Mbyllen hetimet për Becchett-in: Mashtroi, vodhi e pastroi para

22
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet ndaj biznesmenit italian, Francesco Becchetti. Mësohet se dosja do të dërgohet brenda javës së ardhshme në Gjykatën e Krimeve të rënda. Hetimet kanë filluar disa muaj më parë, ndërsa në qershor të këtij viti, gjykata pranoi kërkesën për të sekuestruar 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, si dhe për të bllokuar të gjitha llogaritë bankare të administruara nga Becchetti. Biznesmeni akuzohet për pastrim parash, vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës dhe krijim të skemave të mashtrimit me qëllim përfitimin. Pronari i “Agon Channel” dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka shfrytëzuar bizneset e ngritura në Shqipëri për “pastrimin” e rreth 100 milionë eurove që dyshohet se kanë burim të paligjshëm. Akuza ka dyshime se një pjesë të këtyre parave ai i ka investuar në “Agon Channel”, për të cilin u shpreh dikur se kishte shpenzuar 40 milionë euro, pa marrë as edhe 1 cent kredi në bankë. Bashkë me Becchett-in të akuzuar janë edhe Mauro de Renzi, Liliana Condimitti, Stavri Peçi dhe Elona Troplini. Grupi hetimor bën të ditur se ka provuar skemën, përmes së cilës biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit. Sipas tyre, në qendër të kësaj skeme evazioni, por njëkohësisht edhe pastrimit të parave, qëndron hidrocentrali i Kalivaçit dhe dy shoqëri të zotëruara nga Becchetti, koncesionarja “KGE” dhe ajo “Energji”.

Mësohet se Prokuroria e Tiranës ka administruar në dosjen “Becchetti” edhe disa shpresa që disa kompani private i kanë dërguar Ministrisë së Energjetikës për problemet në ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Mësohet se një nga kontraktuesit e kompanisë së italianit i ka nisur ministrit të Energjetikës dhe institucioneve tjera në vitin 2009 një shkresë ku tregoheshin fryrjet e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit. Kjo kompani që kishte kryer disa punime njoftonte për mashtrimet me fatura që bën italiani. Në këto dokumente thuhet se Becchetti ka mashtruar kur deklaron se ka kryer punime në hidrocentralin e Kalivaçit me vlerë rreth 76 milionë euro, ku vetëm nënkontraktuesit, sipas Becchett-it, janë paguar me rreth 46 milionë euro punë të kryera. Një shqetësim tjetër që nënkontraktuesit shqiptarë kanë ngritur në atë kohë, ishin edhe premtimet e pambajtura të italianit. Me marrjen e koncesionit për ndërtimin e hidrocentralit, biznesmeni kishte premtuar ndërtimin e ujësjellësit të zonës, ndërtimin dhe shtrimin e rrugëve, punësimin e banorëve të zonës, ndërtimin e shkollave apo investimeve të tjera në zonë, por që asnjë prej tyre nuk kishte mbajtur.

Sipërmarrësi italian, Francesco Becchetti, është ndaluar nga policia angleze disa javë më parë. Becchetti, pasi është lokalizuar në Londër, është ndaluar nga forcat e policisë në bazë të urdhrit ndërkombëtar të kërkimit të lëshuar nga Prokuroria dhe Policia shqiptare. Në bazë të legjislacionit në Mbretërinë e Bashkuar, Becchetti nuk është arrestuar, por është lënë i lirë, pasi i është komunikuar vendimi për ekstradim, me detyrimin që të kthehet në Shqipëri brenda 15 ditëve të para të muajit dhjetor, në të kundërt ai do të kthehet forcërisht nga autoritetet britanike.