Me 120 milionët e "Check-up"-it, shpëtonim nga zjarret

Përparim HALILI

Me 120 milionë eurot e “Check-up”-it fiktiv, mund të bliheshin 20 avionë zjarrfikës, 15 helikopterë dhe 40 makina zjarrfikëse 

Ministri i Brendshëm kërkon mbështetjen e Presidentit Ilir Meta për shpalljen e “Gjendjes së jashtëzakonshme”, kryeministri Rama e quan “Gjendje normale” 

Zjarret e shumtë që po kthejnë në “hi” pyjet dhe parqet, pemëtoret, kullotat dhe zonat periferike të qendrave të banuara dhe historike e arkeologjike, mund të kenë shkak zjarr-vënien e qëllimshme. Por mos shuarja dot e tyre, ka si shkak mungesën e shërbimit zjarrfikës potencial e funksional, i cili duhet thënë se ka aq kapacitet e personel, sa mund të shuaj vetëm zjarr në ndonjë lulishte qyteti, në ndonjë oborr shkolle e çerdheje fëmijësh, qofteri, azil pleqsh e shtëpi përdhese (kur shkojnë në kohë)! 

“Telegraf” ka denoncuar 3 vite më parë, mangësitë në shërbimin zjarrfikës
Këtë problematik, që sot po na shkatërron 90% të pyjeve, parqeve, ullishtave, pemëtoreve dhe zonave të gjelbëruara rrotull qendrave të banuara dhe pranë parqeve natyrore e arkeologjik, gazeta “Telegraf” e ka denoncuar qysh në muajin korrik 2014, por drejtuesit që vazhdojnë të komandojnë stacionet zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe titullarë të ministrisë së Brendshme, na u vërsulën duke na kërcënuar me gjyqe e gjoba “për shpifje”. Sot, po pranohen nga vetë ata që po e lënë Shqipërinë të digjet! Në 70% të rasteve të ndodhur, shërbimi zjarrfikës nuk i ka shuar dot zjarret për shkaqe banale, si këto: Nuk ka arritur dot në kohë, prej trafikut rrugor! Nuk ka pasur automjetet të mbushur me ujë! Para objekteve të përfshirë nga zjarri, ka pasur kanale e automjete të parkuar! Nuk kanë pasur shkallë vertikale e horizontale, në ato gjatësi e lartësi që duhen për t’u ngjitur në objekt! Tubi i ujit të auto-zjarrfikëses, ka qenë i shkurtër, prej modifikimit pas dëmtimeve! Ka mbaruar uji i auto-zjarrfikëses dhe në vendin e zjarrit nuk ka pasur as autobot shoqërues dhe as burim uji, për ta rimbushur. Nuk ka pasur pompa përcjellëse stacionare uji, për ta çuar presionin deri në vatrën e zjarrit! Nuk janë ndezur automjetet zjarrfikës, mbasi janë me defekte, për shkak të moshës së tyre më të madhe se mosha e kryeministrit! Automjetet dhe punonjësit zjarrfikës, kanë shkuar në një rreth tjetër për të shuar zjarret! Oficeri i shërbimit të emergjencës që merr njoftimet për zjarre, kanë qenë duke luajtur domino e tavllë jashtë stacionit, ose kanë qenë “5 minuta” tek kafja e gjellëtorja ngjitur me stacionin zjarrfikës! Kanë ngatërruar adresën e vendit të zjarrit! Automjeteve zjarrfikës u kanë rënë gomat, gjatë rrugës për në vatrën e zjarrit. Në disa raste zjarresh, shoferët dhe punonjësit zjarrfikës që shumica janë të moshës 50-60 vjeç, vuajnë nga tensioni dhe në momentin e njoftimit për zjarr, nuk kanë dalë dot në shërbim dhe është pritur sa të zëvendësohen pas 1-2 orësh! Stacionet nuk janë të kompletuar, me numrin e nevojshëm të efektivit dhe punonjësve mbështetës!

Me 120 milionë euro të “Check-up”, mund të bliheshin 20 avionë zjarrfikës, 15 helikopterë dhe 40 makina zjarrfikëse 
Thuhet se nuk ka automjete, pajisje, stacione zjarrfikës në 23 bashki, por edhe në to bashki ku stacionet janë si strukturë, nuk përballojnë shuarjen e zjarreve as në institucione, as për familjarë, as për shërbimet publike, as për aksidentet rrugore, as për bizneset dhe as për zjarret në natyrë të cilët janë të shumtë gjatë 3 muajve të verës, siç kanë shpërthyer këtë aktualisht. Shërbimi zjarrfikës vepron në vatrat në vatrat e zjarrit që “kap” tubi i ujit. Shkon edhe në vatra zjarri, ku nuk futen dot auto-zjarrfikëset, duke tentuar ta shuajnë zjarrin me lopata, degë pemësh e këpucë! Shërbimi zjarrfikës është dorëzuar përballë zjarreve që po djegin të gjithë vendin! Ministri i Brendshëm i kërkon ndërhyrje dhe mbështetje Presidentit të Republikës, që të shpallet “Gjendja e Jashtëzakonshme”, por kryeministri e quan “gjendje normale” dhe vazhdon ekskursionet diplomatike nëpër botë, i veshur me bluza pikniku, streçe e atlete të bardha! Emergjencat civile, po kërkojnë ndërhyrje urgjente nga ajri! Gjermania dërgoi 1 avion zjarrfikës, ndërsa Italia vuri dorën në zemër e dërgoi 1 avion! Greqia, dërgoi 2 avionë, por vetëm për 2 ditë, mbasi është në gatishmëri për zjarret e veta! Presidenti turk “abi” Erdogani, refuzoi lutjen e kryeministrit shqiptar “abi” Edit, për dërgimin e 3 avionëve zjarrfikës. Shqipëria nuk ka asnjë avion apo helikopter zjarrfikës, ndërkohë që i kanë Qipro, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi e madje edhe Bosnja, pa përmendur 28 vendet e BE të cilët kanë flota zjarrfikëse ajrore të kompletuara në çdo rajon të tyre! Avionë zjarrfikës nuk janë blerë në këto 4 vite dhe nuk do të blihen dot, as në 4 vitet e ardhshme, mbasi miliardat që i kërkon prej 4 vitesh emergjenca civile për blerje avionësh të tillë, janë falur në formë koncesionesh për bizneset e tyre klienteliste! Llogaria është kjo: Vetëm me 120 milionët që iu dhanë për “Check-up”-in fiktiv, mund të bliheshin 20 avionë zjarrfikës, 15 helikopterë dhe 40 makina zjarrfikëse .

Krahasime shpenzimesh, që mund të përdoreshin për shërbimin zjarrfikës
1. Me 115 milionë eurot e koncesionit të Laboratorëve Mjekësor, ndërtoheshin 38 stacione të reja zjarrfikës. 
2. Me 86 milionët eurot e koncesionit të Hemodializës, bliheshin 130 auto-ambulanca profesionale për shërbimet zjarrfikëse, ngriheshin 12 ofiçina rajonale për mjetet zjarrfikëse dhe rinovohej infrastruktura e 38 stacioneve zjarrfikëse që janë aktualisht në të gjithë vendin!
3. Me 30 milionë eurot e koncesionit të recetës elektronike mjekësore, ngriheshin 6 qendra shërbimi zjarrfikëse ambulante, për shërbime të çastit ose mbështetëse për çdo bashki. 
4. Me 35 milionë dollarët që janë paguar koncertet elektorale në 10 vitet e fundit, mund të bliheshin 27 helikopter zjarrfikës. 
5. Me shpenzimet vjetore të pagave për fotografët, punonjësit e adresave elektronike, për ekipin xhirues televiziv privat “ERTV” të kryeministrit Rama dhe pagesat, për hapjen e ekspozitave të tij nëpër botë, bliheshin 32 auto-botë uji mbështetës për auto-zjarrfikëset! 
6. Me 300 mijë eurot e paguara për reportazhin në revistën e huaj “The Economist”, mund të bliheshin 6 auto-ambulanca profesionale për shërbimin zjarrfikës. 
7. Me 5 milionë eurot e blerjes së kamerave mbeturina të policisë rrugore, mund të bliheshin 110 automjete zjarrfikës të kompletuar!
9. Vetëm me shpenzimet e 3 vizitave në Shqipëri, të këshilltarit kryeministror Toni Blair, mund të ndërtoheshin 16 stacione pompimi uji, pranë qendrave zjarrfikëse. 

Nuk ka helikopterë për zjarret, por ka për transport droge dhe video-klipe këngëtarësh
Ndërsa Emergjencat Civile, deklarojnë se Shqipëria nuk ka avionë dhe helikopter zjarrfikës, çuditërisht shikojmë përditë, që fluturojnë helikopter shtetëror të çdo ngjyre, por jo për të shuar zjarret që po shkrumbojnë gjithë territorin e vendit. Për çfarë përdoren? 
- Ka helikopterë urgjencash mjekësore, që çojnë deputetë për kurime urgjente jashtë shtetit. 
- Ka helikopter urgjence mjekësore, që çon në malet e Kukësit (ish)ministrin Ilir Beqja, për të filmuar banorë të zonave që instruktohen për të shprehur “falënderime për “suksesin e Check-up dhe arritjet e shëndetësisë falas”.
- Ka helikopterë ushtrie e emergjencash mjekësore, që u jepen këngëtarëve për video-klipe muzikore. 
- Ka helikopterë policie, shëndetësie e ushtrie, që përdoren për të çuar kryeministrin dhe ministrat e deputetët, në takime elektorale! 
- Ka helikopterë që përdoren për të çuar gazetarët e paguar të mediave botës, në parcelat e hashashit
- Ka helikopterë për të xhiruar dokumentarë “arritjesh” për “rilindjen” turistike të maleve, pyjeve dhe bregdetit të Shqipërisë.
- Ka helikopterë, për të transportuar pllaka mermeri për vilat e ministrave, por që rrëzohen në lumenj nga pesha e rëndë! 
- Ka helikopterë e avionë, për të transportuar drogën e prodhuar në pyje, por nuk ka helikopterë e avionë, për të shuar zjarret në pyje! 
-----------------------------------------------------------------------------
Fakte nga primitiviteti i shërbimit zjarrfikës

- Afro 60% stafeve drejtues dhe punonjësve të këtij shërbimi, janë jashtë profesionit
- Në 23 bashki, nuk ka stacione, automjete dhe ekipe zjarrfikës.
- Në 43 bashki, fondet që kanë kaluar për shërbimin zjarrfikës, janë shpenzuar për mobilim zyrash, shpërblime, ekskursione zyrtarësh, blerje auto-veturash dhe paga punonjësish të shtuar.
- Në shërbimin zjarrfikës 70% e automjeteve dhe pajisjeve speciale, janë prodhime të viteve 1960-1970, ndërsa 25% e tyre janë prodhime të viteve 1980 dhe vetëm 5% janë prodhime të 10 viteve të fundit. 
- Në 36 stacione zjarrfikës është ndërprerë furnizimi me ujë, për shkak të mos shlyerjes së faturave të ndërmarrjeve të ujësjellësve
- Në të 38 stacionet zjarrfikës që ekzistojnë aktualisht, nuk ka as autoambulanca dhe as ekip të ndihmës së shpejt mjekësore, siç e parashikon ligji.
- Në shërbimin zjarrfikës, 55% e punonjësve janë mbi 50 vjeç, ndërkohë që 40% e tyre janë jashtë profesionit. 
- Në stacionet zjarrfikës, nuk ka stacione pompimi uji, për furnizimin e atu-zjarrfikësve
- Përveç stacionit të Stacionit Zjarrfikës të Tiranës, asnjë stacion tjetër nuk ka qendër të përgatitjes fizike-profesionale të efektivëve (ngritur privatisht nga drejtuesi i këtij stacioni, Shkëlqim Goxhaj).