Mbarojnë blloqet e gjobave, Tahiri, tender 10 milioneë lek

595
Sigal

Policia Rrugore është kthyer në një “makth” për qytetarët. Jo vetëm sa i takon parkimit të automjeteve në vendet e ndaluara, por edhe për shkak të penalizimeve të ndryshme.

Ndaj qytetarët duhet kenë kujdes me sinjalistikën rrugore, ose me shpejtësinë nëse duan që t’i shpëtojnë gjobave të Policisë. Numri i madh i gjobave ndaj automjeteve duke vendosur edhe shifra rekord, ka zbrazur edhe rezervat e Policisë së Shtetit nga blloqet e gjobave. Për këtë shkak Policia parashikon që të blejë rreth 10 milionë lekë të vjetra blloqe për gjoba. Hapja e ofertave të tenderit do të bëhet ditën e sotme, ku pritet që firma fituese brenda muajit prill të dorëzojë dhe paketën e re të blloqeve për vendosjen e gjobave. Epidemia e gjobave prej mëse dy muajsh duket se ka për të zgjatur akoma më shumë. Mijëra qytetarë gdhijnë në mëngjes të gjobitur nga skuadra të policisë, madje pa asnjë dokument të firmosur nga inspektor policie, por thjeshtë me shpalljen e emrit në faqen zyrtare të të gjobiturve të Policisë Rrugore. Kjo sepse ata gjobiten në kundërshtim me ligjet dhe vetëm e vetëm se policia rrugore duhet të plotësojë planin, sipas urdhrave nga lart. Në serinë e pafundme të gjobave, ka patur gjoba paradhënie që i takojnë një muaji që ende nuk ka ardhur, gjoba të vendosura për të gjallë dhe për të vdekur, për emigrantë që kanë një dekadë pa ardhur në Shqipëri, gjoba për automjete që ende nuk kanë filluar të qarkullojnë, gjoba për kundravajtje qarkullimi në zona që automjeti nuk ka qenë kurrë, madje ka pamatur dhe gjoba për biçikleta.

Ankesat

Shumë qytetarë ankohen se marrin gjoba të ekzagjeruara nga 2 mijë lekë të reja deri në 10 mijë lekë. Sigurisht që, vendi ynë vuan nga mungesa e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor në masa ekstreme, por qytetarët vazhdimisht kërkojnë t’u jepet mundësia për të reaguar në rastet e gjobitjeve të padrejta. Vendosja e gjobave në mungesë dhe mosmarrja e njoftimit për këto gjoba, si dhe burokracitë e shumta në kryerjen e pagesave, janë shqetësimet kryesore të drejtuesve të mjeteve që kërkojnë më shumë transparencë nga policia.

Nga ana tjetër, drejtuesit e policisë rrugore bëjnë me dije se vendosja e kundravajteve administrative janë bërë në përputhje me Kodin Rrugor, ndërsa shprehen të hapur për zgjidhjen e ankesave të qytetarëve. Sipas tyre, në rrugët e Tiranës nuk do të ketë më individë të paprekshëm për shkeljen e rregullave të qarkullimit, apo për mospagesë të gjobave.