Mbërrin në Tiranë eksperti i lartë europian, shkak bllokimi i Reformës Zgjedhore

489

Sigal

Në kuadër të reformës zgjedhore, prezenca e OSBE-së në Tiranë ka sjellë një ekspert të nivelit të lartë, i cili do të qëndrojë për tri ditë në vendin tonë.

Me anë të një njoftimi, OSBE thekson se gjatë muajve në vijim, Prezenca do t’i ofrojë ekspertizë teknike komisionit të posaçëm kuvendor për reformën zgjedhore, për të përmirësuar legjislacionin në përputhje me rekomandimet e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).

Jessie Pilgrim, ekspert i lartë në fushën e zgjedhjeve, me përvojë të gjerë në legjislacionin dhe proceset zgjedhore në Shqipëri, është kontraktuar nga Prezenca dhe po takohet gjatë këtyre tri ditëve me disa nga aktorët kryesorë në fushën e zgjedhjeve, për t’u njohur me mendimet dhe propozimet e tyre lidhur me ndryshime të mundshme në legjislacionin zgjedhor.

Ndër ta janë bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm, përfaqësues të partive kuvendore dhe jokuvendore, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizata të vëzhguesve vendorë.

Pilgrim do të ofrojë komente ligjore, me shkrim, pasi komisioni i posaçëm të hartojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai do t’i shqyrtojë ato sa i takon respektimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, angazhimeve në kuadrin e OSBE-së dhe detyrimeve ndërkombëtare.

Ndihma e Prezencës së OSBE-së për reformën zgjedhore në Shqipëri mbështetet financiarisht edhe nga ambasada zvicerane.