Mbahen sot, homazhet në nder të Dëshmorit të Atdheut, Simon Gjeta

49
Efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Simon Gjeta, i cili mbeti i vrarë të shtunën gjatë operacionit për arrestimin e Ruzhdi Arishtës i jepet sot lamtumira e fundit.
Homazhet në nder të Gjetës po zhvillohen prej orës 11:24 në Akademinë e Policisë në Sauk.
Fillimisht para trupit të pajetë të nënkomisarit u përulën kolegë të tij, ndërsa në homazhe morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës duke filluar nga kryeministri Rama, kryeparlamentari Meta, kreu i opozitës Basha, Ministri i Brendshëm Tahiri dhe deputetë të Kuvendit.
Në homazhe ishte edhe Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.
Pas homazheve, trupi i tij do të përcillet për në “Varrezat e Dëshmorëve”, ku do të prehet pranë kolegut të tij të vrarë në Gjirokastër, Ibrahim Basha.
Komisioni i Sigurisë e nisi mbledhjen me një minutë heshtje në nder të efektivit të rënë në krye të detyrës, ndërsa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi sot Nënkomisarin Simon Gjeta (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Në vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin e rrallë, devotshmërinë e pashembullt, heroizmin stoik të treguar në radhët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë deri në sakrificën sublime të dhënies së jetës gjatë luftës pakompromis kundër krimit dhe mbrojtjes së rendit dhe zbatimit të ligjit.”
Një ditë më parë Komisioni i Posaçëm në Ministrinë e Mbrojtjes shpalli “Dëshmor të Atdheut” nënkomisarin Simon Gjeta.
Efektivi i FNSH së Shkodrës mbeti i vrarë gjatë ndërhyrjes për arrestimin e Ruzhdi Arishtës, pasi ky i fundit plagosi një 21 vjeçar.
Ndërhyrjes së policisë, Arishta iu përgjigj duke hapur zjarr dhe duke qëlluar në kokë efektin e FNSH-së, i cili humbi jetën në vend.
Për arrestimin e këtij krimi të rëndë, policia dhe RENEA u përfshinë në një aksion që zgjati përreth 12 orë duke negociuar dorëzimin e autorit, që ndodhej i fshehur në banesën e tij në fshatin Oblikë.
Gjatë këtyre orëve pati shkëmbime zjarri, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe bomba tymuese.
Operacioni përfundoi me ekzekutimin e 54-vjeçarit.
Në Homazhe dhe krerët e shtetit
Kreu i Ministrisë së punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ka shfrytëzuar homazhet në nder të nën/komisarit të FNSH-së Simon Gjeta të rënë në krye të detyrës për të vënë në qendër të akuzave sistemin e drejtësisë dhe gjyqtarët e korruptuar që sipas tij bëjnë pazare në kurriz të uniformave blu që përballen çdo ditë me krimin dhe kriminelët.
Për këtë ai ju referuar jo vetëm vrasjes së efektivit, por edhe vrasjes së dyfishtë tek ish-Ekspozita, duke u shprehur autorët e vrasjes ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë por ishin lenë të lirë me vendim të dakordësuar.
” Autorët e kësaj ngjarje ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë nga policia dhe ishin lënë të lirë nga drejtësia. Nëse do kishin marrë ndëshkimin e merituar nuk do mund të merrnin jetën e dy të rinjve të tjerë, por morën ndëshkimin e dakorduar”.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe kryeministri Rama nënvizuan domosdoshmërinë e reformës në drejtësi.
Tahiri akuza drejtësisë: Pazare në kurriz të policisë
Tahiri: “Kolegët e tij do të dëgjojnë ende togfjalëshin ndoshta më të zbrazët që mund të dëgjosh në këto kohë, ndëshkimin e merituar. Por çfarë ndëshkimi merr krimi kur punonjësit e policisë gjejnë përballë e luftojnë në rrugë me të njëjtat persona që arrestojnë disa here dhe që drejtësia nuk i dënon por i lë të lirë po aq herë. Simoni humbi jetën por të shumë të tjerë janë të kërcënuar përditë nga drejtësia që jep tepër rrallë ndëshkimin e merituar por tepër shpesh ndëshkimin e dakordësuar, ndëshkimin e paguar.
Para pak ditësh dy të rinj u arrestuan sepse vranë në mes të Tiranës dy të rinj të tjerë, plagosën një të tretë dhe vetëm fati deshte që e gjitha të mos kthehej në një masakër në qendër të qytetit. Por shumë pak e dinë që autorët e kësaj ngjarje ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë nga policia dhe ishin lënë të lirë nga drejtësia. Nëse do kishin marrë ndëshkimin e merituar nuk do mund të merrnin jetën e dy të rinjve të tjerë, por morën ndëshkimin e dakorduar. Ky është një ndër mijëra shembuj që na sjell kaq shpesh para syve kronikën e zezë të padrejtësisë nga gjyqtarë të korruptuar që ndoshta nuk vrasin përditë, por vrasin besimin përditë.Kronika e zezë sesi drejtësia që bën policia duke luftuar krimin, duke rrezikuar dhe dhënë jetën siç bëri dhe Simoni, bëhet pazar për gjyqtarë që majmen nga korrupsioni”.
Tahiri: Luftë krimit në rrugë dhe krimit me jakë e kollare në zyra
Për Ministrin Tahiri ky besim i thyer do të zgjidhet vetëm me reformën në drejtësi, atëherë kur gjyqtarë kriminelë më shumë se kriminelët e rrugës të mos bëjnë pazar me drejtësinë.
Në këtë kontekst ai shprehu venmdosmërinë në luftën kundër krimit në rrugë dhe kundër krimit me jakë e kollare në zyra.
Tahiri: “Kjo është sakrifica e padrejtë për punonjësit e policisë që përballen me krimin që rikthen në rrugë padrejtësia e gjykatave pa folur për kushtet e pamjaftueshme.Nuk do ketë kurrë një kohë kur mund ta bëjmë terësisht të sigurt punën e policisë, por do ketë sigurisht një kohë kur do të përfundojë reforma në drejtësi, që gjyqtarë kriminelë më shumë se kriminelët e rrugës të mos bëjnë pazar me drejtësinë. Beteja për drejtësinë e merituar është e të gjithëve dhe këtë e fitojmë vetëm atëherë kur të mundim të dënojmë dhe pse jo ti turpërojmë publikish fytyrat e lëmuara të atyre gjyqtarëve që pazarin me krimin e bëjnë zyrave dhe kusuret me rrezikun i mban shoqëria i mbajnë qytetarët, akoma më shumë punonjësit e policisë. Ky është moment i vështirë por është i pashtershëm si burim force dhe kurajo për të luftuar me vendosmëri kundër krimit në rrugë dhe kundër krimit me jakë e kollare në zyra”.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta 
Të nderuar familjarë dhe të afërm të dëshmorit më të ri të atdheut, Simon Gjetës.
Jemi mbledhur sot për të përcjellë me respekt, mirënjohje dhe nderim thellë për në banesën e fundit në panteonin e përjetësisë Simon Gjetën, i cili është heroi më i ri në radhët e dëshmorëve të atdheut të cilit dora kriminale ia ndërpreu jetën në mes pabesisht. 
Ne jemi sot këtu të gjithë së bashku për të shprehur solidaritetin njerëzor dhe mbështetjen për familjarët e Simonit, por edhe për të gjithë kolegët e tij të cilët sakrifikojnë çdo ditë për ta bërë jetën e të gjithë shqiptarëve më të sigurt duke u përballur heroikisht me të keqen, me delikuentët, kriminelët dhe shkelësit e ligjit.
Është njerëzore dhe detyrim që të jemi sot së bashku, por është akoma më e rëndësishme që të bashkohemi rreth luftës ndaj së keqes, që ta ndalojmë këtë hemorragji që kërcënon sigurinë publike dhe të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë. 
Ndaj familjarëve të Simonit u garantojmë sot edhe në emër të gjithë kolegëve të tjerë deputetë, se sakrifica e tij sublime jo vetëm që nuk do të harrohet, por do të shërbejë si një kambanë kujtese për të ndërmarrë çdo veprim ligjor që garanton jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike dhe mbi të gjitha për të realizuar reformën në drejtësi në mënyrë që drejtësia të jetë shembulloren ndaj gjithë kriminelëve dhe shkelësve të ligjit.
Kolegëve të Simonit u garantojmë se do të bëjmë gjithçka për t’i mbështetur në këtë luftë të vështirë dhe që kërkon sakrifica të mëdha.
Shteti, jam i bindur se do të veprojë me të gjithë forcën që i jep ligji për të çuar para drejtësisë këdo që guxon që ta shkelë atë. Ndaj, përulemi me respekt të thellë përpara veprës së Nënkomisar Simon Gjetës, Dëshmorit më të ri të Atdheut.
I përjetshëm kujtimi i tij!

Rama: Do shkëpusim të gjitha fijet politike e gjyqësore me krimin

“Gjaku i tij nuk do të bëhet ujë por do të shërbejë për të plazmuar më tutje shpirtin zemrën e mendjen e një policie shteti të rilindur e cila me mbështetjen e palëkundur të qeverisë shqitpare do ta thyejë atë që krimi akumuloi dhe po e shohim të dobësohet dita ditës. Jam i bindur se policia e shtetit që po rritet dita ditës .
Do rritet e do të shkëpusë të gjithë fijet politike, ekonomike, financiare e gjyqësore që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë ta ushqejnë krimin” tha Rama.