Me lopata e kazma për të prishur stadiumin “Selman Stërmasi”

795
Një grup prej rreth 10 tifozës të ekipit kryeqytetas të futbollit, Tirana janë nisur herët mëngjesin e sotëm drejt stadiumit “Selman Stërmasi” me kazma e lopata në duar.
Tifozët kanë dashur të prishin e stadiumit ku u caktua të luhet të dielën ndeshja Partizani-Vllaznia.
Pas marrjes së informacionit policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 tifozë të Tiranës, pasi pjesa tjetër e tyre është larguar. Ndërkaq janë gjetur edhe veglat e punës, kazma e lopata.
Tifozët e Tiranës nuk janë dakord që ndeshja Partizani-Vllaznia të luhet në stadiumin e tyre. Por pavarësisht kësaj dje u dorëzua në Federatën Shqiptare të Futbollit kontrata e nënshkruar nga tri palë: presidenti i Tiranës, Refik Halili, ai i Partizanit, Gazment Demi dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj që zyrtarizonte se ndeshja do të luhej në “Selman Stërmasi”.
Në bazë të marrëveshjes, Partizani do t’i paguajë Tiranës 3 milionë lekë të vjetër për çdo ndeshje të luajtur në “Selman Stërmasi”.
Ndërkohë, edhe vetë klubi i kuq e ka bërë zyrtare që takimi i javës së 20-të të Kategorisë Superiore do të zhvillohet në kryeqytet.
NJOFTIMI I POLICISË
Tiranë, tentuan të hyjnë në stadiumin “Selman Stërmasi”, kapen tre shtetas në flagrancë nga patrulla e Komisariatit të Policisë Nr 2 . Më datë 04.02.2017, rreth orës 04:31, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 2, kanë konstatuar rreth 10 shtetas të cilët po tentonin të kalonin rrethimin e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku me vete kanë patur vegla pune. Pas sinjalizimit nga ana e patrullës kanë tentuar të shpërndahen ku dhe shumica prej tyre kanë mundur të largohen, ndërsa janë kapur në flagrancë dhe shoqëruar pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë Nr 2, shtetasit:
– A. B., 23 vjeç, banues në Tiranë.
– M. S., 20 vjeç, banues në Tiranë.
– M. F., 20 vjeç, banues më Tiranë.
Shtetasve të lartë përmendur, gjithashtu dhe në brëndësi të rrethimit të Stadiumit, u janë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 1 lopatë me bisht druri
– 1 kazmë me bisht druri
– 2 bel me bishta druri.
Dyshohet se qëllimi i këtyre shtetasve ka qënë dëmtimi i fushës së futbollit të Stadiumit “Selman Stërmasi”, me qëllim mos zhvillimin e aktivitetit sportiv të planifikuar për datën 05.02.2017. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave.
Sigal