Mbyllet sot kalvari i regjistrimit në universitete

69
Mbyllet sot afati i regjistrimit të aplikantëve në shkollat e larta, i nisur rreth 2 muaj më parë. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, vendosi ta zgjasë deri më 26 tetor mundësinë e regjistrimit të aplikantëve në shkollat e larta për t’u dhënë një shans tjetër edhe atyre, të cilët kishin mbetur jashtë. Një udhëzim i posaçëm i Nikollës caktoi 10 ditë më parë afate të tjera për ata që donin të ndiqnin studimet e larta. “Gjatë periudhës 16 deri 26 tetor, institucionet e arsimit të lartë, vijojnë me procedurat e regjistrimit të kandidatëve nëpërmjet portalit u-albania, në programet e studimit në të cilat kanë aplikuar në raundin e parë apo të dytë. Të drejtën e regjistrimit e kanë kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi. Institucionet e arsimit të lartë gjatë regjistrimeve respektojnë renditjen e kandidatëve deri në plotësimin e kuotave. Procedurat për regjistrimin e kandidatëve përcaktohen nga njësitë kryesore të IAL-ve”, theksohej në udhëzimin e ministres. “Në rast se përfundon e gjithë lista e kandidatëve që kanë aplikuar në raundin e dytë dhe mbeten kuota të paplotësuara në programet përkatëse të studimit, njësitë bazë në institucionet e arsimit të lartë, përzgjedhin kandidatët fitues sipas kërkesave të depozituara nga kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, pavarësisht përzgjedhjeve në raundin e parë apo të dytë”, thuhej në udhëzim, ndërsa viti akademik ka filluar prej disa ditësh. Pikërisht sot edhe kjo mundësi do të marrë fund, duke mbyllur një fazë rreth 60-ditore të regjistrimit në universitete.