Mbetjet spitalore në shtatë qytete akuzojnë dy ministra

776
Problematika e grumbullimit të mbetjeve spitalore në vend është një nga problemet më shqetësuese aktuale, për të cilën ka vite që flitet, por që ende asgjë nuk është bërë nga instancat përkatëse për rregullimin e kësaj situate. Në Shqipëri brenda një viti prodhohen mbi 2 mijë ton mbetje spitalore në vit dhe pjesa më e madhe e madhe e tyre hidhen pranë zonave të banuara, ku banorët janë të detyruar të bashkëjetojnë me sëmundjet infektive dhe kancerogjene, që këto mbetje shkaktojnë. Spitalet, poliklinikat, qendrat shëndetësore, klinikat mjekësore, klinikat dentare dhe klinikat veterinere janë prodhuesit e mbetjeve të rrezikshme spitalore. Kjo situatë paraqitet tepër e rrezikshme, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që shfaqin këto mbetje, të cilat janë shkaktarë për përhapjen e infeksioneve dhe epidemive tek banorët. 
Asnjë zgjidhje për këtë problem alarmant
Problematika e këtyre mbetjeve spitalore është trajtuar disa herë, por nuk është ofruar asnjë zgjidhje përfundimtare në lidhje me këtë problem nga asnjë institucioni. Thirrjeve të shumta të banorëve të shumë qyteteve nuk i është përgjigjur askush, duke lënë situatën të vazhdojë në normalitet, sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Me idenë se kompanitë fantazma të licencuara, po bëjnë punën e tyre, por aktualisht në vend gjendja paraqitet tepër kaotike. Kjo situatë paraqitet problematike në shumë qytete të vendit, si në spitalet e Tiranës, Tropojës, Bilishtit, Gjirokastrës, Peshkopisë, Pogradecit, Sarandës dhe shumë qyteteve të tjera. Edhe pse udhëzimet e veçanta të bëra nga ministritë si ajo e Mjedisit dhe Shëndetësisë, të cilët shprehen se këto mbetje spitalore duhet të grumbullohen në kushte të posaçme dhe të digjen në incenerator të posaçëm për shkak të natyrës së veçantë dhe rrezikshmërisë së tyre, përsëri në mjaft qytete të vendit, mbetjet spitalore grumbullohen në të njëjtin vend ku grumbullohen dhe mbetjet e tjera, për tu hedhur më pas në koshat e plehrave, pa bërë një ndarje paraprake të veçantë nga ana e spitaleve. Kjo situatë paraqitet e rrezikshme në kryeqytet, në vendet e grumbullimit të mbetjeve pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ku banorët e kësaj zone shprehen mjaft të shqetësuar për faktin se mbetjet spitalore hidhen në të njëjtin vend, ku hidhen dhe mbetjet e tjera, kjo sipas tyre është një situatë, e cila ndodh çdo ditë. E tillë është gjendja edhe për spitalet private, të cilat operojnë në të njëjtën formë si spitalet e tjera, duke shtuar rrezikun, i cili është bërë pjesë e përditshme e banorëve të zonave përreth spitaleve. Këtë fakt e pohojnë dhe punonjësit e firmave të pastrimit, të cilët gjatë kohës që bëjnë dhe boshatisjen e këtyre koshave, hasin mbetje të ndryshme spitalore, si shiringa, shishe serumi, bisturi etj. Vendosja e koshave, ku mbetjet ndahen sipas përbërjes së tyre në spitale, është hapi i parë, por kjo masë duket se nuk respektohet siç duhet nga të gjitha pavijonet e QSUT-së. 
Elbasani i hemuar edhe nga mbetjet
E tillë paraqitet situata edhe në qytetin e Elbasanit, ku këto mbetje spitalore përveç faktit që hidhen në të njëjtin kosh me mbetjet urbane, për të përfunduar më pas në vendin ku hidhen dhe digjen mbeturinat e të gjithë qytetit. Një tjetër vend grumbullimi për këto mbetje është bërë dhe kodra e Krastës, ku këto mbetje transportohen, duke i hedhur në greminë në drejtim të lumit Shkumbin. Banorët shprehen të shqetësuar për vetë faktin se në këtë zonë ka një lëvizje të madhe të njerëzve, të cilët e vizitojnë çdo ditë, e cila është quajtur dhe si “Mushkëria e qytetit”, por si duket nuk është kështu. Banorët e kësaj zonë thonë se shkarkimet e këtyre mbetjeve në këtë zonë bëhen thuajse çdo ditë, dhe se asnjeri nuk i kontrollon. Situata paraqitet e rëndë për faktin se në këtë zonë ka dhe vizitorë të vegjël, të cilët nuk e dinë rrezikun që paraqesin këto mbetje, duke i prekur me dorë, çka mund të sjellë dhe përhapjen e infeksioneve tek këta fëmijë apo dhe tek banorët e zonës, të cilët janë shumë pranë vendit ku bëhet dhe hedhja e mbetjeve spitalore. Hedhja e mbetjeve spitalore fare pranë brigjeve të lumin Shkumbin është një problem, të cilin ambientalistët e kanë denoncuar disa herë, si një problem, për të cilin duhet gjetur një zgjidhje e menjëhershme, kjo pasi hedhja e këtyre mbetjeve spitalore në ujërat e lumi Shkumbin, sjelle dhe dëmtimin e tokës. Bashkia e Elbasanit është shprehur për vite radhazi se do t’i japë zgjidhje këtij problemi, mirëpo edhe sot e kësaj dite nuk ka pasur asnjë rezultat në lidhje me zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate. Elbasanit, përveç ndotjes se përditshme që i bëhet nga Metalurgjiku, tashmë i duhet të përballet dhe me problematikën shqetësuese të hedhjeve vend e pavend të mbetjeve spitalore dhe farmaceutike, e cila kërkon një zgjidhje të menjëhershme, për të bërë të mundur evitimin e përhapjes së ndonjë epidemi, e cila do të shfaqej mjaft e rrezikshme për qytetarët e Elbasanit.
Pogradeci i mbulur nga mbetjet
E njëjta situatë problematike për grumbullimin e mbetjeve spitalore, paraqitet edhe në qytetin e Pogradecit, ku këto mbetje spitalore grumbullohen nga punonjësit e spitalit dhe hidhen në koshat e plehrave, si pa gjë të keqe. Urgjencat, spitali qendror apo dhe materniteti i këtij qyteti nuk bën grumbullimin e veçantë që duhet për këto mbetje, duke i depozituar në të njëjtin vend ku bëhet dhe grumbullimi i mbetjeve nga qytetarët, situatë kjo, e cila paraqitet tejet e rrezikshme për banorët e këtij qyteti, sidomos në periudhën e verës, kur dhe fluksi i personave është më i madh për shkak të vizitimit të këtij qyteti nga turistët. 
Heshtja e dy dikastereve
Situata në lidhje me këtë çështje paraqitet mjaft e rëndë në shumë qytete të vendit edhe pse Ministria e Mjedisit dhe ajo e Shëndetësisë kanë bërë apele të njëpasnjëshme për qendrat spitalore, por deri më tani situata paraqitet e njëjtë, pa u shqetësuar se kjo situatë mund të jetë serioze dhe tepër e rrezikshme për qytetarët, por edhe për personat të cilët kontrollojnë këto vend grumbullime plehrash, për të marrë mbetje kartonësh apo plastike, për ti shitur ato më pas, duke u bërë shkak i përhapjeve të sëmundjeve dhe për banorët e tjerë. Situata në lidhje me këto mbetje nuk përbën problematikë vetëm në lidhje me ndotjen mjedisore, por edhe për infektimin e personave që bien në kontakt me këto mbetje. Mjaft e rrezikshme është dhe djegia e këtyre mbetje, sepse mund të sjellë edhe shkaktimin e sëmundjeve kancerogjene. Ajo që duhet bërë është që këto spitalore të grumbullohen në kushte të posaçme dhe të digjen në incenerator të posaçëm nga ana e firmave të licencuara për shkak të natyrës së veçantë dhe rrezikshmërisë së tyre. Ligji për Administrimin e Mbetjeve Spitalore, ripërtërirë me akte nënligjore në vitin 2010, ngarkon në mënyrë të drejtpërdrejtë Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Mjedisit në lidhje me përgjegjësinë për monitorimin e procesit për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore në vend.
Sigal