“Më kanë larguar padrejtësisht nga puna, po veshin pensionistët e pashkollë”

591
MAKS TUFA

Tenton të vrasë veten ushtaraku i Elbasanit
Një ngjarje e shëmtuar dhe e pazakontë ka ndodhur para disa ditësh në lagjen 5 Maj, në Elbasan, kur një ushtarak i Forcave Tokësore të Komandës ka dashur t’i japë fund jetës tij, duke u hedhur nga tarraca e pallatit. Shkak ka qenë lajmi hidhur që ka marrë ai, kur ka vajtur si zakonisht çdo mëngjes në repartin e tij (që ngjet më tepër me një stallë të braktisur) dhe atje i kanë komunikuar lajmin e keq, se “të ka kapur reforma, je i larguar nga ushtria, bëj dorëzimet”. Ushtaraku A. S. është vetëm 33 vjeç, dhe kishte vite që kryen detyrën e ushtarakut me devotshmëri, korrektësi dhe kurrë nuk kishte pasur qoftë edhe një vërejtje nga eprorët e tij, të cilët për hir të së vërtetës duhej të ishin larguar me kohë nga detyra. Reforma e nisur dhe e bitisur nga Ministria e Mbrojtjes me bekimin e Mimi Kodhelit në kuadrin e “Rilindjes së Ushtrisë” mbetet një reformë turpi, pasi asnjë prej atyre që “ka kapur” reforma nuk ka qenë jashtë kritereve, duke nisur nga mosha, arsimimi, rezultatet në detyrë, etj. Por ja që reforma “Mimit” e cila ka 4 vjet që sakaton ushtrinë, repartet, dinjitetin dhe integritetin e ushtarakut, repartet dhe tunelet e ndërtuara me djersën e shqiptarëve, nuk pyet për kritere, por vetëm për dëshira militantësh dhe porosi miqsh. Reforma e Mimit ka spastruar ushtarakët aktivë dhe ka rikthyer pensionistët e fushatave, pasi ata do të jenë strumbullarët e qendrave të votimit. Rasti më flagrant mbetet me ushtarakun A. Sula në Elbasan, i cili si çdo ushtarak punonte me dinjitet, seriozitet dhe korrektësi, pavarësisht se kishte një barrë me halle dhe probleme familjare dhe personale. Ai sapo kishte firmosur në një bankë, për të marrë një kredi modeste e cila do t’i zgjidhte një problem familjar, por “reforma Mimi” i ka prishur gjithë gëzimin, duke e kthyer gjithçka në zi. Ai sapo ka marrë lajmin, se ishte larguar pa asnjë motivacion nga detyra, dhe në vendin e tij po punësoheshin pensionistët e ish-reparteve ushtarake, ka reaguar, por përgjigja ishte e prerë “Ik largohu, është firmosur urdhri për ty”. Kaq ka mjaftuar që 33 vjeçari A. S. të humbiste logjikën, t’i dukej gjithçka e zezë, dhe vendosi t’i japë fund jetës, duke hipur dhe duke tentuar vetëhedhjen nga tarraca e pallatit. Njoftimi për aktin ekstrem ka mbërritur edhe tek kolegët dhe eprorët e tij, të cilët dërguan si neutralizues, për ta mashtruar atë, disa efektivë të Policisë Ushtarake, të cilët i premtuan se “Komanda do ta rishikojë vendimin e saj, zbrit’ se do të bëhet diçka për ty”. E gjithë kjo rezultoi një farsë, një mashtrim, sepse ushtaraku i besoi dhe duke qenë i dëshpëruar, ka zbritur me shpresën e fundit. Ushtaraku A. S. deri sot është mbajtur me mashtrime dhe premtime, derisa një përgjigje e dytë i ka prerë atij të gjitha shpresat për rikthimin në detyrë. Tashmë edhe ai si shumë ushtarakë të tjerë, ka mbetur rrugëve, pa punë, pa përkrahje, me barrën e halleve dhe problemeve të jetës, dhe më e keqja, me një kredi, e cila duhet shlyer në bankë, ndryshe mund të mbetet edhe pa banesën e tij. Një shkatërrim i plotë i një familjeje, i një njeriu që besonte, se ndershmëria në punë do t’i jepte atij nderime të mëdha nga eprorët. Por ishte gabuar, sepse ata që drejtojnë sot “reformën”, repartet dhe ushtrinë shqiptare, më e pakta janë inkompetentë, dhe më e shumta janë autorët e vërtetë të shkatërrimit të gjithçkaje, që kishte sado pak vlerë në atë që mund ta quajmë akoma “ushtri” pa ushtarë dhe “komanda” pa komandantë. Kjo ngjarje më së paku, duhej të kishte reagimin e sinqertë të Ministrisë Mbrojtjes dhe zonjës Mimi Kodheli, ndërkohë që as njëra dhe as tjetra, si dy anë të një medaljeje, nuk folën, nuk vepruan, nuk u turpëruan, por turfulluan dhe larguan si leckë nga puna ushtarakun.
Sigal