Mbifaturimi i ambienteve të përbashkëta

1189
Sigal

Ferit SHQEFNI


Për banorët e Tiranës dhe jo vetëm, një shqetësim mjaft evident është vënë re në lidhje me mbi faturimin e ambienteve të përbashkëta. Nga shumë banorë të lagjeve të ndryshme të kryeqytetit janë evidentuar mjaft raste për mbi faturim të energjisë elektrike nga lexuesit e kësaj kompanie. Ambientet e përbashkëta ose siç quhen ndryshe, shkallët e pallateve, nga këta lexues janë faturuar më shumë se ç’duhet. Kjo me sa duket është lënë në dorë të lexuesve e jo mbi bazën e konsumit real të regjistruara nga matësit. Kështu p.sh, në një shkallë pallati 5- katësh që ka vetëm një pompë të fuqisë së ulët dhe nga një llambë ndriçimi për çdo kat dhe me vetëm 15 familje, çdo banori i shkon fatura për shkallën e pallatit nga 60 deri në 90 kë! Po të bëhet një përllogaritje e thjeshtë rezulton se në një shkallë të tillë pallati, të jenë konsumuar rreth 1500 kë orë energji elektrike! Shtrohet një pyetje e thjeshtë: Sa energji në muaj mund të harxhojë një pompë, kur ndizet vetëm 3 herë në ditë me nga 1 orë? Po 5 llamba në të gjithë shkallën, me nga 1 llambë për çdo kat, sa energji mund të harxhohet për një muaj? 

Përgjigjen e këtyre pyetjeve, lexuesit e OSHEE, e japin shumë shkurt: Duke mbi faturuar banorët me hamendje! Këta lexues, jo vetëm që nuk e lexojnë fare matësin e shkallës apo siç quhen ndryshe ambiente të përbashkëta, por ata ia fusin me hamendjen e tyre. Por nuk është thjeshtë vetëm kjo, por me sa duket, ata (lexuesit) kanë një plan apo një urdhër që të gjitha humbjet e rrjetit të kompensohen nga mbi faturimi i ambienteve të përbashkëta! Kjo padyshim që bie mbi kurrizin e qytetarëve, duke iu fryrë vlera e faturës sa nuk mban më. Dhe, veç taksës së banesës, ajo e RTSH-ës, si dhe 20 përqindëshi i TVSH-së, qytetarit tashmë do t’i duhet të paguaj edhe vlerën e mbi faturuar nga ambientet e përbashkëta! Nuk jemi kundër faturimit të ambienteve të përbashkëta, por ky faturim duhet të bëhet me shumë kujdes nga lexuesit, në mënyrë të drejtë, duke përpjesëtuar të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar, natyrisht mbi bazën e regjistrimit nga matësi, për çdo banorë, por duke patur parasysh këtu edhe konsumin mbi bazën e çdo familje. Sepse ndodh se nëse një familje ka konsumuar nga matësi i banesës së tij një sasi prej 200 kë, paguan edhe 100 kë të tjera nga ambientet e përbashkëta, e për rrjedhojë i fryhet artificialisht vlera totale e kilovatëve të energjisë elektrike. Ndërsa po një familje tjetër që konsumon më shumë se i pari, pra mbi 500 kë energji, i shtohen edhe atij 100 kë energji të tjera nga ambientet e përbashkëta. Do të ishte më normale që lexuesit e energjisë duhet ta përpjesëtojnë në mënyrë të drejtë ndarjen për çdo familje. Pra në raport me konsumin e energjisë së banesës, duhet të faturohet edhe energjia e shkallës (ambientet e përbashkëta). Pra nëse një familje konsumon më pak energji nga banesa e tij, duhet të faturohet më pak nga ambientet e përbashkëta. Sepse është logjike, nëse një familje ka harxhuar më pak se 300 kë energji në muaj, ajo familje ose nuk ka banuar aty gjithë kohën ose ka kursyer energjinë, e për rrjedhojë duhet të faturohet nga ambientet e përbashkëta,më pak se një familje që konsumon mbi 500 kë energji. Që të zgjidhet në mënyrë definitive ky shqetësim mbarë qytetar, nga kompania e OSHEE, duhet të merren këto masa: Ose lexuesit të bëjnë ndarjen e energjisë të ambienteve të përbashkëta në mënyrë të drejtë për çdo familje dhe në vartësi të konsumit real, ose të hiqen matësit e përbashkët dhe të dhe kjo lidhje të kalojë tek çdo matës i banorëve.

Abonenti faturohet, edhe kur atij i është prerë energjia!

Një tjetër shqetësim për abonentët e OSHEE është dhe ai i faturimit, ndërkohë që atij i është prerë energjia elektrike. Ky shqetësim nuk ndodh vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin. Nuk është fjala për ato familje që kanë qenë debitorë dhe u është prerë energjia, por për ata të tjerë që ndoshta kanë qenë pak debitorë në shuma të papërfillshme dhe që u është prerë energjia dhe që nuk banojnë më atje. Kështu p.sh, në një fshat të Skraparit, para një viti, një banori i është prerë energjia elektrike pasi kishte për të paguar vetëm 150 mijë lek të vjetra. Por çuditërisht edhe pse ky banor nuk banon më atje, i shkon rregullisht fatura e energjisë me nga 3400 lek të vjetra çdo muaj duke përfshirë këtu edhe taksën e televizorit. Dërgimi i kësaj fature nga OSHEE, për tek ky banor mund të vazhdojë pafundësisht. Dhe sipas përllogaritjes edhe të kamatëvonesës, i bie që këtij banori, pas disa vitesh, vallë sa mund t’i shkojë vlera totale e kësaj fature, e aq më keq akoma kur ai nuk banon më atje! Edhe ky padyshim që është një absurditet. Nëse një banori i pritet energjia elektrike dhe nuk e ka rilidhur atë, e aq më keq akoma kur ai nuk banon fare atje, atij, në momontine prerjes së energjisë elektrike duhet t’i regjistrohet sasia e kilovatëve të konsumuar si dhe e vlerës së lekëve dhe t’i vilet në forma të tjera dhe jo t’i shkojë fatura rregullisht e për pasojë duke e ngarkuar ata me vlerë fiktive. 

Nëse banon ose jo ai banorë që i dërgohet fatura e energjisë, kjo verifikohet lehtësisht nga lexuesit e OSHEE. Thuhet se abonenti edhe kur nuk ka energji, duhet të paguaj vlerën prej 2400 lek të vjetra në muaj për mirëmbajtje rrjeti si dhe 100 lek të vjetra të tjera për taksën e televizorit, duke paguar në total një vlerë prej 3400 lek të vjetra në muaj. Ja pra, a nuk është absurditet i paskrupullt ky, që një qytetar kur nuk furnizohet me energji elektrike si dhe kur nuk ka dhe as nuk shikon televizor, të paguaj një faturë prej 3400 lek të vjetra në muaj?! Mendojmë se këtij absurditeti duhet t’i jepet fund, njëherë e përgjithmonë. Duhet të paguajnë energji të gjithë ata që konsumojnë dhe për aq sa konsumojnë, dhe jo të paguajnë ata kur nuk konsumojnë asnjë kilovat energji, e aq më keq akoma kur kjo energji i është ndërprerë. A mos vallë qeverisja e Rilindjes i ka bërë matësit që të punojnë edhe atëherë kur nuk ka energji elektrike?! Po taksa e televizorit, pse duhet të paguhet kur shumica e njerëzve nuk e shohin RTSH?! Po kur nuk ke as televizor dhe as energji elektrike, pse duhet të paguash?! Ka ardhur koha që Institucionet e shtetit duhet të ndërhyjnë ndaj fenomeneve dhe absurditeteve të tilla, që janë aq të dëmshme për qytetarët e këtij vendi!