Sigal

Ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, Qirjako Qirko u ka bërë apel të gjithë shqiptarëve që të heqin dorë nga emigrimi illegal. Kryesisht pas Brexit, Qirko thekson se çdo emigranti që hyn ilegalisht në territorin britanik nuk i mundësohet e drejta e punësimit apo marrja e lejes së qëndrimit.

“I bëj një thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të mi për të hequr nga mendja kalimin e paligjshëm në Britaninë e Madhe, veçanërish me Brexit. Një nga arsyet pse u realizua Brexit është ndalimi i emigracionit në terësi. Në këto kushtet shteti britanik ka marrë masa ligjore sa i takon heqjes së çdo mundësie punësimi në Britani për shtetas që hyjnë në mënyrë ilegale, jo vetëm shtetas shqiptar por nga çdo vend tjetër i botës. Pra nuk ka asnjë mundësi që një person i ardhur ilegalisht në një moment të caktuar të fillojë punë dhe të bëjë letrat për të qëndruar legalisht në Britani. Ndaj përsëris thirrjen që të mos e ndërmarrin këtë hap sepse janë para të hedhura dëm dhe nuk do të kenë asnjë rezultat në këtë drejtim”, deklaroi Qirko.

Sa i përket influencës që Brexit mund të ketë për shqiptarët që e kanë fituar të drejtën për të jetuar në Britani të Madhe, Ambasadori shqiptar thotë se nuk do të ketë asnjë pasojë.

“Brexit nuk ka lidhje me emigracionin. Sa i takon emigracionit ilegal, heq çdo mundësi për tu legalizuar në një kohë të dytë, ndërsa përsa i takon emigrantëve që janë këtu, Brexit është një proces që nuk ka përfunduar, vazhdojnë diskutimet. Një nga pikat është statusi që do të kenë shtetasit e BE që jetojnë në Britaninë e Madhe dhe atyre britanikë që jetojnë në BE.

Sa i takon shtetasve tanë që tashmë e kanë fituar të drejtën e qëndrimit të ligjshëm nuk do të kenë asnjë pasojë nga Brexit”, tha Qirko.