Mbarimi i shkollës së mesme jashtë vendit, hapat e njohjes së diplomave

3749
Nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit mund të aplikojnë përgjatë gjithë vitit për njohjen e diplomave pranë strukturave përgjegjëse të arsimit në vendin tonë, teksa i gjithë shërbimi do të jetë pa pagesë.
Nëpërmjet një udhëzimi të miratuar së fundmi, Ministria e Arsimit, ka përcaktuar ndryshimet e reja në kriteret dhe procedurat që do të ndiqen për njëvlershmërinë e dëftesave dhe diplomave të fituara jashtë vendit, për rastet kur nxënësit duan të vijojnë më tej studimet e larta në një nga universitetet publike apo private të vendit, po ashtu edhe në rastet kur këto diploma duhen për punësim.
Sipas udhëzimit të MAS, do të jetë Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), institucioni që do të kryejë procedurat e njohjes së diplomave përgjatë gjithë vitit për të dyja rastet e përmendura.
Autoritetet e arsimit sqarojnë më tej se njëvlershmëria e dëftesave dhe diplomave të shkollës së mesme për Maturën Shtetërore, si dhe për punësim do të realizohen nga Komisioni i Posaçëm i ngritur nga MAS.
Gjithashtu është përcaktuar edhe tabela konkrete e konvertimit të notave sipas vendeve në të cilat kandidati ka mbaruar studimet e shkollës së mesme. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë tabelën se si do të konvertohen notat në përputhje me kushtet e arsimit shqiptar.
Si do veprojnë nxënësit që duan të vijojnë universitetin
Në lidhje me procedurat e aplikimit, bëhet me dije se nxënësit që duan të ndjekin studimet e larta në fakultetet e vendit tonë, për të njehsuar diplomën e shkollës së mesme që kanë kryer jashtë, duhet që të dorëzojnë me rrugë postare në Qendrën e Shërbimeve Arsimore dosjen përkatëse të dokumenteve, ku duhet të përfshijnë: formularin e aplikimit për njëvlershmëri i përcaktuar vetëm për kategori, fotokopje të dokumentit të identifikimit të aplikantit.
Kësaj dosje duhet që t’i bashkëngjiten edhe kopja e përkthyer dhe e njësuar me origjinalin e dëftesave të të gjitha viteve të shkollimit, dhe diplomës që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit. Në mungesë të dëftesave, duhet kopja e përkthyer dhe e njehsuar me origjinalin e listës së notave të arsimit të mesëm të kryer.
Pjesë e dosjes duhet të jetë edhe kopja e përkthyer dhe e njësuar me origjinalin e dokumentit që vërteton se nxënësi ka dhënë provime të nivelit kombëtar, të njëvlershme me ato të Maturës Shtetërore që jepen në vendin tonë.
Në udhëzim, MAS përcakton se për të qenë të rregullta, dokumentet e dorëzuara nga këta kandidatë për njëvlershmëri, duhet të kenë vulën apostile të shtetit nga vijnë. Në të kundërt nuk mund të vijohet me procedurat e konvertimit dhe njohjes së titujve të studimit të shkollës së mesme që janë fituar jashtë vendit.
Si veprohet për njohjen e diplomës që duhet për punësim
Udhëzimi i MAS përcakton më tej se dokumentacioni për njëvlershmëri për punësim në vendin tonë, gjithashtu duhet të dorëzohet, ose të dërgohet përmes shërbimit postar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, nga aplikanti ose nga institucioni i interesuar punëdhënës.
Dosja e dokumenteve që duhen në këtë rast duhet që të përfshijë:
“Formularin specifik të aplikimit për njëvlershmëri, fotokopje të dokumenteve të identifikimit të aplikantit, kopje të përkthyer dhe të njehsuar me origjinalin e diplomës që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm jashtë vendit. Edhe në këtë rast këto dokumente duhet që të kenë vulën apostile të shtetit nga vijnë..
Procedurat që do të ndjekë komisioni i njohjes 
Dokumentet për të dyja rastet do të shqyrtohen nga Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm. Ky sekretariat duhet të paraqesë për vendimmarrje në komisionin e posaçëm dokumentet për njëvlershmëri të diplomës.
Në rastet kur konstatohen mangësi në dosje, sekretariati i kthen përgjigje me shkrim aplikantit, duke specifikuar arsyet pse nuk i njëvlerësohet dokumenti i shkollimit.
Komisioni i posaçëm, për nxënësit e ardhur nga jashtë vendit që duan të vijojnë studimet universitare këtu tek ne, duhet që brenda 5 ditësh të shqyrtojë dhe të hartojë dokumentin e njehsimit, në të cilin të shpallen:
“Indeksi i shkollës së kryer, nota mesatare për të gjitha vitet e arsimit të mesëm të lartë, e njëvlerësuar, notat e njëvlerësuara me provimet e Maturës Shtetërore, si dhe nota mesatare e përgjithshme, e njëvlerësuar”.
Komisioni i Posaçëm njëvlerëson lëndën, e cila përcakton njohuritë gjuhësore dhe letrare të shtetit nga vjen nxënësi, me lëndën “Gjuhë shqipe dhe letërsi”.
Pas daljes së vendimit nga ky komision, Qendra e Shërbimeve Arsimore vepron me lëshimin e dokumentit përkatës që miraton ligjshmërinë e diplomës për procedurat e mëtejshme të konkurrimit në shkollat e larta të vendi tonë, apo në rastet kur këto diploma janë të nevojshme në procedurat e punësimit.
Sigal