojnë taksapaguesit shqiptarë me miliona euro harxhime vjetore për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Eficienca e investimeve, po aq e rëndësishme sa edhe fondet disponibël. Investimet e dështuara nuk janë “sëmundje” që prekin vetëm biznesin privat. Përvojat tregojnë se qeveritë vuajnë edhe më shumë pasojat e investimeve defektoze që, shpeshherë, diktohen nga politika, populizmi dhe emergjencat. Në Shqipëri, numërohen të paktën tre investime të mëdha, që kanë kushtuar 184 milionë euro dhe sot e kësaj dite nuk janë vënë në funksionimin për të cilin janë ndërtuar Termocentrali i ri i Vlorës, me vlerë investimi 93 milionë euro, linja e interkoneksionit Tiranë-Prishtinë, me vlerë 70 milionë euro, dhe Aeroporti i Kukësit, me vlerë 16 milionë, janë ndërtuar dekadën e fundit, por perspektiva e vënies së tyre në punë sot e kësaj dite nuk është e qartë. Investimet e gabuara po u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë miliona euro shpenzime për mirëmbajtjen e tyre. Të paktën 2 milionë euro kushtojnë shpenzimet për sigurinë dhe mirëmbajtjen e Aeroportit të Kukësit, ndërsa kostot vjetore të mirëmbajtjes janë shumë herë më të larta.
TEC-i i Vlorës, gropa e zezë e fondeve publike
Ndërtimi i TEC-it të Vlorës erdhi si një zgjidhje emergjente në fillim të viteve 2000 nga kriza e thellë energjetike që erdhi si pasojë e mungesës së reshjeve dhe kapaciteteve të kufizuara të transmetimit. Vendi përjetoi rreth 16 orë kufizime në ditë nga reshjet nën mesatare, ndaj u pa i nevojshëm diversifikimi i prodhimit të energjisë nga burime të tjera përveç HEC-eve. Edhe pse vendi kishte një tepricë ujore të pashfrytëzuar, qeveria e konsultuar nga donatorët, kryesisht Banka Botërore, vuri në planet e saj ndërtimin e një termocentrali të ri në zonën e Vlorës, me cikël të kombinuar naftë dhe gaz. Shpallja e tenderit nga qeveria u bë në fillim të 2004-s dhe ofertat e para të marra në pranverë të vitit 2005. Faza e tenderimit përfundoi në dhjetor 2006. Punimet nisën në vitin 2007, për të përfunduar në vitin 2009 dhe ndërtimi i objektit kushtoi 98 milionë euro. TEC-i i Vlorës është impiant, me cikël të kombinuar, me një bosht. Ka një turbinë gazi 70 MW dhe një turbinë avulli 30 MW. Linja e marrjes së ujit nga deti për ftohjen e impiantit pësoi defekt për herë të parë më datë 13 tetor 2009, pas një stuhie në Gjirin e Vlorës. Defekti shkaktoi hapjen e tubit në një distancë rreth 270 metrash nga bregu i detit dhe mbushjen e tij me rërë dhe pas riparimit, ai u përsërit një vit më vonë. Sot e kësaj dite, objekti nuk është vënë në punë. Projekti që synonte të shtonte kapacitetet gjeneruese të energjisë me 8%, tashmë është shndërruar në një gropë të zezë për fondet publike. Kostot fikse që i faturohen nga TEC-i, në një vit fiskal arrijnë në 1.5 miliardë lekë, borxhi i jashtëm i vendit u shtua me 2.3% nga huatë që u morën për TEC-in. Në start janë edhe dy tenderë që synojnë rivënien në punë të objektit. Po saga në të cilën ka kaluar ndërtimi i termocentralit të ri të Vlorës nuk mbaron me dështimin e projektit, që kushtoi 129 milionë dollarë për të kontribuar me 8% në konsumin e energjisë, por me perspektivën e paqartë të rivënies në punë dhe kostot e larta që shoqërojnë procesin.
Por edhe sikur TEC-i të vihej në punë në vitin 2012, çmimi i shitjes së një kilovat/orë energji elektrike do të ishte 21 lekë, vlerë kjo tre herë më e lartë se çmimi i pakicës që paguhej në atë periudhë nga konsumatorët familjarë dhe dy herë më i lartë se ato të importit.
Situata është ndërlikuar, nga defekti në tubat e ftohjes gjatë periudhës së garancisë më 2012, që më pas ka sjellë konflikte të reja me kompaninë italiane që e ndërtoi, Maire Tecnimont, të cilat po gjykohen në Arbitrazh. TEC-i u ndërtua me kredi të jashtme. BERZH kontribuoi me 48.7 milionë dollarë, Banka Evropiane e Investimeve me 48.7 milionë dollarë, Banka Botërore, nëpërmjet financimeve IDA, me 25 milionë dollarë dhe agjencitë e tjera të financimit siguruan edhe 12.6 milionë dollarë. Më 2016, kompania Power-Tech & S.O.P.I. është kontraktuar nga KESH, nëpërmjet një procedure të shpallur në buletinin e prokurimit publik, me vlerë 67 milionë lekë, ose 500 mijë dollarë për trajnimin e personelit për mirëmbajtjen e Termocentralit të Vlorës. Kontrata është njëvjeçare dhe ezauroi thuajse të gjithë fondin limit që KESH kishte vënë në dispozicion. Gjithashtu, KESH paguan edhe 60 punonjës të cilët, bashkë me koston e karburantit në një vit kalendarik harxhojnë edhe rreth 1 milion dollarë të tjera. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka shlyer gati gjysmën e huave 80 milionë euro të marra nga BERZH dhe BEI për ndërtimin e TEC-it. Kredia ndaj BERZH duhet të shlyhet tërësisht në vitin 2019 dhe ndaj Bankës Evropiane të Investimeve (EIB në vitin 2023. Kreditë do të shlyheshin me të ardhurat që do të siguroheshin nga shitja e energjisë së prodhuar nga TEC-i, pasi ai të ndërtohej. Por, për shkak të defektit në turbinat e ftohjes dhe kostove të larta, prodhimi nuk është realizuar, duke bërë që borxhi dhe kostot e tij të shërbehen nga taksat e shqiptarëve.
Transmetimi i Shqipëri-Kosovë, tjetër dështim
Linja e transmetimit Shqipëri-Kosovë, një projekt që u ka kushtuar financave të dy shteteve rreth 70 milionë euro, është e dyta në sektorin e energjisë, pas termocentralit të Vlorës që thuajse ka dështuar. Projekti ka përfunduar dhe duhet të niste nga puna gjatë vitit 2016, por sot e kësaj dite nuk është vënë në punë. Sipas zhvillimeve të deritanishme, linja e transmetimit të energjisë, Shqipëri – Kosovë, është çështje e komplikuar teknike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po zgjidhet as me ndërhyrjen e institucioneve evropiane rregullatore të energjisë. Operatori i Transmetimit të Energjisë së Kosovës (KOSTT), në një material shpjegues që ka dhënë për qeverinë e Shqipërisë, ka sqaruar se qeveria serbe e ka kushtëzuar pavarësinë e sistemit të Kosovës me krijimin e një ndërmarrje serbe të tregtimit të energjisë në Veri të Kosovës. Pala e Kosovës e kishte dhënë mirëkuptimin për krijimin e saj në marrëveshjen e vitit 2015, dhe më herët në vitin 2013. Por më vonë, teksa ndërtimi i linjës së transmetimit 400 kilovot ndërmjet Shqipërisë kishte nisur, Kosova nuk mund të lejonte krijimin e ndërmarrjes Serbe në Veri, për faktin e thjeshtë se aplikimi serb i drejtohej Kosovës si republikë serbe. Ky përcaktim në kërkesën e Serbisë duket se do të mbajë peng në një periudhë të pacaktuar funksionimin e linjës, duke krijuar humbje miliona euro si për Kosovën edhe për Shqipërinë. Humbjet vjetore nga të ardhurat e munguara nga mosfunksionimi i linjës janë 500 mijë – 1 milion në vit në varësi të volumeve të tregtimit, por më e keqja është se mosfunksionimi i kësaj linje pengon seriozisht funksionimin e tregut ballkanik të transmetimit.
Nga ana tjetër, Operatori Kosovar i Transmetimit humb në një vit fiskal rreth 14 milionë euro, duke mos vjelë tarifat e transmetimit ndërkufitar të energjisë, të cilat shkojnë në arkën e operatorit serb, EMS. Humbjet vjetore të përbashkëta llogariten në 15 milionë euro, pa përfshirë këstet e borxhit që qeveritë në të dyja shtetet kanë nisur të shlyejnë. Qeveria e Serbisë duket se nuk do të ketë tërheqje, pasi nuk i ka respektuar afatet që Komuniteti Evropian të Energjisë, i cili kërkoi që problemi të zgjidhej brenda vitit 2016. Por deri më tani, nuk ka dhënë asnjë shenjë mirëkuptimi. Linja e re e transmetimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të rriste garancitë e furnizimit të vendit me energji, duke ndikuar edhe në uljen e kostove të importit. Sakaq, mosfunksionimi i linjës ka sjellë pengesa në krijimin e tregut të përbashkët rajonal të energjisë, por Shqipërisë i ka krijuar humbje financiare të drejtpërdrejta. Pala shqiptare ka nisur të shlyejë kredinë 35 milionë euro, që është marrë nga donatorët për ndërtimin e linjës në pjesën shqiptare, pasi projekti në tërësi ka kushtuar rreth 70 milionë euro. Por përveçse qytetarët po shlyejnë nga taksat kreditë që u morën për investimin që nuk dihet kur mund të nisë punë, OST ka një humbje vjetore nga të ardhurat e munguara 500 mijë deri në 1 milion euro. Kjo humbje e drejtpërdrejtë në financat e kompanisë nuk është dëmi i vetëm, nëse linja do të ishte në operim, kostot e transmetimit të energjisë do të uleshin. Kjo linjë transmetimi nuk ishte përgjegjëse vetëm për tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës, por për përcjelljen ndër rajonale të energjisë. Operatori i Transmetimit të Kosovës, KOSTT, sqaroi se në rrethanat aktuale në të cilat kompania operon, do të thotë se linja e re e transmetimit Shqipëri – Kosovë, në aspektin ekonomik, të menaxhohet nga operatori serb EMS. Kjo ndodh për shkak se KOSTT nuk njihet si zonë rregulluese nga ENTSO-e dhe kështu nuk bën alokimin e kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me vendet fqinjë. Nga ky proces, operatori serb EMS mbledh të ardhurat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinjë. Për 2015-n, EMS serb ka përfituar nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare me Kosovën me shtetet fqinjë, një shumë prej 14.5 milionë eurosh. Aeroporti i Kukësit, 16 milionë euro të shkuara kot Aeroporti i Kukësit, që kur u ndërtua në vitin 1999, nuk është vënë asnjë ditë në punë, por ndërkohë ka krijuar harxhime të konsiderueshme në financat publike të vendit. Objekti kushtoi 16 milionë euro dhe ishte një grant që dha Mbreti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Zayed Bin Sulltan pas përfundimit të luftës së Kosovës, në fillim të viteve 2000. Objekti, që për më shumë se një dekadë nuk është funksional, është i vendosur tre kilometra larg qendrës së qytetit të Kukësit, 353 metra mbi nivelin e detit. Objekti nuk u vu kurrë në punë, pasi paralelisht me punimet në Kukës, qeveria shqiptare, me vetëdije, i dha ekskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare koncesionarit të Aeroportit “Nënë Tereza”. Por edhe sikur të mos ndodhte ky sabotim nga qeveria, ekspertët e sektorit pohojnë vështirësitë në operimin e objektit. Ulja e avionëve kërkon rrotullime në hapësirë, për shkak se aeroporti është mes malesh, drejtimi i erës mund të krijojë probleme në uljen dhe manovrimin e avionëve, apo dhe fluksi i fluturimeve mund të jetë i kufizuar, për shkak se vendqëndrimi i mjeteve fluturuese është i përshtatur për 5 deri në 6 tipa avionësh. Afërsia me Aeroportin e Prishtinës është një tjetër faktor që mund të ulë interesin e operatorëve ajrorë për të kryer fluturime edhe në Kukës. Sot, ky aeroport ka terminalin e pasagjerëve, kullën e drejtimit, pistën për uljen e avionëve, vendqëndrimin për 7 të tillë, sistemin e ndriçimit, vendparkimin e mjeteve dhe rrethimin me një perimetër prej 5 mijë metrash. Por nëse objekti vihet në punë, sipas planit të qeverisë, do të duhen miliona euro shtesë investime për ta bërë funksional. Duke qenë se kanë kaluar 15 vjet nga ndërtimi i tij, kostot e amortizimit janë të larta, ndaj duhen investime të reja. Mirëpo qeveria shqiptare shpreson t’ia faturojë këto harxhime kompanisë që do të ofrohet për të marrë në administrim këtë aeroport. Shpenzimet e qeverisë për mirëmbajtjen e objektit që nga ndërtimi i tij kanë shkuar në miliona euro. Aviacioni Civil, vetëm për këtë vit, ka planifikuar të prokurojë rreth 14 milionë lekë për sigurinë e objektit. Në vite, kompani të ndryshme ajrore, të cilat operojnë në tregun e low cost, kanë paraqitur interes për të hapur këto lloj fluturimesh në Shqipëri, por pengesë ka qenë marrëveshja për ekskluzivitetin e ajrit që qeveria “Nano” firmosi me palën gjermane. Dhe sot, Wizz Air, Ryanair dhe Adria Airways kanë kërkuar hapjen e fluturimeve në këtë pistë, por shkak është bërë vonesa në investimet e fundit që kërkon Aeroporti i Kukësit për t’u vënë në operim. Ende sot, qeveria nuk ka vendosur mënyrën se si do ta bëjë këtë investim: Partneritet Publik Privat, ku operuesi të jetë po ashtu firma që operon apo të bëjë vetë ndërtimin e saj dhe më pas një ent publik të bëjë menaxhimin. Perspektiva për vënien në punë të Aeroportit të Kukësit është zbehur edhe më shumë këtë vit, teksa qeveria shqiptare ka përfshirë në projektet e saj ndërtimin e një Aeroporti të ri në Vlorë dhe një tjetri në Sarandë.
Eficienca, po aq e rëndësishme sa fondet
Shprehja më mirë të dish se sa të kesh, qëndron më së miri për investimet. Ekspertët vlerësojnë se eficienca është po aq e rëndësishme sa edhe vetë fondet. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një analizë për rolin e shpenzimeve në zhvillimin e ekonomive në tranzicion, vëren se eficienca e investimeve është po aq e rëndësishme sa fondet e akorduara. Vlerësimet e Fondit tregojnë se 30% e rendimentit të investimeve publike dëmtohet nga përdorimi jokorrekt i fondeve. ,Qeveria shqiptare po synon të mbajë një nivel të investimeve publike prej 5.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke u fokusuar në rrugë, bujqësi, sektorin e ujit të pijshëm, ujitjes etj. Mirëpo, për të ruajtur këtë raport, fondi i investimeve fryhet me shpenzime të tjera, që nuk janë në natyrën e shpenzimeve kapitale, ku futen edhe subvencionet për energjinë. Mirëpo reputacioni i investimeve publike po cenohet së fundmi nga kontratat koncesionare me Partneritet Publik Privat, të cilat për këtë vit marrin 10% të fondit të investimeve publike. Precedentët negativë të koncesioneve në të shkuarën dhe mungesa e ekspertizës dhe kapaciteteve monitoruese të Shqipërisë i shtojnë më tej rreziqet. Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, tha se “kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë. Vlerësimi dhe bërja publike e këtyre detyrimeve është një hap i rëndësishëm për menaxhimin e ndonjë rreziku të mundshëm fiskal. Aktualisht, implikimet fiskale të PPP-ve nuk përfshihen plotësisht në dokumentet e buxhetit, pasqyrat financiare apo raportet statistikore”. Projekti “One billion”, një paketë investimesh prej 156 miliardë lekësh që do të aktivizohet vitin e ardhshëm nga qeveria ‘Rama’ në bashkëpunim me kompanitë vendase për ndërtimin e 6 segmenteve rrugore, një spitali rajonal në Fier dhe rreth 5 shkollave në Tiranë, ndoshta është nisma e vetme në këto vitet e tranzicionit që ka marrë kontestimet më të mëdha, si nga ekspertiza vendase, edhe institucionet financiare ndërkombëtare për efektin negativ që do të ketë në stabilitetin e financave publike.