Mbyllet linja Vlorë-Korfuz

1398
Sigal

INTERVISTA/ Flet drejtoresha e portit, Fato Nuredini: “Nuk funksionoi. Presim një tjetër traget që do të shkëputet, linja Durrës-Bari”

Rreth 45 ditë më parë drejtore e Portit të Vlorës, Fato Nuredini, konfirmoi ekskluzivisht për “Telegraf”, se do të vihej në punë linja e re Vlorë-Korfuz, duke e cilësuar si një lajm të mirë për Vlorën. Sot, titullarja e Portit është shprehur se kjo linjë u mbyll, nuk funksionoi dhe për këtë fakt na vjen keq, sepse ishte një ndihmë për Vlorën, për të kapërcyer shpejt deri në Korfuz.

Z. Nuredini, si funksionoi linja Vlorë-Korfuz për gjatë këtij sezoni turistik?

Është e vërtetë që gjatë muajit korrik u vendos linja e re Vlorë-Korfuz. Këtë itinerar e kreu për pak kohë trageti që bënte linjën Sarandë-Korfuz, duke e përshkuar dy herë në javë. Trageti ankorohej në Portin e Vlorës në mëngjes, bënte rrugën dhe kthehej në mbrëmje. Ai transportonte vetëm pasagjerë dhe jo automjete. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ngjalli interes, veçanërisht gjatë sezonit, por fatkeqësisht u ndërpre.

Cili është shkaku?

Sikurse na deklaruan zyrtarisht si drejtori porti, shkaku ishte se nuk e përballonin dot këtë shtesë të linjës nga Vlora me atë traget. Madje u shprehën se u prish edhe motori i tragetit, kësisoj u detyruan ta ndërpresin. Nuk mund t’ju themi diçka më shumë.

Ndërkohë, mësohet që ky traget vazhdon të udhëtojë në linjën Sarandë-Korfuz. Mos kishte probleme me detyrimet ndaj portit?

Jo, kjo linjë vazhdoi vetëm për pak kohë dhe nuk bëhet fjalë për detyrime, por ndoshta nuk i interesonte. Sikurse erdhi me dëshirë, po kështu u largua. Vlorës i bëhej mirë, ne si drejtori e portit e pritëm me gëzim të madh, por ja që nuk funksionoi. Kjo nuk varej nga ne, as nga dëshira e qytetarëve që e kërkojnë këtë linjë, por nga mundësitë dhe interesat e kompanisë që ka tragetin.

Cila është situata e trageteve në këtë periudhë, që ka fluks pasagjerësh?

Nga Porti i Vlorës udhëton trageti Europa, traget i madh, që “nxjerr portin nga sikleti”. Ndërkohë, trageti tjetër Red Star, ka shkuar për remont në Malin e Zi. Njëherësh u rikthye trageti Agodimos, pasi shleu detyrimet një për një, që kish me portin. Por duhet t’ju them se Portit të Vlorës do t’i shtohet edhe një traget tjetër.

Ndonjë linjë e re?

Jo do të përshkojë linjën Vlorë-Brindizi. Do të jetë një traget i madh, që i shkëputet linjës Durrës-Bari dhe do të kryejë këtë itinerar. Ishte kërkesa e një agjencie, që e ka një vlonjat në Durrës, që mendoi të fillojë udhëtimet nga Porti i Vlorës dhe ne si drejtori, ramë dakord. Dokumentacioni është bërë gati dhe presim të nisë udhëtimin e parë. Duhet t’ju them se Porti i Vlorës ka ma marrë një dimension të ri me investimet që janë kryer dhe lëvizjet e mëdha të njerëzve dhe mallrave, kërkojnë gatishmëri dhe komoditet.

Ju jeni shprehur se në këtë sezon do të përurohej edhe terminali i portit. Çfarë ndodhi?

Punimet e terminalit kanë përfunduar tërësisht. Tani policia po vendos pajisjet e saj, kabinat dhe do të fillojë nga puna. Gjithsesi, sikurse u jam shprehur edhe më parë, investimet që u bënë për terminalin, nuk penguan aspak lëvizjet e qytetarëve, madje vendosja e çadrave, ndihmuan në përballimin e vapës dhe kryerjen me shpejtësi të procedurave, pasi u dyfishuan edhe sportelet gjatë sezonit turistik.

Zonja Nuredini, pak ditë më parë një grup peshkatarësh denoncuan tek “Telegraf”, trafikun që bëjnë peshkarexhat, duke shitur karburant që e blejnë në Greqi apo Itali. Ky fakt u kalua në heshtje edhe nga drejtoria e Portit. Jeni në dijeni për këtë problem?

Në Portin e Vlorës, nuk ka asnjë peshkarexhë, vendqëndrimi i tyre është në portin e Zvërnecit, që nuk është në vartësinë tonë. Është detyrë e Policisë Kufitare për të ndjekur shqetësimin që kanë ngritur peshkatarët, sigurisht në bashkëpunim me Policinë e Rendit, nëse bëhet fjalë për kontrabandë karburantesh. Porti i Vlorës nuk e njeh këtë problem dhe nuk ka të bëjë me peshkarexhat.