Mbyllen aplikimet për Këshillin e BSH, Rama: Në garë 151 persona

45

TIRANE – 151 shqiptarë që punojnë në institucione ndërkombëtare financiare kanë shprehur interes për të qenë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Kreu i qeverisë Edi Rama njoftoi sot mbylljen e procesit të aplikimeve për këtë post, duke i lënë 15 ditë kohë për të dorëzuar dokumentacionin për tu futur në garën për anëtarë të bordit të BSH-së.

“Me 151 aplikantë mbyllet thirrja për shprehje interesi për kandidatë nga jashtë atdheut për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Faleminderit”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
 
30 shtatori ishte dita e fundit për paraqitjen e kërkesave, ndërkohë që vijojnë ende aplikimet për guvernator, proces ky i shpallur nga presidenti i Republikës, i vlefshëm deri në datën 5 tetor.

Vendet vakante në organin drejtues të Bankës qendrore janë krijuar pas shkarkimit të Ardian Fullanit nga Këshilli dhe posti i guvernatorit, dorëheqjes së paraqitur nga Ardian Civici, ndërkohë që duhet të plotësohen edhe vendet e mbetura vakant që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur përfundoi mandati i dy anëtarëve të tjerë. Nga ana tjetër, duhet të plotësohet, sipas ligjit, edhe posti i zëvendësguvernatorit të dytë, që Fullani e kishte lënë bosh, për çka atij i është shtuar një pikë e veçantë në padinë që po i ngre Prokuroria.

Por mendohet se tashmë duhet të jetë hapur rruga edhe për zëvendësimin e Petraq Milos, i cili sapo u zgjodh anëtar i Këshillit drejtues të Partisë Demokratike, duke u angazhuar në një post partiak, çka përjashtohet kategorikisht nga ligji për Bankën e Shqipërisë për pozicionin e anëtarëit të Këshillit Mbikëqyrës të BSH.  

Duke qenë se presidenti do të propozojë në Kuvend emrin e guvernatorit, që duhet të miratohet nga mazhoranca, nga institucionet kërkohet që të arrijnë në kompromis paraprak, për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Bankën e Shqipërisë.