Me mbesën e Mid’hat Frashërit, miken time të fëmijërisë në Evenimentin e Madh

1602
Sigal

Nga Moza Boletini

Për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, përveç organizatorëve, politikanëve, diplomatëve në New York, kishin ardhur edhe mbesa e gjeniut të kombit Najada Toptani Petrela, së bashku me të bijën Fionën. Me Najadën ishim rritur në një lagje në Tiranë, si familje të persekutuara politike nga regjimi komunist shpesh në besnikëri me njëra-tjetrën flisnim për ato halle e vuajtje që po kalonin familjet tona e gjithë kombi ynë. Qanim hallet me njëra-tjetrën për ato kohë të vështira nën diktaturë, kur këshilli e fronti demokratik i lagjes na shikonin e trajtonin si delja e zezë, nën siglën e luftës së klasave, të cilët na dërgonin në punë të detyruara e të rënda për ne femrat. Nga prindërit e saj Najada është mbesë e Mid’hat Frashërit dhe Murat Toptanit. Si bashkëpunëtore e TV – Kultura Shqiptare në New York, zhvillova një intervistë televizive me Najadën, e cila me emocion shprehu mirënjohjen e saj për këto momente historike, ku eshtrat e njeriut të saj të dashur të familjes, më në fund po kthehen në atdhe.

Dita kur amaneti i gjeniut të kombit Mid’hat Frashëri, siç e quan me të drejtë edhe historiani Uran Butka do të prehet në Shqipëri. Pas 69 vitesh që ai u nda nga jeta në mënyrë tepër të mistershme në New York në vitin 1949. Ceremonia madhështore për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, u zhvillua në Harstdale, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në New York, ku morën pjesë qindra bashkatdhetarë. Mid’hat Frashëri, ose ndryshe me pseodonimin e penës, Lumo Skëndo, u nda nga jeta papritur më 3 tetor 1949 në New York, ai kishte ardhur nga Evropa për të organizuar Komitetin “Shqipëria e Lirë” në Amerikë dhe trupi i tij deri tani prehej në varrezat Ferncliff në Westchester. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, kishin ardhur shumë personalitete shqiptaro-amerikane, nga Nju Jorku dhe shtetet e largëta të Amerikës si dhe një delegacion nga Shqipëria, me përfaqësues nga qeveria Thomas Frashëri, dhe nga Instituti i Studimeve Historike në Tiranë “Lumo Skëndo” historiani Uran Butka, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, si dhe anëtarë të familjes së Mid’hat Frashërit, Najada Petrela me të bijën Fionën. Fjalën e hapjes e mbajti Famulltari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj. Më pas të pranishmit ndoqën një film dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Mid’hat Frashërit, me skenarist Uran Butkën dhe regjisor Saimir Kumbaron. Sipas Z. Butka, ky dokumentar është realizuar me materiale nga arkivat botërore, përfshi Nju Jork e Uashington, dhe ato të Shqipërisë, dhe “eshtrat tij” – tha ai – “do të prehen në atdhe, pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës, në kodrat e Liqenit”. Ambasadorja Faber, foli edhe për procedurat e ndjekura nga qeveria shqiptare dhe për të çuar në vend amanetin e Mid’hat Frashërit. Tregoi mbështetjen e diasporës dhe falënderoi në mënyrë të veçantë Këshilltarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Mark Gjonaj, Konsullen Najada Sojli, diplomatin Armand Shandro, filantropistin Richard Lukaj, kryetarin e Këshillit Shqiptar Amerikan Haxhi Dauti, e të tjerë. Ndërkohë, gjatë fjalës së saj, ajo kujtoi mikpritjen e zj. Barie Aliko dhe familjes së saj në Detroit, kur i vizitoi për të marrë informacionet e para dhe bashkëpunimin e tyre gjatë gjithë këtij procesi. Kurse, duke folur për ata që kanë ndihmuar me procesin e dërgimit në atdhe, ajo tha se: “Një ndihmë të madhe ka dhënë avokati Edward Toptani nga Nju Jorku, i cili kishte ofruar gjithë bashkëpunimin e tij dhe punoi vullnetarisht, deri në plotësimin e të gjitha kërkesave ligjore për dërgimin e eshtrave drejt Tiranës”. “Procedurat u kryen në kohë” – tha ajo, duke shtuar se “për këtë ndihmoi edhe avokati Ardian Neritani”. Për realizimin e këtij procesi njihet kontributi dhe bashkëpunimi me familjarët dhe veçanërisht me mbesën e tij, zj. Najada Petrela, e cila ka punuar bashkë me ne në çdo hap gjatë gjithë procesit. Në emër te familjes Frashëri, përshëndetën zj. Najada Petrela dhe z. Tomi Frashëri, Drejtues i Komisionit Shtetëror për organizimin e veprimtarive në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Z. Uran Butka, Drejtor i Institutit të Kërkimeve Historike “Lumo Skëndo”, në kumtesën e tij kushtuar figurës së gjeniut të madh Mid’hat Frashëri. Z. Butka tha se “ceremoniali shtetëror në nder të Mid’hat Frashërit do të jetë madhështor, e ku do të bashkojnë personalitete nga vende të ndryshme evropiane dhe nga Nju Jorku”. Në ceremoni përshëndetën përfaqësues të klerit dhe mërgatës shqiptare.

New York, Nëntor 2018