Më 19 dhjetor gazetarët do të protestojnë para Kuvendit

425
Sigal

Gazetarët  në protestë në 19 dhjetor para Parlamenti

Në 19 dhjetor Parlamenti do të diskutojë për të miratuar paketën Anti – Shpifje, të hartuar nga qeveria. Përfaqësuesja e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Mimoza Koçiu, ka treguar edhe hapat që do të ndiqen para, gjatë dhe pas kalimit në parlament të ligjit të qeverisë, i ashtuquajtur “anti-shpifje”. Sipas Koçiut, më 19 dhjetor, kur ligji të jetë në parlament, komuniteti i gazetarëve do të jetë jashtë duke protestuar. “Sot do të ketë një tryezë tjetër, ku do mblidhen të gjitha shoqatat e medias, janë 15 por janë ftuar të marrin pjesë të gjithë në orën 11:00, në Hotel Tirana. Do të jetë diçka e rëndësishme ku do të diskutohet për hapat që do të ndërmerren. Propozimi i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqiperisë është që, nëse qeveria më 19 dhjetor i kalon të dyja projekt-ligjet, ne do ti drejtohemi presidentit e do ti kërkojmë të mos i dekretojë. Ky është hapi i parë. Më pas duhet parë edhe hapi i dytë, që do të jetë ankimimi në Kushtetuese. Gjithsesi, në datë 19, kur ligjet do të kalojnë në parlament, ne do të jemi atje në protestë. Sipas Koçiut, për herë të parë, të gjitha organizatat e mediave kanë dalë me një qëndrim të përbashkët.