Mbledhja e Komisionit ad-hoc – Kandidatët për KLGJ dhe KLP do skanohen dhe nga KLSH, ILDKPI, DPPP

547
Puna e komisionit të pavarur ad-hoc për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka nisur zyrtarisht.

Sot në zyrën e Avokatit të Popullit u zhvillua mbledhja e parë ku merrnin pjesë katër anëtarë nga pesë që ka gjithsej Komisioni. Në mbledhje mungoi kryetari i KED, Artan Zeneli.

Në mbyllje të mbledhjes, Avokati i Popullit, Igli Totozani, në cilësinë edhe të kryetarit të Komisionit komunikoi tre vendimet e mbledhjes.

Totozani: Jam i gëzuar që tu jap një lajm të mirë. Nga pesë anëtarë ishin të pranishëm katër anëtarë të Komisionit, kryetari, përfaqësuesi nga Akademia e Shkencave dhe dy përfaqësues nga avokatia. U morën disa vendime të rëndësishme në këtë mbledhje të parë.Së pari, vendosëm bashkarisht që komisioni ad-hoc të quhet i konstituuar. Puna filloi.Së dyti, vendosëm bashkarisht të miratojmë një rregullore të posaçme mbi mënyrën si do punojë ky Komision dhe si do të trajtohen, shqyrtohen, kandidaturat e ardhura nga rradhët e avokatisë qoftë për KLGJ, qoftë për KLP si dhe mënyra e votimit të tyre.

I kemi dërguar kërkesë për informacion në lidhje me formularët e dekriminalizimit Prokurorisë së Përgjithshme për të gjithë kandidaturat e ardhura, gjithashtu i kemi kërkuar Autoritetit të Dosjeve të na sjellë informacion për të gjithë kandidaturat që janë paraqitur pranë komisionit. Së treti, Komisioni vendosi që sëbashku ti kërkojmë mendim disa institucioneve shtetërore mbi kandidaturat. Do ti kërkojmë mendim KLSH, ILDKPI dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Parave.

Deri në mbledhjen e ardhshme që do të zhvillohet të enjten ose të premten, Totozani beson se do të kenë informacionin e duhur si nga Prokuroria, Autoriteti i Dosjeve dhe institucionet e tjera.

Totozani: Në mbledhjen e ardhshme do të fillojë menjëherë shqyrtimi i dosjeve përkatëse të të gjithë kandidatëve që janë paraqitur qoftë për KLGJ apo KLP. Mendoj se në mbledhjen e ardhshme do kemi një listë të kandidatëve që plotësojnë kriteret për të vazhduar më tej verifikimin e institucionit.

Avokati i Popullit apeloi sërish shoqërinë civile që të përfshihet në procesin e ngritjes së strukturave të reja të Reformës në Drejtësi.

Ndryshe, për plotësimin e vendeve jashtë sistemit të drejtësisë në strukutrat e KLGJ dhe KLP, kanë mbetur pa plotësuar 10 vende.
Sigal